Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: 90% të parametrave të përdorur për shënimin e Demarkacionit janë të pavlefshëm

Nga ajo që dëgjuam në medie për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, pa asnjë hezitim mund të konstatohet se ata parametra jo vetëm që nuk janë të vlefshëm, por janë më shumë se qesharak e fyes për t’ju shitur si punë e ndershme e profesionale njerëzve me inteligjencë edhe nën mesatare?!!! Kjo është më shumë se fyerje për qytetarin e fshatarin tonë që e ka shkelur dhe shfrytëzuar me dekada atë pjesë të atdheut. Unë nuk mund të kuptoj në asnjë mënyrë, si është e mundur që një kufi që ka histori, më se paku mbi 60 (76) vjeçare, kur demarkohen të përdorën ngjarje, data e dokumente që në asnjë mënyrë nuk do të duhej as të përmendeshin se jo më të përdoreshin si parametra përcaktues në shënimin e kufirit më Malin e Zi.

Cilat janë ato ngjarje e dokumente që nuk është dashur as të përmendeshin?

Në asnjë mënyrë e në asnjë formë nuk është dashur të përmendeshin: Marrëveshja e Kumanovës e 10 qershorit 1999, as hartat e NATO-s, as Bisedimet e Vjenës e Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari, as Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e Kushtetuta që e kemi në përdorim, nuk do të duhej fare që të përmendeshin si parametra për shënimin e kufirit në fjalë. Në disa raste janë përdorur (përmendur) edhe viti 2007 e 2008, që për ne këto data janë krejt të pa njohura në çdo pikëpamje?! Çka fshihet prapa tyre, nuk më është e njohur, ndonëse kam marrë pjesë në shumë procese e marrëveshje që nga Rambujeja. Madje kam marrë pjesë në shumë takime e bisedime, para dhe pas Pavarësisë së Kosovës (më 12 shkurt 2008), përfshirë edhe procesin e hartimit të Kushtetutës sonë, por në asnjë rast nuk është biseduar për kufirin.

Në renditjen që bëra më lartë, nuk më është e qartë si u gjet edhe Kushtetuta e vitit 1974 e jo ngjarje, dokumente e harta të ndryshme (gjeografike, shkollore, topografike, ushtarake etj.), të para e pas saj e krejt deri në vitin 1998?! Kushdo që do të ishte nisur nga parametra e theksuar më lartë, përfshirë edhe pronat kadastrale të qytetarëve, nuk do të mund të vinte në ndonjë përfundim tjetër, veçse këtu ku ka arritur Komisioni i Qeverisë së Kosovës, në përfundime krejt të gabuara.

Mendoj se këto janë dëshmi të mjaftueshme se Komisioni qeveritar ka qenë jo profesional, jo i përgjegjshme, aspak vigjilent për çka ka ardhur në përfundime të gabueshme, gabime që pala jonë në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pranoi, përkundrazi duhet të kërkoj përgjegjësi. Në një situatë të tillë, Komisioni do të duhej të dorëhiqej ose të shkarkohej nga organi që e ka themeluar. Ky veprim do t’i hapte rrugë formimit të një Komisioni të ri gjithëpërfshirës, i cili do të rivlerësonte procesin e demarkacionit të kufirit më Malin e Zi.

Konsideroj se, si Republika e Kosovës e po ashtu edhe Mali i Zi, duhet të janë të interesuar që shënjimi i kufirit, midis vendeve tona, nuk do të duhej të mbetej burim konflikti nder shtetëror as për sot e as për nesër, por do të duhej të ishte bërë me drejtësi e pajtim të plotë mes palëve. Mbase do të duhej të ishte një lloj feste e përbashkët mirëkuptimi e mirëbesimi për një fqinjësi të mirë e më paqe të përhershme. Në fund të fundit ky do të ishte në interes të dy vendeve e kombeve tona, të jetuarit në paqe e fqinjësi të mirë e të përhershme!

Jakup Krasniqi: Kryeministër më kë dreqin je

Kur para më shumë se 40 viteve e shikoja dramën “Baca i Gjetajve”, me ka mbetur në kujtesë një bisedë e zhvilluar në mes Bajraktarit e Arapit të Shkodrës: Kur i pari e pyeti të dytin se me ke dreqin ishte? Ai (Arapi) do të përgjigjej: “Me të gjithë, veç me komunistët jo”.

Zhvillimet politike, sigurisht jo vetëm të ditëve të fundit dhe sigurisht nuk kanë të bëjnë vetëm më demarkacionin, ma sollën në kujtesë dialogun e Kadri Bajraktarit me Arapin e Shkodrës që e kishte pas rruar mjekrën (dialog në dramën “Baca i Gjetajve”)! Para disa ditë, Kryeministri dhe ministrat e tij, jo një herë patën deklaruar se nëse nuk ratifikohet demarkacioni, (presion ky i drejtuar mbi deputetët e opinionin publik), “do të na ik mundësia për liberalizimin e vizave”?! Pa e qarë kokën se Kosova me demarkacionin e kufirit më Malin e Zi, po humbë 0.73% të territorit, pra gati 1% . Edhe pse kushtëzimi i demarkacionit me liberalizimin e vizave është një rast i veçantë për Kosovën! Mbase Brukseli edhe mund t’i fshehë pengesat tjera?! Por, Kryeministri nuk po mjaftohet më kaq, ai se fundi ka zbuluar edhe një xhevahir të ri: “Pa ratifikimin e demarkacionit, nuk ka ushtri të Kosovës”?! Kështu si ka nisur, nesër do ta “zbuloj” një kushtëzim të ri!!! Pra, nesër mund të thotë: “Pa Zajednicen” nuk ka liberalizim të vizave”?! Ndërsa pasnesër do të pjellin një kushtëzim të ri! Dhe kështu kushtëzimet do të vazhdojnë njeri pas tjetrit. Kështu si ka nisur, do të kemi humbje të reja territoresh e sovraniteti. Asnjë nga këto veprime te Kryeministrit nuk shkojnë në shërbim të mbrojtjes se tërësisë territoriale e të sovranitetit të shtetit. Në një situatë të tillë, njeriu normal nuk ka si mos të shpërthej më tërë mllefin: O nuk na duhet liberalizimi i vizave as integrimi e as ushtri e “Zajednic”, derisa na qeverisin njerëz të mjerë që nuk dinë se çka është shteti, kombi e atdheu. Nuk na duhet këto të “drejta”, derisa na kushtëzohen më humbjen e 1% të territorit e të sovranitetit! Kushtëzimet e “zbuluara” njëri pas tjetrit nga Kryeministri e të ndihmuar edhe nga Ministrat e Kabinetit të tij, me shtyn të pyes? Me ke dreqin janë, Kryeministri i Kosovës dhe ministrat e tij? Përgjigja me erdhi krejt natyrshëm: Janë me dreqin e të birin, vetëm se, jo me qytetarët dhe Republikën Kosovës, Kryeministër e ministra të së cilës janë! Ke përfaqësojnë e ke duhet të mbrojnë ata? Qytetarët e Kosovës apo gjithë të tjerët?! Pra këta janë “më të gjithë të tjerët, vetëm me shqiptarët jo!”

Të përfundojmë: Me këto veprime te Kryeministrit “Akademik” do të duhej të reagonte fuqishëm ASHAK-u, anëtar i se cilës është, por ata kanë zgjedhur heshtjen në vend që të reagonin me argumente shkencor, duke u vërë kështu në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit e të interesit kombëtar! Kuptohet nga këto veprime të Kryeministrit, nuk mund të amnistohen as aleatet në qeverisje. Përgjegjësit mes tyre janë fifti-fifti, mbase edhe sipas fuqisë politike.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …