(Fjala e mbajtur në organizimin: “Homazhe për Adem Demaçin” në Tiranë, organizuar nga Federata e Ambasadorëve të Paqes, më 23 shtator 2018)
Jam më shumë se i vetëdijshëm, se të shkruash për misionarin politik të gjysmës së shekullit XX, siç ishte Adem Demaçi, në hapësirën e Shqipërisë së robëruar, që Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) i kishte lënë jashtë Shqipërisë Londineze, me qëllimin, siç thoshte ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, për t’i ikur një konflikti në shkallë botërore. Ndonëse konfliktit në shkallë botërore nuk i ikën më shumë se një vit, e robëria e shqiptarëve zgjati përafërsisht një shekull.
Pas qershorit të vitit 1999 e sidomos gjatë dy viteve sa zgjatën bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga ish-Presidenti i Finlandës, Mati Ahtisari, u duk siç thoshte edhe emisari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, se do të korrigjohej padrejtësia që u ishte bërë shqiptarëve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Shumë procese ecën mirë që nga 17 shkurti i vitit 2008, kur në koordinim me faktorin ndërkombëtar, në Kuvendin e Kosovës, Kosova u shpall Shtet i Pavarur, Sovran dhe Demokratik. Zyrtarizimi i kësaj pavarësie në vitet e para nuk u bë vetëm me njohjet e shumta ndërkombëtare, por edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila pyetjes së Serbisë, se a ishte Shpallja e Pavarësisë së Kosovës shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare, mori përgjigjën se “Pavarësia e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Nuk ka dyshim se ky akt ishte konfirmim në shkallë botërore i Pavarësisë së Kosovës. I tërë rrugëtimi i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos nga viti 1958, është i lidhur ngushtësisht me emrin e Adem DEMAÇIT. Ai ishte frymëzuesi i të gjitha organizimeve politike e ushtarake për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte frymëzues e mobilizues edhe për Komandantin Legjendar, Adem Jasharin!
Çdokush në Kosovë që merr vesh nga jeta politike, intelektuale e kombëtare e di se Adem Demaçi në gjithë shekullin e tij politik ka qenë dhe ka mbetur frymëzuesi i të gjitha organizatave të fshehta për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve, gjithashtu edhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, edhe gjithë angazhimi i tij pas daljes nga burgu i fundit, para, gjatë e pas luftës çlirimtare, është treguesi më i mirë se Adem Demaçi ishte misionari i Lirisë, i Çlirimit dhe i shtetit e jo i pushtetit për përfitime personale.
Është interesante historia e kombit tonë që nga epoka e Skënderbeut e sidomos nga Rilindja Kombëtare, ku periudha e robërisë ka formësuar luftëtarë të lirisë, misionarë politikë që kanë frymëzuar e masivizuar njerëzit liridashës për të luftuar për kombin e atdheun. Por periudhat e lirisë, si pas Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe, çuditërisht, edhe pas luftës sonë çlirimtare në Kosovë, pushtetin e kanë rrëmbyer njësha, që nuk kanë pasur qëllim parësor forcimin e pushtetit shtetëror, por pushtetin për pasurim personal a grupor. Adem Demaçi në çdo periudhë të veprimtarisë së tij politike, tregoi integritet të lartë, dinjitet të veçantë e, sidomos, tregoi se është personalitet i çliruar nga lakmia e shpirtngushtësia. Ai mbetet frymëzues e misionar fisnik i lirisë, çlirimit dhe i pushtetit shtetëror për shtetin e së drejtës.
Të njihemi me biografinë jetësore të Adem Demaçit
Një fjalë si kjo e imja sot lë shumë për të dëshiruar, për faktin se është më shumë se vështirë për të veçuar atë që duhet referuar sot para këtij auditoriumi të nderuar. Ju me të drejtë prisni që të themi më të duhurën e mundshme për këtë personalitet, që shndriti si meteor politik për më shumë se gjashtëdhjetë vjet me radhë dhe që u nda nga jeta vetëm para më pak se dy muajsh, më saktë më 26 korrik të këtij viti.
Adem Demaçi, ashtu si edhe shumë mendje të ndritura të kombit tonë, ku në ketë rast do të veçoja Rexhep Qosen e Ismail Kadarenë, lindën në vitet 1935-’36 të shekullit XX, lindën në mjegullën e një furtune të madhe, mbase më të madhen në historinë e përbotshme, siç qe Lufta e Dytë Botërore. Adem Demaçi lindi, siç thotë e ëma, Nazifja, në gusht-shtator të vitit 1935, por u regjistrua nga i ati, Zeqiri, më 26 shkurt 1936.
Thuhet se edhe në fatkeqësi lind fati. E nuk ka dyshim se kjo vlen edhe për Adem Demaçin dhe brezin e tij në Kosovë. Në vitin 1941 Kosova dhe shumë troje të tjera shqiptare që ishin të pushtuara nga Jugosllavia e Versajës, iu bashkuan Shqipërisë, e cila ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Deri atëherë në ato troje shkollimi i fëmijëve shqiptarë nuk bëhej në gjuhën shqipe. Nga viti 1941 në Kosovë dhe në viset e tjera që iu bashkuan Shqipërisë u hapën shkollat në gjuhën shqipe. Për brezin e Adem Demaçit, që në ketë aspekt ishte brezi më me fat, e filluan arsimimin në gjuhën shqipe. Ishte krejt e natyrshme që për shqiptarët e kohës në Prishtinë e Kosovë e kudo në trojet shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë, ishte një çlirim nga robëria serbe e jugosllave, e cila shqiptarëve u mohonte çdo të drejtë kombëtare. U mohonte deri edhe shkollimin në gjuhën e mëmës.
Adem Demaçi ishte personalitet me vizion e integritet, me dinjitet e ndershmëri politike e kombëtare, dhe bota personalitete të tilla i ka të paktë. Një jetë të tillë politike e patriotike, Adem Demaçi e nisi që nga bankat e shkollës fillore (1942), kur mësueses i bëri pyetjen: “Mësuese, pse shqiponja në flamurin tonë është e rrethuar me sëpata?”
ASKUSH nuk mund të thotë se kjo pyetje nuk ishte politikë e një djaloshi gjashtë-shtatëvjeçar! Pra, Adem Demaçi, që në vitin e parë të shkollës fillore (6-7 vjeç), kërkonte çlirimin e shqiponjës nga sëpatat e liktorit, ndërsa mësuesja me lot në sy i premtoi: “Edhe pak kohë shqiponja jonë ka për t’i rrahur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sëpatat e zeza fashiste!” Po çlirimi i shqiponjës nuk do të vinte vetë. U desh lufta e armatosur katërvjeçare, u desh gjaku e jeta e 28 000 shqiptarëve, dëshmorë të Shqipërisë dhe të dhjetëra mijëra të Kosovës e të trevave të tjera shqiptare, që shqiponja të çlirohej nga sëpatat e liktorit, që aq shumë e donte dhe e priste Adem Demaçi vetëm fëmijë. Dhe kjo dashuri nuk iu zvetënua kurrë, përkundrazi u brumos deri në pakufi. Dashuri që i dha dekada të vështira jete në kazamatet serbe. Ai ishte paralajmërimi i parë se Adem Demaçi kishte një dashuri të veçantë për kombin dhe atdheun, për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ishte paralajmërim se AI do të kishte një rrugë të veçantë, nëpër të cilën do të ecte me dashuri, guxim e vendosmëri, me përkushtim e integritet të rrallë njerëzor, për t’u bërë bashkë me Nënën e Tij: Shqipërinë! Në atë rrugë asnjëri nga bashkëveprimtarët e tij nuk qe konsekuent si ai. A nuk e bën kjo gjë atë të veçantë? Madje diçka shumë: të rrallë. Po! Këtë dashuri ia kishte dhënë dhe ia kishte ngulitur në mendje e zemër që në fëmijëri, madje dhe ia kishte lënë amanet nënë Nazifja. “Se nëna vdes, por populli nuk vdes kurrë!”, i thoshte ajo. Pra, nënë Nazifja ishte ajo që ia ushqeu dashurinë për kombin dhe atdheun djalit të saj të vetëm! Se a i edukojnë dhe a ua mbjellin nënat e kohës sonë fëmijëve të tyre këtë dashuri, këtë unë nuk mund ta pohoj me siguri! Natyrisht, sot para jush do të doja të flisja me siguri!
Vitet ecnin pandalshëm njëri pas tjetrit. Në vitet 1946, kur Kosova e kishte rifilluar robërinë serbe e jugosllave, Adem Demaçi, tani si nxënës i gjimnazit real të Prishtinës, arsimtares së gjuhës serbe i bën një pyetje, që asaj i duket provokuese. Përsëri pyetja e Ademit të vogël nga shtati, ishte më shumë se politike për kohën e mbarsur me shovinizmin serb: “Pse edhe nxënësit serbë nuk mësojnë shqip, sikurse shqiptarët që mësojnë serbisht?” Kjo pyetje e kishte përlotur mësuesen e gjuhës serbe, që Demaçi kishte marrë guximin që t’i bënte një pyetje të tillë! Si po guxonte ai ta krahasonte gjuhën e popullit “hyjnor” serb, serbishten, me gjuhën shqipe, me gjuhën e punëtorëve të krahut, me gjuhën e opingës. Mësuesja e serbishtes kishte qarë pse shqiptari “i vogël” po i bënte këtë pyetje provokuese serbes së madhe. Shembulli i parë dhe i dytë janë tregues, se ky fëmijë i zgjuar kishte diçka të veçantë në personalitetin e tij. Këto ishin shenja se një personalitet i veçantë po shfaqte prirjet e dukshme të një personaliteti me integritet në Kosovën e robëruar!
Shenjat më të dukshme letrare e politike Adem Demaçi i shpërfaq në letërsi, me romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, ku mes të tjerash shkruan: “Jo atij që ngreh gishtin e krimit, por atij që shtrin dorën e pajtimit”. Ai me këtë godet rëndë plagën e përçarjes kombëtare, duke kërkuar pajtimin për bashkim kombëtar. Edhe koha jonë është kohë për një bashkim kombëtar në kushtet dhe rrethanat e reja të veprimit politik. Vetëm shqiptarët e bashkuar mund të garantojnë sigurinë kombëtare në konstelacionet e reja gjeopolitike.
Adem Demaçi integritetin e tij politik e nisi hapur para 60 vitesh, saktësisht në vitin 1958. Pas daljes nga burgosja e parë, ai me shumë veprimtarë të tjerë politikë formuan organizatën politike: Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (1963). Më pas u burgos për herë të dytë më 1964, ku bëri dhjetë vjet burg dhe u lirua më 1974. Armiku nuk dëshironte ta shihte atë të lirë dhe e burgosin për të tretën herë më 1975, burgim nga i cili lirohet në prill të vitit 1990. Pra, Adem Demaçi jetoi 28 vite në burgjet e Jugosllavisë. Por Demaçi nuk iu nda as edhe një herë politikës për bashkimin e kombit e të atdheut, deri më 26 korrik 2018, ku dhe mbylli sytë përgjithmonë. Adem Demaçi ishte lider si atëherë kur ishte prapa hekurave, ashtu dhe atëherë kur nuk ishte në vendin e tij të robëruar, por shqiptarët i drejtonte drejt çlirimit e bashkimit ideali i tij. Duhet ta themi me dhimbje, që shqiptarët nuk e ndoqën liderin e lindur pas daljes nga burgu në vitin 1990, idealistin e panënshtruar, e ndoshta kjo bëri që diku ta humbasim hapin e zhvillimit dhe të shtet-ndërtimit pas luftës çlirimtare. Ne, shqiptarët, sot më shumë se dje, kemi nevojë për një personalitet konsekuent, konsistent e koherent, me shumë integritet, ashtu siç ishte Adem Demaçi.
Përkundër gjithë këtyre, ai në vitet ’90-të ushtroi detyra të veçanta për kombin. Për një kohë udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), këshill i cili i bënte të njohur opinionit vendor e ndërkombëtar çdo formë të dhunës që përdorte armiku i egër. Më vonë udhëhoqi Partinë Parlamentare të Kosovës, e cila në dallim nga e gjithë Alternativa Demokratike Shqiptare në Kosovës, në programin e saj kishte të nënvizuar edhe luftën e armatosur, dhe ishte i vetmi lider që e arsyetonte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një varg i një kënge të vjetër shqiptare thotë: “Hedhim valle në gojë të ujkut”!
Adem Demaçi një valle të tillë e hodhi gjithë jetën në gojën e ujkonjës Serbi e Jugosllavi. Nuk ka dyshim, vallja më e rrezikshme ishte detyra e tij si përfaqësues politik i UÇK-së në Prishtinë në verën e vitit 1998-’99. Ndoshta një valle më të rrezikshme nga 30 dhjetori i vitit 1991 e deri më 5, 6 e 7 mars 1998 e luajti vetëm Adem Jashari dhe familja e tij në Prekaz të Drenicës. Detyrën që mori Adem Demaçi në verën e vitit 1998 as do ta merrte e as do ta ushtronte kush. Për një detyrë të tillë, Kosova ato ditë kishte vetëm Adem Demaçin.
Adem Demaçit për veprimtarinë e tij jetësore, për qëndresën e veçantë, për humanizmin e tij për njeriun në përgjithësi, mori shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, me të cilat u nderua vepra dhe sakrifica e pashembullt e tij, për njeriun dhe të drejtat njerëzore. E vërteta është se ato çmime janë të varfra për t’i dhënë vendin e merituar këtij njeriu që bëri shumë për kombin e tij, duke sakrifikuar jetën e tij dhe të familjarëve të vet. Demaçi ishte njeriu, që për asnjë moment nuk e ngarkoi shpirtin e tij njerëzor me helmin e urrejtjes, helm që e kishin me bollëk kundërshtarët e tij politikë në mjedisin shqiptar e ballkanas! Armiqtë e idealit të tij politik nuk e pushuan asnjëherë luftën ndaj personalitetit të tij, mbase nuk e ndalin as sot, kur ai nuk është më! Adem Demaçi nuk kishte armiq personalë, por ishte vepra dhe ideali i tij, që i kishte lënë ata nën hijen e lisit të madh të kombit dhe dëshironin të dilnin dhe dolën në dritë me çejzin e huaj politik.
Mungesa e një personaliteti të tillë në hapësirën tonë kombëtare vërehet prej më shumë se 20 vjetësh, edhe atëherë kur ai ishte mes nesh. Sot dhe nesër kjo mungesë, tani dhe fizike, do të jetë edhe më e madhe. Adem Demaçi në politikën vizionare shqiptare ka lënë një shteg të madh për frymëzimin e mobilizimin e kombit. Le të lutemi që kjo mungesë të jetë sa më e përkohshme!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Heroin tonë fisnik!
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT!