Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se momentalisht ekziston një krizë opozitare. Ai ka vlerësuar se tejkalimi i kësaj krize bëhet me vullnet të dyanshëm dhe gatishmëri për të krijuar diçka të përbashkët në interes të qytetarëve, të vendit dhe sovranitetit të shtetit. “Nuk ka asnjë dyshim, kam investuar shumë për bashkimin e opozitës. Momentalisht ka një krizë opozitare. Dëshiroj të tejkalohet kjo krizë. Ndoshta përgjigjen më të mirë do të duhej ta jepnin të Vetëvendosje!-s, por ajo që kam parë unë, ka munguar vullneti për t’i gjetur çështjet që na bashkojnë e jo ato që na ndajnë. Vetëvendosja është dashur të jetë më këmbëngulëse dhe më tolerante në gjetjen e çështjeve që e bashkojnë opozitën”, ka deklaruar Krasniqi. Ai ka thënë se koalicioni AAK – Nisma ndoshta nuk ka qenë më i miri, por ka qenë më i mundshmi. Sipas Krasniqit, ende nuk janë harxhuar të gjitha mundësitë që edhe Vetëvendosja! të jetë pjesë e rëndësishme e këtij koalicioni. “Nuk mund të them se ka qenë më i miri, por ka qenë më i mundshmi. Për mua nuk janë harxhuar të gjitha mundësitë që edhe Vetëvendosja të jetë pjesë e rëndësishme e koalicionit, por kjo varet shumë nga gatishmëria e saj”, ka theksuar ai, duke shtuar se koalicioni AAK – Nisma ka shumë mundësi të zgjerohet edhe me subjekte e individë të ndryshëm, ka thënë mes tjerash Jakup Krasniqi për “Epoka e Re”.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …