Sot, më 13 maj 2020, mediet tona (portalet) po shkruajnë se edhe Rusia e Putinit kërkon të jetë pjesë e bisedimeve politike Kosovë-Serbi. Ata nuk kanë faj pse e kërkojnë këtë, pasi, faji nuk është i tyre, pse “është hapur kutia e Pandorës”. Kjo kuti pa asnjë arsye politike i ka hapur çështjet e bisedimeve në mes të Prishtinës e Beogradit zyrtar, me fajin e Presidentëve e Kryeministrave të Kosovës. Dhe jo vetëm që janë hapur, por shtetit të Kosovës, përditë po i shkaktohen probleme të mëdha vështirë të riparueshëm. Pa dyshim përgjegjësin më të madhe në këtë katrahurë politike i ka Presidenti i sotëm i Kosovës dhe partitë politike që e mbështeten në këtë proces kontrovers. Siç po shihet në këtë proces ishte lehtë të hyhet, por, po del se është goxha vështirë të dilet. Po del si ajo puna e belbanit, kur e pyeti qerrtari: “A hihet”? Derisa belbani (njeriu që belbëzon) i tha: “meeeee hihihiiihet pooo nuuuuk diiiilet”. Qerrtari hyri në batak dhe mbet. Qerrtari i tha: Pse nuk tregove? Ky që belbëzonte i tha: Ti u ngute e nuk e prite përgjigjen time”. Kështu edhe pala e Kosovës hyri e ka mbetur në batakun e bisedimeve. Kështu disi i del secilit të gjithëdijshëm që nuk këshillohet me njerëzit e duhur.
Në këto bisedime, Kosova i kishte tri e më shumë arsyeje të mëdha që mos të hynte fare:
- Kosova dhe Serbia nën drejtimin e Përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe nën mbikëqyrjen e Grupit të kontaktit, në vitin 2007, i patën përfunduar Bisedimet e Vjenës, ku secila palë i pat shtyrë kërkesat e veta e në fund pala serbe dhe Rusia nuk u pajtuan.
- Kur për shkak të vetos ruse në KS për ta njohur Pavarësinë e Kosovës, Bota perëndimore (BE – SHBA) e zgjodhën rrugën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovë. Pra shpallja u bë në koordinim të plotë të Kosovës më SHBA-të dhe BE-në, më 17 shkurt 2008, dhe
- Pas këtij veprimi, Serbia GJND-së i ka dërguar një pyetje për Kosovën: “Se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës a është në përputhje më drejtësinë ndërkombëtare?”. GJND-ja më 22 korrik të vitit 2010, ia kthen përgjigjen Serbisë se: “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.” Institucioni profesional i OKB-së, “GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”https://www.dw.com/sq/gjnd-pavar%C3%ABsia-e-kosov%C3%ABs-%C3%ABsht%C3%AB-n%C3%AB-p%C3%ABrputhje-me-t%C3%AB-drejt%C3%ABn-nd%C3%ABrkomb%C3%ABtare/a-5826936
Sipas Radio Evropës së Lirë, Presidenti i GJND-së Hisashi Ovada, konstaton se: “Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare https://www.evropaelire.org/a/2107064.html
Pastaj është e ditur se edhe përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaari kishte propozuar “Pavarësi të mbikëqyrur” e cila gjithashtu në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar: OKB, SHBA dhe BE, është hequr në Vjenë më 2 korrik 2012 në takimin e “Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, vendosi sot që mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, të përfundojë në muajin shtator. Vendimi u mor në takimin e sotëm të këtij grupi në Vjenë, ku u tha se plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, “është zbatuar në mënyrë thelbësore dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtar për përmbyllje të pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare”. https://www.zeriamerikes.com/a/kosove-grupi-drejtues-vendosi-te-permbylle-pavaresine-e-mbikeqyrur/1352680.html
Të gjitha këto vendime të mëdha, ndërkombëtare e vendore, e më shumë ndërkombëtare se vendore, janë marrë në koordinim të plotë me Faktor relevant ndërkombëtar, të cilat i bëjnë të panevojshme bisedimet politike të filluara në Bruksel. Në vijë me këto vendime është edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së e cila ka sugjeruar për bisedime teknike.
Shkurt përgjegjësia politike për këtë katrahurë e labirinth, nuk është e askujt nga jashtë, është përgjegjësi kryekreje e qullsisë sonë politike dhe kjo qullsi e vazhdimi me ketë qullsi, nuk mund të sjell kurrfarë ndryshimi përmbajtjesor.