Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Çka duhet të ndryshojmë në politikën tonë?

Ditëve të fundit, pas mosmarrëveshjeve  mes opozitës së bashkuar, është nxjerrë në shesh diskutimi rreth krijimit të një partie të re politike?! Vërtetë, a nuk ka mbetur rrugë tjetër, vetëm krijimi i një partie të re politike? A thua pak parti politike kemi?! Problemi ynë nuk është te mungesa e partive politike, por te mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike, të profilizimi ideologjik i tyre në kuptimin më të mirë të fjalës, të vullneti i përgjegjshëm politik, intelektual, kombëtar e njerëzor të të gjitha komunitetet e organizuara në shoqërinë tonë, të mungesa e njerëzve që e duan ketë vend për të ndryshuar dhe bërë të dashur për shumicën e qytetarëve të Republikës sonë.

Konsideroj se i gjithë problemi ynë si shoqëri konsiston të mungesa e madhe e përgjegjësisë të të gjitha komuniteteve politike e intelektuale, kudo ku ajo është duke u kërkuar. Frustrimi shoqëror ka arritur majat shqetësuese. Madje, mungesa e përgjegjësisë është e shtrirë në çdo pore të shoqërisë shqiptare. Dëshmia më e mirë e kësaj është pa ligjësia dhe kupola e krimit në të gjitha institucionet e shtetit, përfshirë edhe institucionet më të larta te shqiptareve, në Kuvendet e Republikave prej nga drejtohet të gjitha shigjetat e akuzave për krime, prej më të ndryshmeve?! (Ndonëse, akuzat janë kryesisht më fjalë, se kur janë në pyetje përfitimet personale, nuk mungojnë ujditë e korruptuara në mes të të akuzuarve të “pa kompromis”, si ndodhi në rastin e zgjedhjes se Presidentit?!) Deri edhe kërkesa për revolucion të armatosur?! Aty ku mbrohet krimi e korrupsioni i njerëzve të partisë sime, nuk ka shtet ligjor?! Ky mentalitet, mentaliteti i nënshtrimit ndaj liderit e jo programit politik e zhvillimor, askund nuk ka prodhuar e nuk prodhon demokraci,  as ndërton shtet të së drejtës. Pse të jetë ndryshe tek ne?

T’i kthehem edhe njëherë nevojës për një parti të re politike. Konsideroj që, është koha për të pasur një rirreshtim të ri politik ose thënë më mirë për një profilizim ideologjik të partive politike, i cili është duke munguar në Republikën tonë. Populli dhe vendi ynë kanë nevojë që të bëjnë hapin e domosdoshëm, për të krijuar parti politike demokratike, ku njerëzit i bashkojnë ideologjitë politike, programet politike e ekonomike, të majta, të djathta apo të qendrës. Vetëm me krijimin e partive politike ideologjike, me programe të qarta, të djathta, të majta e të qendrës, programe që u afrohen qytetarëve për t’u përcaktuar për ndonjërin nga programet e ofruara. Përderisa nuk bëhet kjo, qytetarët do zgjedhin “misionar”, të gjallë a të vdekur apo pse dikush është bija e filanit dhe vëllai i fishekut?! Kjo formë e të zgjedhurit ka degraduar çdo shpresë për ndërtimin e shtetit të se drejtës, shtetin e zhvillimit, shtetin e dijës e shtetin e drejtësisë sociale. Deri atëherë, në skenën politike të Kosovës, do të ketë trafikime politike, deputetësh e asamblistësh. Ndodh kështu se njerëzit nuk i ka bashkuar ideologjia politike e majtë e djathtë apo e qendrës, nuk i bashkon programi politik e ekonomik, as ideali e qëllimi fisnik për zhvillim e shtet ndërtim, por i ka bashkuar e do t’i bashkoj, interesi meskin, zhvatja e parasë publike dhe “rahatimi” në ndonjë vend të punës i akrabave?! Kështu, nuk mund të integrohemi aty ku ka vlera demokratike, mbase as aty, ku na bashkon gjithçka, aty ku na bashkon edhe e “mira” edhe e shëmtuara!

Vetëm atëherë kur do të kemi parti politike ideologjike, me programe ekonomike e zhvillimore, me programe për ndërtimin e shtetit të së drejtës, me një reformim të sistemit të drejtësisë, sistemit të arsimit, shëndetit publik dhe atëherë kur qytetarët bashkohen e votojnë për programet që u besojnë, mund të themi se në Republikën e Kosovës po fillon epoka e sistemit demokratik dhe e ndërtimit të shtetit ligjor.

E shfrytëzoj ketë rast që të kërkoj bashkim rreth programit politik e ekonomik të së majtës progresiste (socialdemokrate), për shtet të zhvilluar e social! Gjithashtu, edhe të djathtët e të qendrës duhet të bashkohen rreth programeve të tyre, që t’ua mundësojnë zgjedhësve që t’i zgjedhin programet që ata do t’i vlerësonin e votonin!

Një ftesë e veçantë i bëhet klasës punëtore, organizatave të tyre sindikale që pa hezituar t’i bashkohen të majtës socialdemokrate, aty ku është zëri i drejtësisë sociale, aty ku duhet të jenë tradicionalisht. Vitet e pavarësisë sonë kanë treguar se ecja e tyre ( e sindikatave) pas partive të djathta në prag të zgjedhjeve, do të jetë mashtrimi i tyre i madh i radhës!

NISMA socialdemokrate, është derë e hapur për të gjithë komunitetet socialdemokrat, gjithë ithtarëve socialdemokratë që gjinden në radhët e partive të pa profilizuara politike, e sidomos të majtëve në PDK, pasi ky ishte orientimi i tyre fillestar dhe i tradhtuar më vonë pa asnjë debat, të gjithë intelektualët a individët që u besojnë vlerave të socialdemokracisë moderne! Mbajtja e një Kongresi të se majtës po bëhet domosdoshmëri, mbase edhe i orientimeve tjera ideologjike. Koha është për rirreshtim politik e ideologjik. Koha është për t’ju besuar Programeve politike e zhvillimore e jo mashtruesve të matrapazllëqeve politike të deritashme!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …