Jakup Krasniqi: Jo paramilitarë dhe jo masakra

Jakup Krasniqi: Djajtë nuk mund të bëhen engjëj, as engjëjt djaj

Deputetet e Kuvendit të Kosovës,  ata që e votuan Ligjin për Gjykatën Speciale shërbim të keq, tepër të keq ia kanë bërë Kosovës, jo vetëm për të kaluarën më të lavdishme të kombit, por edhe të sotshmes e të ardhmes. Jo vetëm që një armë kriminale ua kanë dhënë armiqve tanë shekullor, por edhe miqve që engjëjt e Lirisë sonë i quajnë kriminel lufte. Po të shkohej sipas kësaj logjike, atëherë edhe ushtarët e Aleancës Antifashiste duhet t’i quajmë kriminel lufte?! Këta të fundit janë quajtur çlirimtarë! Pse çlirimtarët e Kosovës të quhen kriminelë?!!! Ky është absurditet i pashembullt në historinë e njerëzimit.

A ka më absurditet sesa çlirimtarët t’i quash kriminelë e ta kërkosh burgun për ta vërtet është guxim njerëzor? E në anën tjetër kriminelët që i kanë shërbyer me devotshmëri politikave të gjenocidit, që kurrë nuk janë distancuar nga ato politika të krimit të gjenocidit, pjesë e të cilave politika kanë qenë e mbase edhe kanë mbetur, t’i konsiderosh partner për dialog – është absurditet. Ketë po e them për disa arsyeje.

 E para, Serbia asnjëherë deri më tani nuk është shkëputur nga politikat luftënxitëse e të gjenocidit, politika që ishin të konstruktuara e të realizuara nga Beogradi zyrtar. Përkundrazi, drejtuesit e shtetit serb sot, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij gjenocidi, nuk e panë të nevojshme distancuan as edhe njëherë.

E dyta, i gjithë komunikimi i zyrtarëve të lartë serbë në raport me shqiptarët e Kosovën, në çdo rast, ka qenë e ka mbetur, në kornizat e shovinizmit të egër serb, të mitit të rremë serb, për Kosovën “zemër, djep e shpirt të Serbisë”. Bash mbi këto mashtrime mitike ata kanë ushtruar politikën e gjenocidit për zhdukjen e pjesërishme ose të tërësishme të shqiptarëve nga trojet e tyre të banuara denbabaden.

E treta, në vend që zyrtarët serbë të vinin në Republikën e Kosovës për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes serbëve të Kosovës si komunitet pakicë me shumicën shqiptare, ata vazhdojnë t’i përdorin serbët e Kosovës si “mish për top”, për rrënimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, pra për t’i vazhduar politikat e luftës e të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

Prandaj me kot mundohen disa qarqe edhe perëndimore që Vuçiqi e viçiqët pinjollë të Millosheviqit duhet ta dinë se djalli i djeshëm i politikës së gjenocidit serb nuk mund të bëhet dot engjëll i sotëm i demokracisë as në Serbi e as në rajon.

Sot, jo vetëm që nuk po bëhet kjo, por të gjitha energjitë e vendeve demokratike janë drejtuar me të gjithë makineritë e tyre mediale e diplomatike për të gjetur “fakte” të konstruktuara në Beograd dhe nga miqtë e regjimit serb të Milloshevoqit në Evropë, për t’i dënuar engjëjt e çlirimit të Kosovës të cilët ishin edhe aleatë të ero-atlantikëve për lirinë e çlirimin e Kosovës.  Engjëjve të çlirimit të Kosovës nuk mund t’ju vishen krimet e Serbisë gjenocidiste. Edhe nëse do të dënohet ndonjë luftëtar i lirisë, turpi do të bie mbi argatët e politikave të krimit e të gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar, mbi fëmijët, grat e qytetarët e moshës së tretë. Natyrisht, turpi do të bie mbi gjithë ata që iu nënshtruan diktatit despotik si dhe mbi ata që iu gëzuan dhe i gëzohen kësaj vepre antinjerëzore e anticivilizuese për sot a nesër.

Luftëtarët e Lirisë do të mbeten të tillë për jetë e mot!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …