Ndjej kënaqësi të veçantë, që me krijuat mundësinë dhe më dhatë rastin që në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në emrin tim t’iu uroj e t’ju përgëzoj për këtë nismë të guximshme, të mbarë e të lavdishme
Si shumë lëvizje kombëtare e ndërkombëtare që fillimisht janë shfaqur si “fantazma” më vonë janë bërë realitet i pakontestueshëm në jetën shoqërore. Kështu ndodhi edhe me UÇK-në. Filloi si një “fantazmë”. Nuk u deshtë të kalojë shumë kohë për tu bërë një realitet i padiskutueshëm në shoqërinë shqiptare. UÇK u bë një mit që besohej e s’besohej. Njerëzit bënin qindra kilometra për të parë ka apo s’ka UÇK. Miti lindi legjendën e vet, Legjendën e Jasharajve të Prekazit me në krye Adem Jasharin, Legjendarin e UÇK-së që ngriti e mori me vete qindra legjenda. Që ngriti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
UÇK sot është bërë ashtu siç e deshi Adem Jashari: të fortë, të profesionalizuar në fushëbetejat e luftës nga bijtë më të devotshëm të kombit, të masivizuar e të shtrirë në tërë Kosovën.
Kosova fillimvitin 1999 po e nis jo vetëm me UÇK-në e kalitur e të sprovuar në Llogoret e luftës për liri, por edhe me institucione autentike shtetërore e kulturore, që janë garanci se pozicioni i shqiptarëve do të jetë jo vetëm i avancuar por edhe i finalizuar. Më të mirat dëshmi janë edhe radio “Kosova e Lirë” agjencia “Kosova Press” që po e nisin punën sot me 4 janar 1999. Se epoka e UÇK-së do të jetë epoka e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës.
Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencia “Kosova Press” kanë për detyrë e qëllim për t’i dhënë zërin meritor pushkëve të lirisë, që me zë e shkrime të njoftojnë opinionin e brendshëm e të jashtëm për luftën e drejtë e çlirimtare të popullit e ushtrisë së tij, për t’i treguar sukseset e luftës, në Dukagjin, në Drenicë, Llap e të tj., për të bërë të njohur strategjinë tonë liridashëse.
Kjo punë që po nis sot është edhe një dëshmi tjetër se Ushtria Çlirimtare e Kosovës seriozisht e sinqerisht po lufton për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës. Se po shkon drejtë sendërtimit të aspiratës sonë kombëtare.
Kjo është edhe një fakt se UÇK djersen e mundin e bashkatdhetarëve nuk e derdh xhepave korruptues e minues të luftës, por e jep për ngritjen e institucioneve të luftës për liri e pavarësi të Kosovës.
Andaj bashkëkombës e bashkatdhetarë të nderuar, bashkohuni dhe ndihmoni Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, institucionin e luftës për liri – ardhmërinë tonë të përbashkët.
E gëzofshim Kosovën e Lirë!
Berishë, 4 janar 1999 Zëdhënësi : Jakup Krasniqi