E dëgjova me vëmendje drejtorin e shkarkuar të Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisorin, Agim Sopi dhe u pajtova me shumëçka që tha për teatrin dhe kulturën, por, një regjisor siç është ai, nuk ka guxuar të japë vlerësime politike, ndonëse, në asnjë formë nuk pajtohem më mënyrën sesi ai u largua nga pozita e drejtorit të TKK-së. Sigurisht që nuk ka pasur mundësi të ndodhë ndryshe, kur në krye të kulturës vihet një axhami dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh në Kosovë. Shumë vlerësime politike të ish-drejtorit mund edhe të qëndrojnë, por, pse ai paska heshtur kaq shumë sa ishte drejtor, e që priti të reagonte vetëm pasi të shkarkohej për të derdhur gjithë vrerin kundër komandantëve pa emra?! Nëse komandantët janë të pa emra, pse ky paska emrin Agim Sopi? Pse të mos jetë një komandant artist mjeran e pa emër?
Mllefi që shfaqi “artisti” në një emision televiziv nuk shpërfaqi vlera të pastra kulturore. Pse shpërtheu dhe shpërfaqi gjithë atë mllef? Dhe, a ishte mllefi i tij “artistik”? Ai, mbase,duke mos paragjykuar, duhet ta dijë më mirë, por, për mua gjuha e tij ishte shumë e përafërt me gjuhën e “komandantëve” që ai i akuzonte. Ai u shfaq si komandant i një kampi tjetër! Ndoshta, do të ishte mirë që Sopi ta shikojë esull emisionin e tije të reflektojë po ashtu esull. Do të dëshiroja të dëgjoja nga artisti argumente të fushës që ai do të duhej të zotëronte më së miri.
Atëherë, ç’më shtyri që t’i shkruaj këto radhë?
Më shtyri konstatimi i tij prej një idhnaku primitiv politik: “se lirinë e kemi dhuratë”! Nuk e di, nëse ish-drejtori i TKK-së, e di se ç’është dhurata? Për dhuratën një artist i mirëfilltë i fjalës artistike ka shkruar: “Dhuratën tjetrit ia marr për dhuratë – Nëse brenda saj nuk ka kamatë”. Jo, jo Liria e popullit tonë nuk është dhuratë, është rezultat i një lufte gati njëshekullore, të më shumë se tre brezave! Tre e më shumë breza që kanë kaluar mëse tre holokauste, përfshirë edhe gjenocidin e fundit (1998-1999). Për të cilën liri, populli ynë nga viti 1912-1999 ka mbajtur nëpër kazamatet serbe e jugosllave mbi 600 shekuj burg, janë flijuar mbi 80.000 njerëz, vetëm në luftën e fundit mbi 12.000, janë dhunuar mbi 20.000 femra shqiptare, janë vrarë mbi 2000 “komandantë” siç po i quan ai luftëtarët e lirisë! Dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut. Nga viti 1912/13 e deri me 1999, nga Kosova janë shpërngulur mbi 1.000.000 njerëz, rreth 2000 njerëzve të pa gjetur, që kanë emër e mbiemër nuk ju dihet as një shenjë e asnjë varr për ta, madje as sa për t’i qarë. A mund të quhet kjo DHURATË? Kësaj i thoni dhuratë ju artistët? Këtë nuk e kam menduar kurrë se do ta dëgjoj apo pres nga një artist, i cili duhej ta përjetësonte në art flijimin biblik të njerëzve tanë. Mohimin e Luftës Çlirimtare të popullit të tij, artisti këtë gabim nuk ka guxuar ta bëjë!
Po t’i referohesha gjuhës së këtij “artisti”, do të thosha: artistët nuk po e njohin luftën e popullit të vet! Po i mohojnë flijimet e kombit për liri, por edhe gatishmërinë e njerëzve për liri!Por, unë nuk guxoj e as nuk dua të bëj përgjithësime të tilla të paqëndrueshme, të pandershme e primitive, e të cilën gjë nuk ma lejon kultura arsimore dhe përgjegjësia intelektuale, pse jo edhe politike! Mbase kjo qasje e inteligjencies sonë ka bërë që as pas 20 vjetësh nuk kemi një vepër artistike a letrare meritore për gjithë ato flijime të dhimbshme e të lavdishme të kombit tonë.
Zoti Sopi, lexoje Viktor Hygonë dhe mëso se ç’thotë ai për Lavdinë! Po, ai thotë: “Lavdia ju shkon atyre që e meritojnë dhe se është tepër e kushtueshme”. Po, edhe liria ju shkon, atyre që e meritojnë dhe se liri pa gjak nuk ka!
Zoti “artist”, të gjithë popujt e Evropës në Luftën e Dytë Botërore janë çliruar me ndihmën ushtarake të më të fortëve, por asnjëri nuk ka deklaruar se Liria ju ka ardhur si dhuratë!
Mua dhe shumicës se qytetarëve të Kosovës, Liria nuk na është dhuruar nga askush. Madje edhe po t’na ishte ardhur Liria në rrugë pacifiste, nuk do ta konsideroja Dhuratë! I falënderojmë shumë të gjithë ata që na ndihmuan në finalizimin e saj!