Kushdo që përcjell komunikimin politik mes krerëve të partive politike (akademikë a doktorantë a fakulteteshe universitetesh në distancë) në Kosovë e sheh hidhnakërinë e liderëve që pretendojnë qeverisjen, sundimin e Kosovës për vitet në vazhdim.
Konkretisht, dje, më 30 gusht 2017, dy muaj e gjysmë pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, dhe pothuajse një muaj pas fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, komunikimi sa vjen e ashpërsohet. Kosova vazhdon të jetë me Kuvend të pakonstituuar e me Qeveri të mosbesuar. Ndërsa të sotmes dhe të ardhmes iu duhen institucionet e menjëhershme, imediate, për vendime të reja e të domosdoshme për zhvillimet tashmë tejet të vonuara, të pafalshme dhe pa asnjë arsye, që devalvojnë, zbehin, nëpërkëmbin shtetformimin aq të gjakuar nga brezat liridashës.
Shkurt, e ardhmja assesi të na bashkojë. Historisë të derisotme, ia bëjmë disi, se ajo di të falë, por e ardhmja nuk fal, sepse bëhemi të gjithë kurorëshkelës, kushtetutshkelës, bukëpërmbysës, të pabesë, hipokritë, shërbyes të dreqit e të birit!
Sepse, për çdo proces, koha është thesari më i paçmuar dhe përcaktues për kombin, shtetin, identitetin! A thua nuk na e dëshmon këtë historia?! E djeshme, e (pa)paragjykyar, e sotme, që po e shohim dhe po i (keq)kontribuojmë dhe e ardhmja, me ç’po rezulton, tejet e mjegullt!
Për të sotmen, këtë ditë, të njëjtit njerëz kur folën për të djeshmen aq të dhimbshme – siç është “fati”(edhe me fajin e bashkëbiseduesve në Bruksel!) i të pagjeturve, –në deklarime, u panë jo pak të bashkuar. Gjë e mirë, sigurisht, anipse, pa qenë të bashkuar për të sotshmën e të ardhmen e këtij vendi nuk mund të ndihmohen as familjarët e të pagjeturve e as të dihet fati i njerëzve të pagjetur. Ose, thënë më së buti, për të pagjeturit, “institucionalistëve” tanë u bjen ndërmend vetëm një ditë të vetme të vitit, edhe kjo në Ditën e të Pagjeturve.
Mbase, më mirë një ditë se hiç!
Së paku le të na bashkojë qoftë edhe deklarativisht historia e dhimbshme e të pagjeturve, pasi e “ardhmja”, tisi i saj i mjegullt, na ka bërë e po na bënë pikë e pesë. E dikush pikërisht në këtë ditë përpiqet ta përmirësojë gjithë jetën e tij kontroverse (kontestuese!), duke i bërë tokë të gjithë kundërshtarët jashtë e brendapartiakë! Madje edhe miqtëe tij të zemrës! Mjafton, që se paku ai të dalë i pastër si qimja prej tëlyeni! Duke harruar se deri dje ishte bashkë për interes “madhor”, me ata që sot për mëri “madhore”, vendin e ka lënë me një institucion kushtetues, të cilit i kanë dhënë fuqinë e mbretit mesjetar. Dhe në ketë rast ka harruar të cek sesi i korruptuan deputetet me terminale, poste ambasadoresh e gjera tjera të pa dukshme, por të mundshme, për të votuar një kundërshtar të madh politik për kryetar shteti (tani dikush nga ta e quajë edhe mbret)?!
Për cilin interes u bënë të gjitha ato marifete?
Kjo ka mbetur e pa shpjegueshme sot e gjithë ditën.
Sepse del tejet ironike dhe hipokrizi më vete që, derisa vendi, i të cilit para pak mujve ishte kryeqeveritar, pak ka rëndësi tani si po e lë apo si do ta lë… Interesi për kombin e shtetin ose është i përhershëm, ose nuk ekziston fare dhe si po duket nuk ka ekzistuar në asnjë kohë..
Por, siç po shihet dikujt i mjafton të jetë vet i “pastër”e të shndritës si “ari” i alkimistëve!