Emri i Jakup Krasniqit, është i radhitur në mesin e personaliteteve më të shquara të kombit, jo vetëm në politikë e në aktivitetin e tij atdhetar, por edhe në perceptimin dhe studimin me realizëm të të gjitha zhvillimeve e rrjedhave tona kombëtare, sidomos prej viti 1981 e deri në ditët tona, në të cilat ka qenë edhe subjekt me shumë rëndësi, veçmas në kohën e luftës, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, në shkurt mars të vitit 1999, ndërsa pas luftës pjesë e organizimit institucional të vendit, ministër, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, në dy mandate madje në kohën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të viti 2008, kryetari i Kosovës në detyrë për disa muaj sipas funksionit në krye të Kuvendit, aktualisht kryetar i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës.
Përveç detyrave me rëndësi në institucionet e vendit, Jakup Krasniqi është marrë dhe merret aktivisht edhe me studime shkencore, krijimtari publicistike, ndërsa në vitet e pas luftës ka arritur të botojë një varg veprash me interes për shkencën, politikën, publicistikën, ku ka lënë gjurmë me origjinalitet dhe pikëpamje të përparuara, të cilat e karakterizojnë tërë krijimtarinë e tij të begatshme studimore dhe publicistike.
Duke qenë për jetë i lidhur me fatin e kombit e Atdheut, një idealist i shkollës politike të Adem Demaçit dhe Lëvizjes Atdhetare të kohës e më vonë i shkollës ushtarake të Adem Jasharit, Jakup Krasniqi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avansimin e zgjerimin e idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit, gjithnjë i organizuar në segmente të caktuara të veprimtarisë atdhetare.
Në vitet 70-të të shekullit të kaluar ishte pjesë e Lëvizjes Atdhetare, e njohur si Lëvizje Ilegale me atributet e zakonshme të kohës, me përmbajtje të majtë politike, por në brendi me programin kombëtar të organizatave, që kishin synim krijimin e mekanizmave të rezistencës, gjithnjë në akord me kohën dhe mundësitë e veprimit qoftë legal apo edhe me organizime legale, shpeshherë me qellim të fshehjes së aktiviteti atdhetar, të cilin e përgjonte dhe e vëzhgonte aparati shtetëror jugosllav. Për atë aktivitet në vitin 1981 ka qenë i dënuar, fillimisht 14 vjet burg, ndërsa përfundimisht 15 vjet në grup së bashku me Hydajet Hysenin, Mehmet Hajrizin, Nezir Myrtajn, Gani Sylajn e të tjerë…
Segmente të krijimtarisë
Në dy librat e fundit në dorëshkrim: Për Shtetin e së Drejtës dhe Për Shtet me Sovranitet, Jakup Krasniqi ka arritur të analizojë dhe më pas të sintetizojë po thuajse të gjitha zhvillimet e rrjedhat politike në përgjithësi, veçmas ato në Kosovë, të cilat janë fokus i veçantë i interesimeve dhe preokupimeve të tij dhe që kanë të bëjnë me zhvillimet kryesore politike e diplomatike të vendit.
Duke qenë i pozicionuar drejt dhe i paluhatshëm në mbrojtje të interesit të kombit e Atdheut, Jakup Krasniqi kurdoherë ka mbajtur qëndrim kritik, politik e shoqëror, mbështetur mbi këtë bazë, duke e vënë interesin e kombit e Atdheut mbi interesin e tij, grupit apo partisë që mund t’ i ketë takuar në situata dhe rrethana të caktuara.
Kjo është edhe e veçanta e moralit të tij politik, meqë asnjëherë nuk ka bërë kompromis të dëmshëm për Çështjen me grupin apo klanet, të cilat e kanë parcializuar interesin e përgjithshëm dhe e kanë vënë nën interesin e partisë apo grupimeve brenda saj. Jakup Krasniqi nuk ka bërë pazare me të keqën, apo me atë që ka konsideruar se është e keqe dhe bie ndesh me parimet e qëndrime e tij në raport me realitetin e caktuar.
Largimi i tij nga PDK-ja, për të cilën kishte meritën kryesore në formimin, zgjerimin edhe konsolidimin e saj, u bë thjesht për shkaqe parimore, jo për pozitë, sepse ai edhe ashtu e kishte pozitën e të parit, por nuk pajtohej me rrjedhat e brendshme, të grupeve e klaneve, që kanë qenë dhe janë kancer i partive politike në Kosovë e më gjerë.
Pikërisht ky është pozicioni i palëkundur i Jakup Krasniqit, mbi të cilin ai ka shkruar dhe shkruan, ka analizuar dhe analizon realitetin objektiv, duke e mbrojtur me konsekuencë qëndrimin parimor që lidhet mbi principin e së vërtetës dhe së drejtës dhe që është parim universal i jetës së organizuar shoqërore e politike, në vendet me demokraci të përparuar.
Duke e konsideruar të drejtë qëndrimin e tij, dhe duke e faktuar e argumentuar atë qëndrim, ai prore kritikon dukuritë negative që shfaqen në shoqëri, në mungesë të pjekurisë politike, apo për interesa të caktuara të forcave politike.
Jakup Krasniqi nuk është kritik skematik që injoron dhe diskrediton kundërshtarin, por krahas kritikës së dobishme, ai prore tregon edhe rrugën që duhet ndjekur, gjithnjë në përpjekje për unifikim të qëndrimeve, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm të kombit e atdheut….
Si protagonist i njohur i jetës politike dhe institucionale, intelektual i formuar në kohë në rrjedhat më të rënda të jetës sonë shoqërore, politike e kombëtare, kuadër i shkolluar në të gjitha nivelet arsimore, profesor doktor i historisë, Jakup Krasniqi është personalitet i formësuar me kohën dhe për kohën, në kthesat e mëdha kombëtare, në të cilat ka qenë jo vetëm pjesë përbërëse sikur shumë të tjerë, por ishte në kreun e politikë-bërjes, veçmas nga fillimi i luftës së UÇK-së në vitin 1998 e deri tani.
I vetëdijshëm për rolin dhe kontributin që ka dhënë dhe ende jep për kombin e Atdheun, gjithnjë me shokë, me bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë, Jakup Krasniqi as për një çast nuk e ka pushuar veprimtarinë, kurrë nuk është dehur nga sukseset, edhe pse ato kanë qenë të shumta, meritore dhe në nivelet më të larta të hierarkisë së jetës së organizuar shoqërore, kurrë nuk ka pushuar të merret madje edhe me problemet të cilat dikujt i duhen të vogla për t’ u marrë seriozisht me to.
Në studimet dhe analizat e tij, në shkrimet të cilat i boton në shtypin dhe në mediet e vendit, Jakup Krasniqi, është analist kujdestar i trajtimit, qasjes dhe këndvështrimit të shumë prej problemeve shoqërore, politike, historike, kulturore, që kanë lënë dhe gati përditë lënë gjurmë në sinkroninë e diakroninë e jetës shqiptare dhe më gjerë. Në analizat, komentet, vështrimet e studimet e tij, ai ka pozicion fondamental, mbrojtjen e interesit kombëtar e shoqëror, pasqyrimin sa më realist të problemeve, analizën sa më të gjithanshme, pa paragjykime, pa patetikë e mendjemadhësi të pozitës shoqërore, sikur bëjnë disa të tjerë, pa mendjemadhësinë e politikanit të pretendon se i di të gjitha, por nuk resht së analizuari dhe komentuari thjesht, me gjuhën e fakteve lidhur me ngjarjet apo dukuritë të cilat i trajton.
Në parathënien e librit: Për Shtetin e së Drejtës, Jakup Krasniqi ka sqaruar: Mendimi im kritik nuk ka munguar asnjëherë në jetën time politike e sidomos para e as pas Luftës Çlirimtare. Idetë e mendimet e mija kritike kurrë nuk kanë qenë e as janë kritikë e inateve personale, me këtë apo atë politikan, por, kanë qenë dhe janë edhe sot e gjithë ditën kritikë me argumente e ide të qarta politike progresive. Kritikat e mia qëllimmira, e përsëris, nuk kanë munguar në asnjë kohë. Ato nuk mungojnë as sot. Kritikat që i kam bërë, nuk kanë mbetur vetëm kritika, por, gjithherë kam ofruar ide e mendime të shumta për zgjidhje njerëzore…
Duke kritikuar dhe duke fshikulluar e kamxhikosur politikanët poltronë e servilë, duke mbrojtur me konsekuencë parimet dhe qëndrimet e drejta, gjithnjë në interes të kombit e atdheut, duke mos bërë kurrë kompromise që dëmtojnë Çështjen, duke mos u pajtuar me qarqet që nuk ia duan të mirën vendit, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, Jakup Krasniqi ka trasuar rrugën e tij origjinale si në perceptimin dhe bërjen e politikës parimore ashtu edhe në studimet e shkrimet e tij, në të cilat gjerë e gjatë i ka manifestuar dhe i manifeston ato qëndrime e parime, në mënyrë profesionaliste, si gjithnjë me fakte e dëshmi, me argumente e qasje realiste.
Ai gjithnjë është angazhuar dhe angazhohet për ndërtimin e shtetit të së drejtës, të shtetit të zhvilluar, të shtetit solidar për të krijuar një perspektivë të qartë për njeriun e qytetarinë e kohës sonë. Për qytetarin që të jetë vetja e tij, me punën, me dijet e angazhimin e tij, për vetën e rrethin e tij.
Duke i qëndruar besnik parimeve bazë mbi të cilat ngrihet, ndërtohet dhe funksionin Shteti i së Drejtës, ai ka insistuar dhe insiston që në Kosovë të vendosen shtyllat bazike të Shtetit për qytetarët dhe jo për oligarkët e sundimtarët. Kjo filozofi e mendimit politik të tij rrjedhë në radhë të parë nga pozicioni ideologjik i Socialdemokracisë, e cila garanton zhvillimin dhe përparimin e Shtetit të së Drejtës, sepse vihet mbi bazën e lirisë e barazisë shoqërore, që është edhe parakusht për një zhvillim të drejtë shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Në mbrojtje të këtyre parimeve e përcaktimeve, Jakup Krasniqi në komentet, vështrimet dhe studimet e tij shpeshherë zbret deri në nivelin e iluministit dhe romantikut kombëtar, me qëllim për të krijuar unitet edhe mbi bazën e së kaluarës historike, me përpjekje për t’i aktualizuar vlerat e qëndrueshme kombëtare, të cilat i kanë përballuar shekujt e pushtimeve dhe janë treguar si vlera të qëndrueshme në kohë dhe hapësirë, sepse ato vlera unifikohen drejt së ardhmes së integruar kombëtare të një populli historik, i cili padrejtësisht jeton i ndarë në pesë shtete, por kurrë nuk ka pranuar tjetërsimin dhe zhveshjen e identitetit, apo shpërlarjen e kujtesës historike për hire të politikave të mujsharëve të botës.
Qëndrimi kurdoherë vertikal, i pamposhtur edhe atëherë kur iu ka rrezikuar jo vetën shëndeti por edhe jeta nëpër burgjet e ish RSFJ-së, pastaj në frontet e luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka marrë pjesë me krejt familjen, në misionet diplomatike, ku e kishte kërkuar koha dhe nevoja, në institucionet më të rëndësishme të shtetit të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka treguar me vepër se deri ku mund të arrijë kontributi dhe përkushtimi i njeriut të thjeshtë e të sinqertë, të dalë nga gjiri i popullit që arrin të bëhet protagonist me rëndësi madhore e meritore në kohën e caktuar, të zhvillimit historik, emancipues të një populli, në rrugën e tij drejt çlirimit, bashkimit dhe prosperitetit.
Në mënyrën më të padrejtë të mundshme, Jakup Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë së Gjykatës Speciale ndodhet në paraburgim, në Hagë
Dhe tani, në mënyrën më të padrejtë të mundshme, Jakup Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë së Gjykatës Speciale ndodhet në paraburgim, në Hagë, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, të akuzuar gjoja për “Ndërmarrje e veprime kriminale” gjatë luftës. ( Aktualisht në paraburgim ndodhen edhe ish eprorët dhe luftëtarët e UÇK-së, Salih Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj).
Mbajtja e Jakup Krasniqit dhe e eprorëve të tjerë të UÇK-së në paraburgim, të akuzuar gjoja për krime lufte është një shkelje e rëndë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe, për shkelje të tilla kanë reaguar, Eliot Engell, Malcolm Simmons, Viliam Voker e autoritete të tjera ndërkombëtare, sepse po shihet qartë se një segment pro serb në BE dhe në mekanizmat politike vendimmarrëse të Evropës, fatkeqësisht edhe të një segmenti politik brenda Kosovës, mbajnë anën e Serbisë, edhe pse dihet mirë se këto shtete të Evropës në krye me NATO-n, Amerikën e Anglinë, prej 24 mars e deri më 10 qershor të vitit 1999 kishin bombarduar Jugosllavinë e Millosheviqit për krimet, gjenocidin dhe dëbimin masiv të popullatës shqiptare nga vendi i tyre. Bombardimi kishte sjellë edhe kapitullimin e regjimit më fashist serb të Millosheviqit, që ka pasur Evropa, pas Adolf Hitlerit.
Jakup Krasniqi dhe krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm dhe do të lirohen nga akuzuat, sikur ishin liruar më parë nga Gjykata e Hagës, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e të tjerë, por drejtësisë ndërkombëtare do t’ i mbetet një njollë e zezë më shumë, e cila nuk do të shlyhet kurrë, ashtu sikur nuk janë shlyer as harruar djegiet në turrën e druve të mendimtarëve të Renesansës nga Evropa e kohës, djegia në turrë të druve e Zhanë d’ Arkut e Xhordano Brunos, ashtu sikur nuk është harruar Inkuizicioni, njolla më e pashlyeshme e Evropës Plakë, së bashku me Fashizmin e Adolf Hitlerit, Benito Musolinit dhe Françisko Frankos.
Megjithatë, bota dhe e drejta lëvizin…
Drejtësia mënon, por nuk harron…
Ahmet Qeriqi
Prill 2021
Prishtinë