Jakup Krasniqi

Krasniqi: Katër polici sekrete, secila më kriminale se tjetra

Në jetën time politike mbi dyzet vjeçare, i përjetova në forma të ndryshme sulmet e katër policive sekrete të nëntokës. E para ishte UDB-a serbe-jugosllave. Arsyeja e të parës ishte pse u anëtarësova në organizata të fshehta për të vazhduar e përhapur idenë e çlirimit e të bashkimit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të zi më Nënën Shqipëri. UDB-ashet na quajtën më epitete të ndryshme si: “nacionalistë, irredentistë, shovinistë, armiq të socializmit e vëllazërim – bashkimit e epitete të tjera. Për këto akuza, banditët jugosllav dhe bashkëpunëtoret e tyre shqiptarë me dënuan dy herë (siç dënuan edhe shumë shqiptarë të tjerë), herën e parë në gusht të vitit 1981  (14 vjet) dhe një vit më vonë (1982), ma shqiptuan dënimin prej 15 viteve, nga të cilat i mbajta mbi 10 vjet burg.

Sulmin e dytë, e pata nga Shërbimi Sekret i LDK-së (i edukuar dhe i specializuar nga UDB-ja jugosllave). Po pse bëheshin këto akuza dhe kur filluan?

Vërtetë është vështirë të thuhet pse bëheshin këto akuza. Akuzat serbe bëheshin kundër lirisë e çlirimit tonë. Po pse bëheshin këto të UDB-ës së LDK-së? Këta me akuzonin pse kisha marrë guximin pa e pyetur sulltanin e LDK-së, që t’i merrnim në duar armët për çlirimin e Atdheut. Këta e mohonin prezencën time në Malet e Kosovës e më qitnin shpesh në Shqipëri ku” kisha marrë ndonjë thikë prapa shpine”. Shpesh me nxirrnin në Evropë në ketë e atë qytet, madje ma “shëtitnin nëpër Evropë me një Mercedes Benc të zi, djalin tim”, e që aso kohe ishte vetëm katër vjeçar. E lloj – lloj akuza të tilla që përhapte nëntoka e LDK-së. Ketë propagandë të ndytë nuk e pushuan as pas Luftës Çlirimtare, gjithnjë me qëllimin për të madhëruar e himnizuar politikën e nënshtrimit të kreut të LDK-së?! Dallimi në mes kësaj të dytës më atë  të paren ishte, se kjo nuk pati mundësi të me dërgonte në ndonjë burg. Por, gënjeshtrat e kësaj të fundit ishin më të paskrupullta sesa ato të UDB-ës?!

Sulmin e tretë, më të sofistikuar dhe banal e mora nga Shërbimi Sekret i PDK-së, kuptohet i intensifikuar pas largimit tim nga kjo parti edhe pse ai kishte filluar edhe para “aferës Pronto”, por që u intensifikuar pas kësaj duke i shfrytëzuar mediat, portalet dhe rrjetet e ndryshme sociale. Dirigjimi i kësaj fushate të egër vinte nga kreu i saj, Thaçi. Ky sulm me lloj-lloj gënjeshtrash, sharjesh e denigrimesh përveç rrjeteve sociale e portaleve të ndryshme, vazhdonte edhe gojë më gojë, kudo ku arrinte, nuk kurseheshin as njerëzit e afertë të cilët josheshin më oferta të ndryshme financiare e të punësimit, krejt kjo bëhej që të me lenin “si peshkun në zall” dhe deri diku ia arritën qëllimit, por jo aq sa deshën. Për të me mundur, në Drenicë e në fshatin tim derdhen para të shumta, mashtruan me vende të shumta pune e gënjeshtra të tjera, për të thënë: “Ja ketë (Jakupin) nuk e mbështesin as në fshatin e tij”. Ndonëse angazhimi im politik ishte bërë për komb e atdhe e jo për ndonjë fshat a komunë të veçantë! Ana më negative e kësaj fushate ishin: sharjet e fyerjet më primitive të mundshme, gjë që nuk i kisha dëgjuar as nga dy UDB-të e para. Përgatitjet e tyre ishin më të avancuara sesa ato të Serbisë e të LDK-së, të avancuara për ligësi, shpifje e sharje. Diçka nga ato e dinë edhe opinioni publik. Dhe këto i bënin kundër meje, ani pse isha themeluesi dhe organizatori kryesor i PDK-së?! Dhe ata i mbanin familjet e tyre, po nga ajo PDK që kisha investuar shumë.

Tani, në radhë është sulmi i katërt i një lufte tjetër speciale. Ai sulm po vjen nga individë të VV-së, sidomos pas ikjes nga NISMA të Xhevat Bislimit (i cili u ushqye për dy vjet nga Nisma e punoj kundër saj pa pushuar), i cili duhet të jetë i koordinuar nga “specialci” i këtyre gjerave të liga, Dardan Mulliqi i VV-së dhe kisha dëshiruar që gjithçka të mbetej brenda këtij numri. Kulmi i luftës së këtyre të fundit që është intensifikuar, pas një takimi të rastësishëm që patëm në një koktej të organizuar nga Zyra e BE-së në Hotelin Sviss Diamand, me Hashim Thaçin i cili erdhi në tryezën tonë, natyrisht i pa ftuar. Këta e shfrytëzuan ketë takim për të më linçuar, sikur unë të isha kthyer në gjirin e Thaçit e të PDK-së? Po të doja, do të kthehesha pa i marrë leje askujt! Jam i bindur se këta njerëz -hijena, janë shumë herë me të gatshëm të hynë në gjirin e PDK-së që ka degraduar gjithçka në jetën tonë politike e institucionale! Këta njerëz të sëmur pas pushteti, nuk i pengon takimi im më Thaçin ashtu si u bë dinakërisht, por i pengon këmbëngulësia e autoriteti im i ndërtuar kujdesshëm për më shumë se 40 vjet për të qenë në shërbim të kombit e të atdheut. Por, edhe për faktin se po donë të shiten si opozitarët e vetëm në Kosovë. Nëse kështu na qenka opozita, me gënjeshtra e mashtrime, vaj halli për Kosovën kush paska mbetur opozitar?!

Ne e kishim një luftë çlirimtare, por ku ishin këta trimoshë kur luftohej për jetë a vdekje në qytetet e fshatrat, në fushat e malet e Kosovës? Atëherë ata e kishin moshën më të përshtatshme sesa unë për të luftuar! Ku e kishin futur kokën atëherë këta hardhuca të pa gjak? Në zallin e cilit det e kishin futur kokën? Pse nuk ua mësynë çetave të lirisë e të bashkimit kombëtar atëherë kur ishte koha për luftë? Apo donë të na thonë se me ata fillon e mbaron historia e shqiptarëve? Këtyre tipave psikopat, nuk ju duhen aleatë që dinë të mendojnë me kokë të vet, por njerëz që i pranojnë urdhrat e tyre verbërisht, si kuadrot e “reja” të zhveshura nga çdo dinjitet e integritet. Ata gënjeshtarë, shpifës ordiner, po menduakan se unë duhet që t’ju marrë leje se më ke do rri e do të bisedoj?! Këta njerëz, që pa asnjë fije pushteti sillen në ketë mënyrë, si do të silleshin duke qenë në pushtet?! Kjo propagandë e tyre, pas një takimi të rastësishëm, është propagandë e tipit gebellsian! Një propagandë e tillë, e njerëzve të pa pushtet, duhet të jetë e frikshme për çdo njeri normal! Si do të silleshin po të kishin pushtet?!

Unë, nuk kam frikë nga cerberët e tillë, se me diçka të tillë nuk është hera e parë që përballem, për ketë farë të keqe jam më se imun. Por kjo logjikë e të vepruarit nuk duhet të gjejë në mesin tonë as kohë e as hapësirë veprimi. Njerëzimi dhe ne shqiptarët, ketë politikë e kemi kaluar para dekadash, prandaj ketë frymë “shpëtimtare” duhet mbyllur në kafaz?! Nga kjo frymë banditësh, kombit dhe atdheut nuk mund t’i vije asnjë e më asnjë e mirë, veç riciklimit të fatkeqësive?! Ky popull nuk ka nevojë për fatkeqësi të reja e as për “çlirimtarë“ të rinj e psikopatë!

Unë ndjehem mirë që kontribuova në PDK-në. Nuk kontribuova që Thaçi të sillej si monark. E kundërshtova dhe për atë, si mora leje askujt! As Dardanit e Xhevatit e sojit të tyre! Thaçi, vendit e popullit i krijoj shumë vështirësi e probleme, por asnjëherë me miratimin tim. Natyrisht, që nuk ndjehem aspak mirë që gati u gabova për t’u bërë bashkë me ata që nuk njohin asnjë vlerë kombëtare të krijuar nder shekuj e vite, veç demagogjisë nacionaliste të tyre. Ata nuk kanë e as njohin asnjë mirëkuptim a kulturë njerëzore. Jam më se i lumtur që mësimi i parë i marrë në PDK, nuk me lejoj ta bëja të dytin, se nuk do të kisha kohë që ta korrigjoja.

E shfrytëzoj ketë rast që t’ua tërheq vërejtjen njerëzve të mirë, vajzave e djemve të rinj, të mashtruar nga propaganda gebellsiane e këtyre tipave, të distancohen e largohen nga njerëzit e tillë të cilët gënjeshtrën e denigrimin e njerëzve dhe të bashkëpunëtorëve e bashkëluftëtarëve e kanë “parim”! Këta njerëz, janë si hajni që të “hynë në shtëpi e të bëjnë vishkull”! Kujdes nga ta!!! VV-ja duhet t’i tregoj opinionit a i mbështet këta njerëz që pikëpamjet e tyre i përhapin përmes portalit “bashkimi kombëtar” apo është metodë e tyre e punës?! “Bashkim i fortë kombëtar” apo jo?!

Sinqerisht ndjehem shumë i lehtësuar pse u lirova nga kjo farë e keqe!

 

Jakup Krasniqi:Rruga e dekomracisë në Kosovë

Demokracia në Kosovë e ka parahistorinë dhe historinë e saj. Parahistoria e saj në kuptimin e pluralizmit politik fillon në fillim të viteve të ’90, atëherë kur edhe federata jugosllave po shkëputej nga sistemi monist. Ndonëse nuk munguan përpjekjet ndërkombëtare për ta ruajtur atë federatë?! Kjo shkëputje nuk ishte aspak e lehtë, shkëputja u bë më dhimbje të mëdha për shumicën e popujve të asaj federate, atë fat e pat edhe Kosova dhe qytetarët e saj.

Periudha e viteve 1990/1999, ishin vitet më të renda të pas Luftës së Dytë Botërore, vite kur ne shqiptarët ishim të dëbuar nga jeta institucionale, publike, arsimore, shëndetësore, jetonim në një terr informativ, duke qenë të dëbuar jo vetëm nga e drejta për punë, por edhe e drejta për jetë të dinjitetshme e të drejta elementare për liritë njerëzore. Në rrethana të tilla, të një aparthejdi klasik, liderët politikë pretendonin të ndërtonin një lloj “demokracie”, ndonëse, çdo pore e jetës zhvillohej nën çizmen e rendë të policit, administratorit, tagrambledhësit e UDB-ve serb. Kjo përpjekje bëhej për dy arsyeje:

E para, pse kishte iluzione nga një grup i njerëzve se edhe në Kosovën e robëruar kishin shpresë e iluzione se të tjerët do ta detyronin Serbinë që të hiqte dorë nga dhuna dhe se liria do të na vinte si shpërblim për rezistencën paqësore?!

E dyta, ishte zgjedhur rruga paqësore (Gandiste, siç preferonin ta quanin disa), por kjo rrugë sipas Volgan Petriqit (Wolfgang Petritsch) e Robert Piqler (Robert Pichler), “nuk bazohej mbi vlera pacifiste, siç është pohuar shpeshherë në mënyrë të gabuar.” Po këta më poshtë do të thonë: “… me shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), karakteri i qëndresës shqiptare ndryshoi menjëherë”1. Nga fundi i shekullit e sidomos pas Konferencës së Dejtonit, u pa  e qartë se duhej ecur në rrugën e Kroacisë e të Bosnjës e Hercegovinës. Për atë rrugë u përcaktua Lëvizja Klandestine Kombëtare. Tani më nuk ka dyshim, ketë hop të domosdoshëm e bëri LPK-ja – themeluesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Nga kjo del se, krijimi i realitetit të ri nga UÇK-ja, jo vetëm që i hapi rrugë lirisë e pavarësisë së Kosovës, por edhe pluralizmit demokratik. Pra demokracia në Kosovë, mund të thuhet se nis rrugëtimin e saj të lirë vetëm pas çlirimit, në qershorin e vitit 1999. Duhet ta pranojmë, edhe “Demokracia” e këtyre viteve në Kosovë ishte demokraci tarake! Krejt halli i sotëm është si të shkëputemi nga kjo rrugë! A mund të ndryshohet kjo rrugë vetëm duke u rreshtuar pas emra individësh? Rrugët e tilla të çojnë kudo tjetër, vetëm jo në Demokracinë e pretenduar të vlerave perëndimore!

Nga atëherë deri më sot kanë kaluar gati 17 vjet të plota, është krijuar një ambient politik për zhvillim të pluralizmit politik demokratik, por shpesh të improvizuar e të papërfunduar. Ndodhi kështu se rreshtimi i njerëzve në parti politike asnjëherë nuk u bë mbi bazën e ideologjive politike e programeve politike e zhvillimore të partive politike, por, duke ndjekur emra njerëzish. Vrapimi pas emra njerëzish (është mentalitet goxha komunist), njësha apo dysha, të rinj apo të vjetër, nuk e zhvilloi demokracinë, përkundrazi e ngulfati atë, debatin demokratik, konkurrencën e ideve e të programeve ideologjike e zhvillimore. Një gjë dihet sheshazi, demokracia ka vështirësi ndërtimi e zhvillimi aty ku flitet me fotografi arkivash apo aty ku fotografitë bëhen lajm?!

Konsideroj se politikanët demokratë, intelektualët e qytetarët e Kosovës, gra e burra, vajza e djem duhet të shkëputën njëherë e mirë nga praktikat e deri tashme, të vrapimit symbyllazi pas njerëzve, të ri apo të vjetër qofshin, ata duhet të ecin pas partive ideologjike dhe programeve të tyre politike e zhvillimore. Vetëm atëherë kur do të kemi parti politike ideologjike, me programe ekonomike e zhvillimore, me programe për ndërtimin e shtetit të së drejtës, që garantojnë ndërprerjen e qeverisjes së keqe, ndërprerjen e sundimit të të “fortëve” dhe hapin perspektivën e zhvillimit e të progresit shoqëror, mund të besojmë se kemi zgjedhur rrugën e duhur të Demokracisë.

Vetëm atëherë kur qytetarët tanë, të rinj e të vjetër bashkohen e votojnë për partitë ideologjike që u besojnë, programeve ekonomike që ato u ofrojnë, mund të themi se në Republikën e Kosovës po fillon epoka e sistemit demokratik pluralist dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Ndërtimin e shtetit të dijes e të zhvillimit, i shtetit që hapë perspektivë për qytetarët e jo për sundimtarët despotë, siç është bërë deri më tani. Është obligimi ynë si politikanë, intelektualë a qytetarë, gra e burra, djem e vajza që të ndërtojmë shtetin demokratik të së drejtës. Ketë duhet ta bëjmë në nderim të atyre që na e dhanë ketë mundësi edhe duke u flijuar, ndërsa e kemi obligim, për të sotmen e të ardhmen e kombit e të atdheut!

1 . Wolfgang Petritsch& Robert Pichler: Rruga e gjatë e luftës – Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare 1989-1999, Koha, Prishtinë 2002, faqe65.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …