Që nga koha e Kryeministrit Thaçi (legjislatura e katërt) dhe tani e Isa Mustafës (legjislatura e pestë), e deri me sot kemi pasur raste e raste të dëgjojmë deklarata shumë shpresëdhënëse se: “Serbia de facto e ka njohur Pavarësinë e Kosovës”. Kjo frazë boshe jo pak herë është thënë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nga Kryeministra, ministra e deputet të koalicionit, por njohja nuk po shihet në horizont?!
Në Kuvend dhe jashtë tij shpesh është dëgjuar se: “Fusnota do të shkrihet si fjollë bore”, thoshte Zëvendëskryeministrja Tahiri?! Shkuan muaj e po shkojnë vite, ajo dreq fjolle nuk u shkri, është ngurtësuar e bërë guri (sikur t’i kishte ngurtësuar Zana e Malit) që nuk e shkrin as 35 gradët e celsiusit të muajt korrik e gusht vitit të shkuar?!
Pastaj thanë se: “Serbia nuk do e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”. Po Serbia dhe miqtë e saj lobuan fuqishëm për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e ma pas as ne Gjykatën e Arbitrazhit.
Ne te dy rastet nuk i patëm me vete as miqtë e Kosovës!
Para sa kohe nuk nguruan se thëni sa e sa herë se “do hiqet barrikada mbi lumin Iber”. Ndërsa barrikada po lulëzon mbi lum.
Thanë se “do te integrohet veriu i Kosovës”, e çintegrimi u shtri edhe në pjesët tjera të Kosovës. Thanë se “do të shuhen (shpërbehen) rojet e urës”, para pak dite ata u bënë zyrtarë te qeverisë së Kosovës.
Nuk po dihet bash mirë se kush ku është ka integrohet?!
E thënia më skandaloze është kjo, se “Marrëveshjet e Brukselit e 25 gushtit 2015 është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”?!
Pas veprimeve të opozitës gaz lotsjellës dhe protesta, Gjykata Kushtetuese konfirmoi jo më pak se 23 shkelje. Tani po thonë se “nuk do të shkojmë në Bruksel”, për çka nuk mund t’iu besojë askush. Thanë se edhe do të japin përgjegjësi, nëse nuk është në përputhje me kushtetutën?! Edhe kësaj radhe i hëngrën fjalët e veta?!
Ndoshta do të jetë hera e fundit?!
Le të shpresojmë, pasi shpresa vdes e fundit!
Xhevahiri i fundit dhe më i riu vjen nga zonja Tahiri: “zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në Kosovë”?! Kjo është si ajo thënia se: “zyrtarët serb nuk do të hyjnë pa leje e qeverisë sonë në Kosovë”. Ndërsa ata hynin e dilnin, “si në bahçe të babës”. A ka mbetur akoma ndonjë njeri në Kosovën tonë që mund t’ju beso këtyre qeveritarëve mashtrues?!
Ndërsa, po dje, sipas medieve, Gjuriqi tha: “Ne, nuk do të pranojmë t’i ndryshojmë marrëveshjet për të cilat jemi marrë vesh”. Nëse mund t’i besohet këtij zyrtari të qeverisë serbe, po i bie që pala serbe dhe e Kosovës në Bruksel, janë marrë vesh edhe për Statutin e komunave serbe (pala jonë po thotë me shumicë serbe?!) Kush këtu po gënjen? Siç po shihet nga kjo që u tha, gënjeshtarët po dihen. Vërtetë!!! nuk është hartuar Statuti i Zajednices? Apo kush do ta hartojë atë? Janë këto pyetje që kërkojnë përgjigje nga Kryeministri dhe Ministria e Dialogut.
Sipas kësaj që u tha më lartë po del se ne, qytetarët e Kosovës, jemi te detyruar t’i përkthejmë deklarimet e qeveritarëve të tashëm të Kosovës. Kur ata të thonë Jo, ne ta përkthejmë në, Po dhe e kundërta. Përveç kësaj, kur këta qeveritarë, thirren në patriotizëm, duhet të frikësohemi, se ndonjë dem i mëdha do t’i ndodh vendit?! Se paku kështu ishte deri më tani! Secilën paudhësi e mbuluan me patriotizmin e zjarrtë!
Kur kihen parasysh këto që u thanë e ato që nuk u thanë për deklarimet e thëna e të pa mbajtura, të bëra e të pabëra, del se këtyre qeveritarëve, duhet t’u mbahet një kurs tre vjeçar, sesi duhet komunikuar me opinionin publik, sesi ata duhet të thonë me kujdes çdo fjalë, se fjalët e mëdha nuk duhet thënë pa kapërcyer pengesën, se Po-ja duhet të jetë vetëm Po. Madje në shqiptarët tradicionalisht jemi të njohur si mbajtës të fjalës së dhënë, që ndryshe i themi – Besë. Pasi këta po “dëshirojnë” t’na integrojnë në BE, le të na çojnë me Besën tonë atje që mos të na zhveshin nga vlerat tona tradicionale.
Pra, mbi të gjitha, këta zyrtarë duhet ta ruajnë traditën tonë kombëtare që: Po-ja të jetë Po dhe Jo-ja të jetë Jo. Se deri me tani nuk kanë treguar se ia dinë peshën fjalës së thënë e as të dhënë. Shkurt, fjalët e tyre janë të pa karar! E punët e tyre a mund të kenë karar?