Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kosova nuk mund t’ia plotësojë dëshirat Serbisë. Përmes një shkrimi, Krasniqi thekson se një territor gati sa ky i Kosovës së sotme ka mbetur në Serbi, dhe Kosova e shqiptarët, sipas tij, as edhe njëherë nuk ia kanë arritur që t’i normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë. Më tej ka thënë se nëse Kosovës i merret një pjesë dhe ajo i bashkohet Serbisë, kjo është kthim para marsit 1999. “Po të kishte krijuar shteti i Kosovës, Prokurori të shtetit, do të duhej të shpallte fletarrestim për të gjithë ata që janë vërë në shërbim të politikave shoviniste serbe! Dhe ketë farë të keqe e has si në politikë e po ashtu edhe në medie si zëdhënës të politikës e madje edhe në një pjesë të shoqërisë civile”, thotë Krasniqi. Sipas tij, është koha e fundit që institucionet e shtetit, të cilët i ngarkon Kushtetuta për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, të vihen në mbrojtje të Republikës.
