Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se reagimet politike para takimit të Berlinit janë reagime koti, sidomos të atyre që mbajnë përgjegjësin e rihapjes së bisedimeve politike për statusin e Kosovës. Ata që në vitin 2012 që heshtën ose ua dhanë vizën bisedimeve të reja politike me Serbinë pa asnjë kundërshti, nuk e di sa kanë të drejtë morale ta hedhin fajin kudo tjetër jashtë politikës sonë. Ata, që të gjithë duhet ta dinë, se vendit dhe proceseve politike ia kanë shkaktuar një dëm tepër të madh?! Fillimi i bisedimeve politike në Bruksel me Serbinë, me një lehtësi marramendëse dhe pa asnjë arsye, e kanë rihapur pa asnjë debat statusin politik të Kosovës.
Të gjithë e dimë se statusin politik të Kosovës është zgjedhur me një varg aktesh e dokumentesh të rëndësishme ndërkombëtare. Fillimi ka nisur, sidomos më Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pastaj me Kornizën Kushtetuese, me vonë me Deklaratën e GK të 31 janarit 2006 e cila Deklaratë i patë kornizuar bisedimet e Vjenës nga të cilat bisedime derivoj Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës. Finalizimi i statusit përfundimtar të Kosovës u bë me aktin e shpalljes se Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Pas Pavarësisë, Serbia u ankua në GjND dhe kjo e fundit më 20 korrik 2010 e sjell vendimin se Pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. Kjo përgjigje ishte kulmi edhe ndërkombëtar i cili e mbyllte Pavarësinë e Kosovës. Pas këtij vendimi edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me një Rezolutë kishte kërkuar vazhdimin e bisedimeve teknike (jo politike) nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar. Madje rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi obligative. Çka do të thotë se Kosovën me asgjë nuk ka qenë e obliguar që të fillonte as bisedimet teknike se jo më politike. Reagimet e sotme politike që i pamë në medie para takimit të Berlinit, të atyre që e mbajnë përgjegjësin e rihapjes të bisedimeve politike për statusin e Kosovës, thënë më se buti, “janë si kofini pas të vjelave”!
Herët është dashur të mendohet politikisht e kombëtarisht!
“Ata që në vitin 2012 që heshtën ose ua dhanë vizën bisedimeve të reja politike me Serbinë pa asnjë kundërshti, nuk e di sa kanë të drejtë morale ta hedhin fajin kudo tjetër jashtë politikës sonë”, ka shkruar, Jakup Krasniqi.