Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Ku e kanë vendin mashtruesit e shekullit

Ata të cilët me vëmendje përcjellin zhvillimet politike në Kosovë, mashtrimet politike, lojën e fjalëve, cektësinë e mendimeve të disa “intelektualëve” e “analistëve”, të qytetarëve që mendojnë vetëm për mbijetesë apo vetëm për ikje, nuk ke sesi të mos bërtasin: Sa lehtë sundohet në këtë vend ky popull, i cili duke jetuar gjatë, tepër gjatë në robëri nuk e ka idenë sesi duket e as ç’është LIRIA në kuptimin e plotë të fjalës! Në këtë vend ku liderët politikë i shkojnë pas turmës për një votë, të cilës masë duhet t’i dalin në ballë me oferta programore e ideologjike, ku shumë intelektualë janë shndërruar në tellallë të sundimtarëve despotë, e një pjesë e pushtetit të katërt me të madhe ka tradhtuar opinionin publik për hesape xhepi.

Këtu, sot e gjithë ditën shohim disa “intelektualë” që defilojnë para kamerave, si piper të të gjitha gjellëve, për t’ju thurë lavde mashtruesve që dinë të dredhin e të zhdredhin (si Thaçi me ligjin për ushtrinë dhe jo vetëm për ushtrinë), si t’ua dojë qejfi, në vend që “mendjet e ndritura” të ngrehin zërin lart për kaosin politik të shkaktuar nga mediokriteti i shpërfaqur i sundimtarëve, që nuk dinë të skuqen për mjerimin që e kanë mbjellë në shoqërinë shqiptare. Para intelektualëve heshtakë, siç do të thoshte Noli feridët përditë faqe ndërrojnë, brenda dite njëherë shajnë e pastaj kthehen e lavdërojnë! Zanate të liga kombit janë duke u lënë qeveritarët tanë !

Këtu, “ekspertët” u bien para këmbëve politikanëve anipse të gjithë e kanë parë sesi ky vend është qeverisur që një dekadë dhe të gjorët ekspertë presin ndryshimin nga ai apo ata që duhej ta kishin sjellë ndryshimin e premtuar para e pas “misionit të ri”! A thua ende ka ekspertë apo intelektualë që pas dështimit e mashtrimit të “misionit të ri”, guxojnë të presin ndonjë fat tjetër nga “fillimi i ri”? Me këtë nënshtrim të pa kusht, në vendin tonë nuk do të ketë “fillim të ri”! “Fillimi i ri” kërkon njerëz me dije e kulturë, njerëz që kanë ndjesi e përgjegjësi publike!

Këtu, pushtetarët mediokër bëjnë marrëveshje jotransparente me armikun shekullor, më shumë se të dëmshme deri aty sa vejnë në dyshim pavarësinë e sovranitetin e shtetit me një fusnotë, duke bërë hap prapa nga pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008. A ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të globit tonë diçka e ngjashme? Pa dyshim që jo!

Këtu, ku qeveritarët këmbëngulin të falin mbi 8200 hektarë të territorit një vendi tjetër e gjithë pjesa tjetër kundërshton, përfshirë edhe pjesëtë mëdha të partive qeverisëse, mbetet vetëm një rrugëzgjidhje dhe ajo rrugë është: zgjedhjet e lira të parakohshme.

Kush nuk e sheh këtë domosdoshmëri, është më shumë se i verbër!

Kudo qoftë po të bëheshin gabime të tilla kardinale për kombin e shtetin, siç janë bërë në 5-6 vjetët e fundit në vendin tonë, qytetarët do të kërkonin llogari, intelektualët do të viheshin në mbrojtje të interesave të kombit e të shtetit, do të kërkonin zgjedhje për të vendosur sovrani me vullnetin e tij! Zgjedhje që do t’ua tregonin vendin mashtruesve të shekullit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …