Jakup Krasniqi: Ku qëndrojnë dështimet tona?

          Dështimet tona qëndrojnë në vendimet e nënshkrimet e gabuara. Çdo dështim është baras me: tërësinë e vendimeve te gabueshme. Kjo do të thotë se, kudo e kurdo tërësia e vendimeve të gabueshme e ka vetëm një rezultat – Mos suksesin, dështimin. Mossuksesi ynë  është rezultat i vendimeve dhe i nënshkrimeve të gabueshme që i bënë qeveritarët tanë në Bruksel!

Qeveritarët gabuan edhe kur morën vendimin për të qeverisur keq. Gabuan edhe kur ekonominë dhe zhvillimin ekonomik ua lan në duar njerëzve pa asnjë përvojë jetësorë e qeverisëse!

Dështuam si shtet, se privatizimin ua lamë në duar atyre që më së paku duhej tua lenim! Nuk vepruam më mirë as me arsimin e shëndetësinë e segmentet e tjerë vital të shtetit!

Dështuam pse dashurinë për kombin e kthyem ekskluzivisht në dashuri për paranë! Dhe kjo pati shtrirje të gjerë shoqërore!

Idenë e luftëtarit të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës e degraduam deri në skajshmëri me veteranët e rrejshëm të luftës! Edhe me ata që luftën e panë në ekranet televizive! Me ketë mashtrim, Kryevlerës kombëtare i kemi dhënë goditje rrënuese!

 

Çka kërkon suksesi?

 

         Cilido sukses, në akëcilën fushë të jetës, është rezultat dhe vetëm rezultat i tërësisë së vendimeve të drejta. Pra kudo ku ka sukses, ai ka dalë si rezultat i vendimeve të drejta, i vendimeve të menduara e të planifikuara mirë e mirë dhe drejtë!

Suksesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte në vendimin e drejtë për të luftuar për liri e çlirim. Ky ishte vendimi vizionar i brezave i avancuar nga Adem legjendari! Ishte vendimi i Adem Jasharit ajo “ora yll” që lirisë sonë e jetës sonë i dha kuptim! Lë të krenohet secili që ishte pjesë e asaj ore!

Le të krenohen dhe le të krenohen shumë të gjithë ata ishin pjesë e asaj Ore të madhe të historisë, më shumë se me çdo orë tjetër të jetës së tyre!

Pas lufta, le të jetë turpi i atyre që kanë emër të përveçëm e jo kryevepra e UÇK-së, Çlirimi, Liria e Pavarësia! Ushtria Çlirimtare e Kosovës më pjesëtarët e saj të devotshëm, të renë apo të gjallë njohin e do të njohin vetëm nderin e lavdinë! Ajo kohë nuk mban përgjegjësi për një kohe tjetër. E cila kohë i ka “heronjtë” e vet te zi të  të gjitha ngjyrave?!

Tani koha është e një tjetër vendimi të drejtë të qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre për t’i dhënë udhë shtetit të së drejtës! A do të kemi fat të jemi pjesë e këtij vendimi të drejtë? Besoj që do të jemi!

Ndryshimi do të ndodh me ne apo pa ne! Por uroj që ai të jetë pa hendeqe të mëdha mes grupimeve politike!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …