Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Ku vanë e treten premtimet e shumta të kryeministrit Mustafa?

Njëra nga anët e forta të Isa Mustafës në fushatën zgjedhore, të vitit 2014, ka qenë premtimi i “vendosur” se kurrë nuk do të bëhet bashkë me zaptuesit  e institucioneve të  shtetit!  Ju thatë se po e morët votën, ju do t’i shkapnit ato, por e bëtë të kundërtën, u bërë bashkë me kapsit e institucioneve te pavarura të shtetit. Premtove pavarësimin e gjyqësorit, por ç’është e vërteta, djemtë e tu arrite t’i shpëtosh nga ndjekja penale. I “shkape” apo i kape institucionet e pavarura të shtetit?

Cila është e vërteta? Sepse dy të vërteta, me sa di, nuk mund të ketë për asnjë premisë apo logjikë të thjeshtë.  Premtove se do të hapësh një epokë të re investimesh e zhvillimi, ndërsa ne nuk po shohim as investime e as zhvillim. Ashtu siç e pate bërë llugë kryeqytetin tonë, Prishtinën, tani po e bënë llugë gjithë Kosovën. Premtuat se do t’i hapnit 120.000 vende të reja pune, por i “punësuat” pikërisht po aq, por me një ndryshim të dhembshëm – duke i detyruar t’ia mësyjnë rrugëve ilegale të Evropës.

Premtove institucione të pavarura e funksionimin e tyre, sipas ligjeve në fuqi, ndërsa pikërisht ato institucione i mbushe me familjarë të qeveritarëve, sikur Kosova të ishte pashallëk yti. Premtove me bujë se do ta luftosh korrupsionin, ndërsa 70 dosjeve tua, për keqqeverisje të Prishtinës, jua shtuat jo pak dosje tenderësh për familjarët e tu në vend se të reflektonit paç.

Kryeministër, si po e ndien veten? Pikërisht atë që premtove se nuk do ta bësh e ke bërë! Atë që e premtoje në mëngjes e demantoje vetë në mbrëmje. Pate thënë se nuk do të shkoni në Bruksel, shkuat atje si “tulipan i bardhë”! A të kujtohet kur Vuçiqi të pati thënë: “Mustafa vjen në Bruksel si tulipan i bardhë”. Pse nuk rezistove bile njëherë? Në këto raste po na vjen inati, pse nuk po mund të frenosh, bile njëherë.

Ke bërë dasmë në qeveri për MSA-në, ndërsa MSA-ja nuk po zbatohet. Ke pritur e ke festuar si qeveri për liberalizimin e vizave, ndërsa liberalizimi nuk po shihet gjëkundi. Ke premtuar ligjin për Trepçën në fillim të mandatit, e ligji ende nuk ka ardhur. Trepçën po e çon drejt falimentimit! Kujt po i konvenon kjo? Kosovës dhe qytetarëve të saj në asnjë mënyrë.

Je betuar e përbetuar se Zajadnica është  në përputhje të plotë me ligjet e Kushtetutën, por ajo doli kundërkushtetuese. Gjykata Kushtetuese tha shprehimisht: “me marrëveshjen për Zajednicën, Kushtetuta është shkelur 23 herë.”Ke premtuar reciprocitet me Serbinë, por e ke humbur me ka krejt sovranitetin e shtetit! Ke premtuar integrimin e Veriut, por për ironi e keni çintegruar edhe Jugun. Krejt çka ke premtuar, më vonë e ke demantuar askend tjetër pos veten! Pse nuk e thua një herë të kundërtën, ndoshta do të arrihej e duhura!

Ke premtuar arsim të dinjitetshëm për kombin, arsimin e ke katandisur deri sa nuk ka ku vete më. Se po krijohen analfabetë potencialë, me fakultet e masterë e çmasterë! Ke premtuar me bujë shtim të përkujdesjes shëndetësore, shëndetësia publike është në fund të pusit – skajshmërisht e degraduar: Sepse ministrat, mbase jo vetëm ata, po hanë nga xhepi i të sëmurëve; Shërbime shëndetësore cilësore nuk ka, barnat esenciale mungojnë; Spitalet janë bërë “si hanet e shekullit XVII…Çfarë po qeveris, kur çdo gjë publike e ke degraduar pafundësisht! Fudnja, a ndien përgjegjësi morale, se përgjegjësi ligjore nuk ka qëkur në këtë vend, më saktë qëkur ushtron edhe “zejen” e kryeministrit! Epo, kjo nuk është mahi, se dje, si një“ish”, të përcolli paligjësia, e njëjta gjë po të ndodhë edhe sot! Natyrisht, atëherë nuk e kishit këtë kryezeje! Viti shkollor filloi, saqë mund të thuhet edhe se nuk filloi. Libra ka, por edhe s’ka. Ministria e Punëve të Brendshme me pasaporta pa kurrfarë cilësie, e dënuar me miliona për një kontratë të dëmshme, letër për certifikata të lindjes nuk ka, nuk ka as veshëmbathje për policët… Këto janë ato që i dimë, e sa të tjera që ne nuk i dimë, as ia kemi idenë…

Përveç këtyre që u thanë, keni formuar edhe dy komisione qeveritare: njëri komision vendit ia humn mbi 8200 hektarë tokë, e tjetri ia vjedh milionat me lista të falsifikuara të veteranëve e të invalidëve të luftës. E kujt është këtu përgjegjësia? A ke menduar ndonjëherë se kështu shteti shkon drejt falimentimit?! Pra, assesi drejt zhvillimit!

Kryeministër, me gjithë këto defekte të numëruara e me (pafund) të tjera të panumëruara, a mund të thuash se Kosova ka qeveri normale?

Kryeministër, a të mjaftuan dy vjet që të bëhesh pjesë e kapjes se shtetit dhe të institucioneve të pavarura të shtetit?!

Eh, kryeministër, sa shumë premtove e të gjitha në gjysmën e mandatit aq shpejt i harrove!!!  I kishe 70 dosje ne Prokurori para se të bëhesh i pari i qeverisë, tregoni opinionit sa dosje të janë shtuar si kryeministër i shtetit më të varfër të Evropës? Ndonëse, Kosova është e pasur me njerëz, me pasuri tokësore e nëntokësore!

Kryeministër, pse nuk e pavarësove Prokurorinë e Gjyqësorin e Kosovës?

Mbase u pajtove me humbjen e sovranitetit të Sistemit të Drejtësisë, kur pranove krijimin e Gjykatës Speciale, sepse bëhet fjalë qartësisht për ndjekje një etnike, pra të shqiptarëve. Kryeministër, pse nuk u bëre një herë të vetme lider dhe të thoshe me plot gojën: Ja ndjekje për çdo kriminel të luftës të kryer në territorin e Kosovës, ja nuk miratojmë Gjykatë Speciale për ndjekje speciale të pjesëtarëve (vetëm) të një kombi! Drejtësia ndërkombëtare nuk e njeh një rast të tillë kaq selektiv! Pra, një rast i paprecedentë! Ç’u bë kryeministër ky transformim yti, derisa në fushatën zgjedhore i kishe disa pika të forta, në qeverisje (hiç më pak se dyvjeçare!) u shndërrove në qull kaçamaku pa fije yndyre! Ju rikujtoj se, për një qull të tillë, Edit Durham thoshte: “Nuk e përpunon as lukthi i Leopardit”!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …