Që në fillim të temës aq të ndjeshme lidhur me diasporën shqiptare dhe kujdesit të përhershëm ndaj saj nga Shqipëria, parashtroj tri pika domethënëse me të cilat mendoj se janë të domosdoshme dhe immediate:
Diaspora shqiptare duhet të homogjenizohet,
Diaspora duhet të depolitizohet e të shqiptarizohet duke i thënë jo organizimit mbi baza partiake, siç ishte deri më tani dhe
Të organizohet në qendra kulturore shqiptare.
Përse pra duhet ta ketë këtë kujdes Shqipëria dhe të shtrijë ndikimin e saj pikërisht në homogjenizimin, depolitizimin dhe organizimin në qendra të qëndrueshme dhe sensibilizuese kulturore?
Po qe se kemi parasysh faktin se Kosova në vitin 2012, kur i filloi bisedimet politike në Bruksel me Serbinë, ajo pa asnjë arsye e ka rihapur dhe e ka bërë të pazgjidhshëm statusin politik të Kosovës. Statusin që ishte zgjidhur me shumë dokumente ndërkombëtare, filluar më Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me Kornizën Kushtetuese, me Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, me Aktin e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe kulmin e saj, me Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të 20 korrikut 2010. Pas këtij vendimi edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me një Rezolutë kishte kërkuar vazhdimin e bisedimeve teknike (jo politike) nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar. Madje rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk kanë fuqi obligative. Në një pozicion të tillë politik, të ndërlikuar nga vetvetja, Kosova nuk mund t’i marrë në mbrojtje qytetarët e vet jo vetëm ata jashtë vendit, por as këta brenda vendit.
Në një situatë të tillë është e domosdoshme që Shqipëria të marrë përkujdesjen, së paku për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve etnike shqiptare. Dhe këtë për faktin se këtë mundësi nuk e ka askush tjetër në gjeopolitikën shqiptare veç saj. E kam të qartë se edhe Shqipëria e sotme i ka jo pak pengesa e dobësi, por këto janë kryesisht probleme të brendshme dhe jo probleme të jashtme siç i ka Kosova, madje jo vetëm me Serbinë, e cila as sot e kësaj dite nuk është shkëputur nga politikat e krimit e të gjenocidit. Në një situatë të tillë, vetëm Qeveria e Shqipërisë i ka mundësit për të ndihmuar pa asnjë pengesë diasporën shqiptare në mbrojtje të identitetit të saj, të kulturës e të traditës shqiptare. Mbrojtja e kësaj diaspore për kombin tonë ka obligime e interesa të pafundme për të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë e të shqiptarëve.
Në dukje të parë mund të mendohet a thua këtë çështje mund ta përballojë financiarisht Shqipëria? Kjo nuk mund të thuhet as të mendohet meqenëse nga ky interesim shteti shqiptar nuk humb asgjë, përkundrazi do të fitojë shumëfish, pasi diaspora do t’ia kthejë shumëfish me shfrytëzimin e turizmit detar, malor e kulturor të Shqipërisë. Dhe jo vetëm!
Prandaj këtë mundësi Shqipëria duhet ta shfrytëzojë edhe me kushtin që të mos e fitojë as edhe një qindarkë, duke qenë i bindur se fitorja do të ishte e pallogaritshme, si për Shqipërinë ashtu edhe për shqiptarët. Kujdesi i Shqipërisë për diasporën do të përbënte edhe një mundësi tjetër, diasporë në Shqipëri do të kishte në çdo ditë, çdo javë e çdo muaj të vitit. Para se të ndodhë kjo, kujdesi ndaj diasporës duhet të jetë sa i përkushtuar po aq edhe i sinqertë.
Shkurt, diaspora jo vetëm që nuk merr asgjë nga atdheu, por ajo sjell shumë burime financiare në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë Veriore etj.
Diaspora shqiptare meriton përkujdesje prindërore nga Shqipëria! Së këndejmi, homogjenizimi, depolitizimi dhe qendrat do të reflektonin kujdesin meritor dhe të domosdoshëm.