Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Kujt po i shërbejnë reagimet e Perëndimit?

 Reagimet e fundit që vijnë nga Perëndimi, pas veprimeve të përgjegjshme, madje edhe të domosdoshme të Qeverisë së Kosovës, janë kundër vendimeve të kësaj qeverie, vendime që janë në kërkim të rrugëve për forcimin e sovranitetit të shtetit dhe të sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Sidomos kur kjo siguri është e kërcënuar çdo ditë nga zyrtarët e lartë të shtetit verior, që i gjithë orientimi i tyre politik e strategjik është nga Rusia e Kina. Këtë e deklarojnë publikisht, por ata kanë kërkuar, kuptohen në mënyrë sekrete edhe ndihmën e vendeve të botës islame, ato që nuk e kanë njohur Kosovën, për t’i financuar grupet e ndryshme ekstreme fetare nëpërmjet ndihmave që marrin nga ambasadat e atyre vendeve në Beograd. Ky dokument sekret deri te ne ka ardhur nga një shërbim i huaj sekret, i cili shërbim është me ndikim të madh në nivel botëror. Dokumenti rezulton të jetë tejet i besueshëm. Beogradi ndikimin e vet në Kosovë e ushtron përmes operativistëve, që i ka në struktura të ndryshme të shoqërisë sonë, si në ato të fesë dhe në segmente shtetërore të Kosovës, përfshirë këtu BIK-un dhe Sistemin e Drejtësisë. Me shumë gjasë nuk mund të amnistohet as AIK-u. Kjo është e konfirmuar nga dokumenti, që kohë më parë është botuar në një gazetë (portal) në Kosovë dhe që ka kaluar pothuajse në heshtje. Nuk kam asnjë dyshim, si sistemi i drejtësisë e ashtu edhe AIK-u nuk kanë treguar as vullnet e as gatishmëri për t’u marrë seriozisht me grupet ekstreme islame. Dhe kështu kombit dhe shtetit i kanë bërë shërbime të këqija, të cilat si të tilla kanë shkuar e shkojnë në shërbim të politikës armiqësore mirë të planifikuar të Beogradit.

Citojmë nga dokumenti: “Kur ne të arrijmë një marrëveshje me operativët tanë poshtë   në Kosmet (Kosovë – v. ime, J. K.), fondet e grumbulluara nga ambasadat islamike, mundemi t’i bartim poshtë, me pjesën më të mëdha të fondeve duhet të investojmë në ndërtimin e xhamive. Vendet për ngritjen e xhamive duhet t’i gjejmë në  pjesë të dukshme pranë autostradës, shkollave, qendrave të qyteteve .Xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen.”

Kjo që thuhet në këtë dokument konfidencial, kur merret parasysh gjendja reale në Kosovë e konfirmon në tërësi këtë dhe se ky planifikim ka filluar që në vitin e parë të Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë. E dhimbshme është se as institucionet e pavarura të Kosovës nuk e kanë marrë asnjë masë as kundër planifikimit të Memorandumit të Dytë të Akademisë së Shkencave dhe  të Arteve të Serbisë. Sipas këtij Memorandumi misioni i Vuçiqit është jetësimi i të ashtuquajturit “Memorandumi i Dytë i ASHAS” i vitit 2011. Atë që thuhet në Memorandumin e Dytë, Qeveria e Serbisë është duke e realizuar gjatë gjithë viteve që janë zhvilluar Bisedimet e Brukselit në mes Serbisë e Kosovës me fusnotë!

Nuk ka asnjë dyshim se shteti serb në krye me Vuçiqin gjatë gjithë periudhës sa janë zhvilluar bisedimet me dhelpëri të nivelit të lartë kundër Kosovës, ka përdorur gjithë aparatin e shtetit dhe mekanizmat e tij, si Kishën serbe. Akademinë dhe BIA-në serbe. Në dokumentin konfidencial në mes të tjerave shkruan:

“Krerët e Bashkësive Islame në Serbi, Maqedoni, Kosovë e Bosnje janë nën kontrollin tonë dhe punojnë që të inkuadrojnë sa më shumë njerëz me ndikim në mesin e shqiptarëve të sportit, muzikës, medieve dhe politikës. Në disa parti shqiptare me ndikim kemi arritur që të kemi njerëz të cilët punojnë fuqishëm për ne dhe fuqishëm mbështesin besimin islam, dhe janë të lidhur ngushtë më të parët e fesë që përhapin islamin edhe atje ku islam e xhami nuk ka pasur kurrë”.

Edhe kjo që thuhet në këtë paragraf, i gjithë realiteti i sotëm e konfirmon katërçipërisht. Kur kihet parasysh fakti se shumë vende të botës arabe/islame nuk e kanë njohur Republikën tonë. Bashkëveprimi i Serbisë me atë botë ka qenë e vazhdon të jetë i madh. Si po duket ajo botë nuk po i njeh vëllezërit në vijë islamike.

Nga kjo që u tha më lart del se politika e Beogradit në krye më Vuçiqin, si dikur në krye me Millosheviqin, gjithë orientimin politik nga Perëndimi e kishin dhe e kanë më shumë sesa mashtrim ose siç thuhet, orientimin nga Perëndimi e kanë sa për sy e faqe dhe vetëm e vetëm për të zhvatur donacione e dobësuar pozicionin e Kosovës karshi Perëndimit dhe kudo që do të arrijnë e shtrijnë ndikimin e tyre. Ndoshta është pozicioni gjeostrategjik i Serbisë që Perëndimi po ia mundëson Vuçiqit, këtij politikani kontrovers që i ndërron mendimet më shpesh se çorapet, që t’i mbajë në të njëjtën dorë, bostanin e lindjes (Rusi e Kinë) dhe atë të perëndimit (BE-së).

Ndoshta edhe si arsye e dytë e këtij reagimi vjen si mbështetje e kryetarit të Kosovës, zotit Thaçi për pazaret e tija politike e territoriale dhe të një klase të moderuarish, që janë me bollëk në Kosovë (dokumenti që po e shqyrtojmë e konfirmon këtë) që do të ishin të gatshëm të hynin në pazare të ndryshme politike me Beogradin. Nuk ka asnjë dyshim, kjo lloj politike është e drejtuar kundër krahut kombëtar të ish-të burgosurve politik dhe të atyre pjesëtarëve kombëtarë që kanë mbetur nga UÇK-ja e djeshme. Është e qartë që të dy këto grupime politike jo unike dhe pa ndonjë ndikim në jetën politike e institucionale kanë mbetur në margjina. Mbase disa nga këta i ka lënë jashtë angazhimit politik mosha e të tjerët mungesa e dijeve politike e intelektuale si dhe inferioriteti intelektual e politik.

Një gjë është më se e qartë, pas lufte në Kosovë, si në kohën e Administrimit Ndërkombëtar edhe pas pavarësisë së Kosovës, institucionet në Kosovë kanë qenë të paafta për t’i luftuar ndikimet e shërbimeve të huaja, e sidomos ato të Lindjes, të cilat kanë gjetur shesh, për të bërë të gjithën përshesh. Dhe në këtë lojë të dytë të botës islame i ka ndihmuar shërbimi sekret i Serbisë. Në dokumentin sekret të këtij shërbimi lexojmë:

“Atje poshtë në Kosmet (Kosovë – vër. ime, J.K.) duhet të krijohet atmosfera që njerëzit të ndjehen sikur jetojnë në një vend të huaj, me ketë një pjesë e të rinjve të ikin në botën e jashtme, e pjesa tjetër të përcaktohen për besimin islam. Për njëzet vjet një pjesë e Kosovës do të duket si Kandahari. Fuqitë perëndimore ngadalë do të ndryshojnë bindjen për shqiptarët dhe kështu do të përcaktohen për kthimin e Kosovës nën ndikimin e Serbisë”.

Si ndaj kësaj që u tha këtu dhe asaj që  është thënë në Memorandumin e Dytë të Akademisë Serbe, të gjitha institucionet tona shtetërore, si Arsimi, BIK-u dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, kanë qenë të përgjumura dhe nuk i kanë arsyetuar në asnjë mënyrë mjetet që kanë marrë nga Buxheti i Kosovës. Sipas të njëjtit dokument, kur Fuqitë Perëndimore do ta shohin Kosovën si një botë të ekstremit islam, ata do të heqin dorë nga Kosova dhe tani sipas Serbisë do të vinte koha që: “Serbia do t’i kishte duart e lira që përsëri ta fillonte aksionin për dëbimin e shqiptarëve në Turqi por tani jo me dhunë por përmes tërheqjes nga krerët fetarë për punësimin, me premtime të kushteve të veçanta për migrim në Turqi. Për këto çështje Serbia ka dritën e gjelbërt nga shteti Turk.”

Nëse kemi parasysh gjendjen faktike në Kosovë, gjithë debatin e këtij viti të nxitur nga Serbia e të bartur në Kosovë nga Thaçi, si dhe  mos liberalizimin e vizave përfshirë edhe debatin për ushtrinë, të gjitha marrë së bashku e konfirmojnë se është duke u punuar në bazë të një projekti të planifikuar shumë mirë.

Nga kjo që u tha del se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për taksën100%, vendimin për të mos i pranuar mallrat që nuk shkruajnë Republikën e Kosovës si dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë më shumë se të drejta. Qeveria e Kosovës, duhet ta formojë një grup të ekspertëve përkatës që e analizojnë mirë e mirë Memorandumin e Dytë dhe këtë dokument sekret, si edhe veprimin e shumë institucioneve të tjera, e sidomos Sektorin e Sigurisë, të Drejtësisë, AIK-ut e të BIK-ut dhe të gjitha grupet ekstreme islamike. As gjendja në Arsimin (në të gjitha niveleve) nuk është më e mirë.

Për ndryshe pozicioni i Kosovës nuk është aspak  i mirë! Nëse ketë gjendje nuk e ndryshojmë ne, nuk e ndryshon askush tjetër.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …