Gjuha jo pak denigruese për kundërshtarët politikë, e cila u përdor nga të zgjedhurit e popullit në zgjedhjet e fundit më shtyri që, për të satën herë, t’jua përkujtoj shprehjen tejet të urtë e me një filozofi të veçantë empirike të popullit tonë. Populli ynë, konform kësaj empirie a përvoje, ka reflektuar për situata të ndryshme, tëcilat flasin shumë dhe kanë një zbërthim që shquhet për rrethana të caktuara, e që për fat të keq përsëriten jo rrallë. Natyrisht, kjo vlen për ata që dinë dhe duan që ta kuptojnë këtë filozofi sa të qëlluar, po aq edhe pragmatike.
Na është e njohur tashmë se pas luftërave të ndryshme zakonisht shfaqet, pos pasojave të ndryshme, edhe varfëria ekonomike. Kështu ishte edhe pas Luftës se Dytë Botërore kudo në Evropë dhe, pa dyshim edhe në të katër anët e botës. Këto pasoja ishin tejet të pranishme edhe në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Varfëria ishte e pranishme gjithandej, duke filluar kur në sofat tona kosit i shtohej edhe ujë(që për shumë kend sot është e panjohur!) për shkak të sasisë së kufizuar, skamjes, me një fjalë! Po të flitet me gjuhën e sotme, ajo ishte asgjë tjetër, pos një varfëri e skajshme. Kujtoj rastin kur i zoti i shtëpisë i shtoi aq shumë ujë kosit sa mysafiri ndërhyri: “miko, ruaje ujin se kosi shkoi!” Pra, ishte e qartë, hedhja e ujit ishte jashtë çdo mase, pasi aty kishte shumë ujë e kos fare.
Pas luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999, varfëria është shfaqur më shumë në kulturën kombëtare, në edukatën tradicionale, në mirësjellje e kulturë komunikimi, në përgjegjësi politike e intelektuale. Për pasojë ka aq mosmirënjohje, aq arrogancë në komunikimin publik, aq përpjekje për denigrimin e tjetrit, sa të vjen të pështirë kur hap portalet për të mësuar ndonjë lajm! Dhe aty, tashmë dukri kjo, lajm në të shumtën bëhen sharjet e nduarnduarta të përfaqësuesve të “zgjedhur”! Nuk ka asnjë dyshim, kjo gjuhë nuk i duhet askujt!
Në situata të tilla njeriu mund të thotë: o njerëz, “ruane ujin se kosi shkoi”! Ruane të paktën një minimum të njerëzisë në komunikimin me njëri-tjetrin! Se, në fund të fundit, të gjithë këta që përdorin këtë gjuhë komunikimi, janë të së njëjtës lozë, të të njëjtit “kungull”! Kuptohet le ta ruajnë atë pak njerëzi që u ka mbetur! Se kos lypset vetëm në atë familje që ka të paku një dhi qumështi.
Gjithsesi, sekush duhet që ta dijë se kushdo që mbjellë erë sot, nesër do të korrë furtunë, sipas filozofisë me të cilën e nisa edh këtë reflektim! Historia, kjo mësuese e jetës, jo pak herë na ka mësuar këtë. Një përvojë e gjatë dhe e hidhur, pa asnjë dyshim. Po, përse të mos e ruajmë atë që mund ta ruajmë, “o njerëz të mirë”! Furtuna, ky populli ynë i copëtuar ka korrur aq shumë, sa furtuna të reja nuk i duhen më, sidomos jo furtuna të brendshme.
Vendit dhe kombit tonë i duhet ndryshimi e jo ndërrimi i kuajve të karrocës, i duhet zhvillimi, kultura e komunikimit, edukata, mirësjellja, mirënjohja, arsimi dhe shëndeti mental! Vendit i duhet një prerje e madhe me të djeshmen dhe një fillim i ri për sot e nesër! Ndaj, të reflektojmë! Nesër mbase është vonë!
1. 8. 2017