Për të vetmen gjë që po pajtohem në fund të vitit 2015, më bashkëpunëtorin e Isa Mustafës, Hashim Thaçi, është fakti se: “Marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë lojë fëmijësh”1. Kjo është e saktë. Marrëveshjet janë lojë burrash të pjekur e të përgjegjshëm. Por, a janë këto marrëveshje ndërkombëtare apo njëfarë dakordimi që nuk e përfillë askush? E më se paku Beogradi dhe strukturat e tij në Kosovë. Pastaj marrëveshjet ndërkombëtare arrihen nga njerëzit e pjekur e më përgjegjësi të lartë politike, intelektuale e kombëtare e jo nga njerëz që nuk e kanë kapërcyer as adoleshencën në këtë drejtim?!
Madje për çfarë marrëveshje janë dukë folur qeveritarët? Marrëveshje që janë, jo vetëm kompremituese për Kosovën, por na qenkan të obligueshme vetëm për qeveritarët tanë?! A mund të na thonë qeveritarët tanë: nga cila marrëveshje përfitoj Kosova? A përfitoj Kosova nga zhbërja e strukturat e organizuara të Beogradit në Kosovë? A u hoq barrikada mbi lumin Iber? A po u lejohet qytetarëve shqiptar ndërtimi i shtëpive të tyre në pjesën veriore të Mitrovicës? A është realizuar marrëveshja për mos pengimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare e rajonale? A u realizuar kodi i telefonisë? Për të mos u zgjatur, a kanë mundësi qeveritarët ta tregojnë, se nga cila marrëveshje e arritur përfitoj Kosova dhe qytetarët e saj?
Përveç këtyre, Kryeministrat e Kosovës, në Bruksel kanë bërë një marrëveshje anti kushtetuese, siç është marrëveshja për “Zajednicën”, Bashkësinë e komunave serbe. Kjo marrëveshje nga Gjykata Kushtetuese është shpallur e pa ligjshme në tetëmbëdhjetë pikat e saja (në 18 nenet e Kushtetutës). Ju po përpiqeni ta arsyetoni, gjeja se Kushtetuesja e ka lejuar asociacionin, shoqatën e komunave. Po të ishte asociacioni që e kemi në kushtetutë e ligjin për asociacionin, pse mos të shfrytëzohet statuti ekzistues i komunave, por duhet bërë një tjetër?! Madje as marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, po del të jetë e dëmshme për Kosovën?!
Po, “marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë lojë fëmijësh”, por marrëveshjet që ju kryeministrat e Kosovës i arritët në Bruksel, ishin lojë e adoleshentëve që atje shkuat me duar në xhepa!