Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Edi Rama nuk po tregton me Kosovën, këtë po e bëjnë krerët tanë

Me 13 e 14 tetor të 2016, në mediet shqiptare dhe ato serbe, u shkrua dhe u fol shumë për vizitën e Edi Ramës në Serbi, për takimin me Vuçiqin dhe paraqitjen e tij në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Gjatë paraqitjeve, ndoshta më tepër filozofike sesa politike, pati edhe prezantime dinjitoze. Është e kuptueshme se Kryeministri Rama, në Beograd, prezantoi Shqipërinë, edhe pse një ndër temat e debatit ishte edhe Kosova. Atë që të gjithë kishin mundësi ta dëgjojnë është fakti se fjalës së Edi Ramës për Kosovën nuk mund t’i bëhet asnjë vërejtje negative: ai foli fjalë të mira.

Fatkeqësisht, në kuadër të « Postës së porositur » në mediet tona dhe jo vetëm aty, pati edhe paraqitje e shkrime tendencioze dhe të pavërteta lidhur me këtë vizitë. U tha se gjoja “Edi Rama bëri tregti me Kosovën në Serbi ”! Shkuan deri aty sa drejtues të institucioneve tona ia mohuan të drejtën Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë a thënë ndonjë fjalë miradije për Kosovën?!  Një kualifikim i tillë është i paqëndrueshëm, pasi Kosova nuk është në duart e Edi Ramës që të“tregtojë” me të. Është e tmerrshme por fakt se me Kosovën janë duke tregtuar udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës. Në pazarllëqet që i zhvilluan në Bruksel, ata tregtuan me sovranitetin e shtetit të Kosovës përmes marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe; ata tregtuan integritetin territorial të Kosovës, duke ia humbur Kosovës mbi 8200 hektarë të territorit të saj; ata tregtuan edhe me njerëz, sepse imponuan krijimin e një gjykate politike për dënimin e UÇK-së mbi akuzat e sajuara nga qarqet antishqiptare. Unë nuk mund t’i kuptoj ata që mundohen t’i veshin Edi Ramës diçka që nuk është në kompetenca të tij, i cili as nuk ka bërë dhe as që ka pasur mundësi të bëjë tregti me Kosovën. Nuk ka logjikë të shpifet aq ulët pos në rastet kur vërtet kemi “postën e porositur” mediale.  Është për t’u shqetësuar, “rilindja” e një frymë anti Shqipëri ne disa qarqe “intelektuale” në Kosovë?! Edhe në Shqipëri ka mjaft të tillë që u fryjnë dallimeve shqiptare të këndej e andej Drinit.

Ndoshta Edi Rama, mund të kritikohet se u mundua të paraqitej më shumë si lider i rajonit tonë sesa i shqiptarëve. Por, që të jetë lider i rajonit i duhet paraprakisht një mbështetje e të gjithë shqiptarëve të rajonit. Bashkërendimi i mirëfilltë mbarëkombëtar do t’i jepte mundësi secilit personalitet politik fuqinë që me përgjegjësi të pretendonte liderizmin në rajon. Aktualisht, shqiptarët janë të copëtuar sa s’ka ku shkon më keq. Në këtë kontekst, as Edi Rama dhe as ndonjë shqiptar tjetër nuk mund të pretendojnë postin e liderit të shqiptarëve në rajon e lëre më edhe të kësaj pjese të Ballkanit.

Nëse Edi Rama, ia arrin qëllimit të hedhë një hap para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve, ai duhet përshëndetur. Por, koha e përmirësimit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe ende nuk shihet në horizont. Sidomos me logjikën e vjetër që dominon në institucionet e reja të Beogradit. Sa për ilustrim do përmendur kërcënimin e 12 tetorit 2016 të Presidentit të Serbisë të bërë në Shën Petersburg për të përsëritur skenarët e kohës së Millosheviqit. Ky kërcënim është si rezultat edhe i tregtisë që bartësit e institucioneve tona janë duke bërë me çdo gjë të Kosovës, madje edhe me lirinë e saj. Prandaj, mos kërkoni fajtorët aty ku nuk janë! Dhe shtrojmë, mbase me të drejtë pyetjen, e cila ka edhe përgjigjen në vetvete: kush në të vërtetë, po tregton me Kosovën?

Jakup Krasniqi: Mendësia  e vjetër dhe kërcënimet

Më 10 prill të vitit 2014 kam reaguar  lidhur me intervistën që kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i kishte dhënë gazetës “Die Presse” të Austrisë. Në atë intervistë Nikoliqi kishte përsëritur propagandën e moçme të regjimit të Millosheviqit për Çështjen e Kosovës dhe kishte minimizuar  skajshmërisht pasojat e politikës së gjenocidit që shteti serb kishte kryer në Kosovë.

Mohimi i gjenocidit serb në Kosovë dhe paraqitja e Serbisë si “viktimë e një komploti ndërkombëtar”,  ishte përgatitja e terrenit propagandistik për të kaluar në ofensivë diplomatike. Kjo ofensivë diplomatike e Serbisë kundër Kosovës arriti kulmin më 12 tetor 2016. I trimëruar nga vizita e tij në Rusi, kryetari  serb u kërcënua se ngjarjet mund të marrin kahe shumë të keqe dhe se Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme. Madje, fakti se ai nuk përjashtoi mundësinë që dikush ta bombardojë përsëri Serbinë nxjerr në shesh se Serbia është duke u përgatitur të përsërisë skenarët e vjetër. Për ne është e qartë se logjika e vjetër nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënime të reja!

Por, a janë të vetëdijshme institucionet ndërkombëtare, sidomos ato që kanë për vokacion ruajtjen e paqes dhe sigurisë, se heshtja përballë këtyre kërcënimeve inkurajon pushtetin kriminal të Beogradit të nxisë konflikte të reja, që destabilizojnë tërë regjionin e brishtë të Ballkanit Perëndimor. Sa janë të përgjegjshme institucionet shtetërore të Kosovës që t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërcënimeve dhe rreziqeve që na kanosen? Kam bindjen e plotë se institucionet tona as që mendojnë t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve sepse ato bartin një masë të përgjegjësisë për këtë defansivë diplomatike që na karakterizon. Defansivë ishte edhe debati që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës më 11 e 12 tetor 2016, sidomos ai i partive të koalicionit qeverisës.

Nëse dikush e bën veshin e shurdhër përpara këtyre kërcënimeve të reja, ne e kemi për borxh të rikujtojmë se gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, ushtria dhe policia serbe vrau 13290 shqiptarë prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve të civilëve të paarmatosur, ndaj 20400 grave u përdor dhuna seksuale.U rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 kisha katolike, 88101 shtëpi dhe objekte ndihmëse. Krimi i gjenocidit as nuk harrohet e as nuk falet. Gjenocidi pret ndëshkimin  e merituar. Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Por, po e përsëris edhe një herë, atë që duhet ta dinë udhëheqësit e rinj të mentalitetit të vjetër të Beogradit qëndron në realitetin e ri se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe këtë proces nuk mund ta kthejnë prapa as gënjeshtrat e diplomacisë serbe e as kërcënimet e udhëheqësve shtetërorë të Serbisë.

Duke përfunduar, nënvizoj faktin se klasa e sotme politike e Beogradit në krye me Nikoliqin e Vuçiqin, kanë dalë nga kapota e politikës luftënxitëse të Millosheviqit e te Sheshelit, dy të akuzuarve kryesorë për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, të cilët ishin pjesë e të gjitha problemeve të krijuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe si të tillë nuk mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të problemeve të krijuara nga vetë këta!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …