Jakup Krasniqi: Mjerë populli dhe inteligjencia kur vendi qeveriset nga despotë e kriminelë


Në shekullin e kaluar, lufta e ftohtë Lindje-Perëndim e kishte kushtëzuar krijimin e shërbimeve politike (apo sekrete), të cilat shërbime e bënin një luftë speciale për denigrimin e personaliteteve të ndryshme të vendeve kundërshtare. Kjo edhe mund të kuptohej. Fundshekulli i kaluar e fillimshekulli i ri u duken se po e flaknin këtë luftë jashtë rendit të ditës. Shpresuam se e arritëm demokracinë e shumëpritur! Mbase edhe koha e flaku nga rendi i ditës këtë formë lufte denigruese në vendet me demokraci të zhvilluar, por jo edhe në vendet që u detyruan ta kalojnë tranzicionin demokratik të stërzgjatur. Në këto vende, rrjedhimisht edhe në Kosovë, u zhvillua një luftë e brendshme tepër e ashpër denigruese e llojit gebellsian: gënje, shpif, denigro e frikëso sa më shumë njerëz, për t’i sunduar ata me pushtetin e frikës. Këtë luftë të pistë në vendin tonë nuk mund ta bëjë askush tjetër pos ai apo ata që kanë qenë të rekrutuar në shërbimet e UDB-së apo të ndonjë shërbimi tjetër simotër, të specializuar për të zhvilluar luftë speciale kundër kujtdo që ka dinjitet njerëzor, intelektual, politik e kombëtar.


 


Kjo luftë speciale sot drejtohet ndaj njerëzve që nuk i nënshtrohen këtyre organizimeve të nëntokës, ndaj njerëzve që nuk bëhen vegla qorre të despotëve modernë, ndaj kujtdo që ka dinjitet e integritet. Në këto raste, qëllimi i gebellistëve të rinj është për t’ua mbyllur gojën njerëzve të ndershëm, njerëzve që kanë dinjitet e kredibilitet njerëzor, politik e intelektual, njerëzve që qëndrojnë shumë lart në çdo pikëpamje në krahasim më despotët kriminelë e të kriminalizuar. Këto forma të denigrimit populli ynë i ka përjetuar për gati një shekull. Dallimi në mes të atyre të para 17 viteve është se ata kanë folur një gjuhë tjetër (serbisht), por gjuha për denigrimin e njerëzve ka mbetur ajo e vjetra, serbo/jugosllave, ndonëse këta të sotmit belbëzojnë shqipen.



Në këtë luftë speciale një rol jo të vogël e kanë një pjesë e të  ashtuquajturave portale, të cilat duke mos pasur mundësi tjetër mbijetese financiare, janë vërë këmbë e krye në shërbim të pushtetarëve të korruptuar, të cilët me paranë publike e denigrojnë njeriun si pjesë të publikut. Të tillët kudo ku sundojnë, lulëzon mjerimi i përgjithshëm shoqëror. Madje, po këta po e përdorin edhe emrin e qytetarëve dhe paranë publike për të sulmuar opozitën, por gjithnjë duke u fshehur pas qytetarëve anonim. Kësaj kaste qeveritarësh vetëm për gjera të mbrapshta u punon mendja, ndaj këtu dominon frustrimi masiv!


 


Shembulli më eklatant i kësaj lufte me qëllim denigrimi janë:


 


1. Sulmi ndaj Presidentes në përfundim të mandatit të saj, sipas të gjitha gjasave, mu nga ata që e sollën në atë pozitë dhe


2. Kandidatët , Akademik, Rexhep  Qosja dhe Murat Jashari, pa i konsultuar.


Sepse:


1. Është e pa tolerueshme për një shoqëri normale që të bëhet gjueti shtrigash ndaj një presidenteje në fund të mandatit, çfarëdo qofshin meritat e saj dhe


2. Përfolja e Akademik Qosjes dhe e Murat Jasharit ose vetë mënyra sesi janë lakuar këta emra, pa marrë mendimin e tyre dhe pa u propozuar nga askush, nuk ka pasur qëllim tjetër, pos që kryekandidati pretendon të vihet përballë me njerëzit që vërtet kanë kredibilitet të lartë njerëzor, intelektual e kombëtar ngado që ta merresh.


Në një situatë të tillë të gjeneruar mund të shtrohen një varg pyetjesh esenciale:


 


A duhen të shqetësohen vetëm të apostrofuarit, siç bëri Akademiku i nderuar, apo duhet një shqetësim i përgjithshëm shoqëror?


A ka ky vend intelektualë që dinë të reagojnë, sa herë që preket dinjiteti kombëtar e shoqëror?


Apo intelektualët kanë pushuar se ekzistuari?


Një fjalë e përdorur shpesh në popull, thotë: “Kur diçka e keqe t’i ndodhë fqinjit prite edhe në shtëpi!” Ndaj, a thua ia hapëm portat vullnetshëm kësaj mortaje të zezë? Dhe jo vetëm kaq, por kur një popull qeveriset nga një mentalitet i tillë, despotësh e kriminelësh, veç mjerimit e degradimit të përgjithshëm moral e kulturor, nuk mund të presësh diçka tjetër.


Në këto raste, kryeviktima janë njerëzit e ndershëm e kredibilë. Në këto raste kundërpërgjigjja mund të vijë vetëm nga njerëzit që kanë guxim dhe integritet të lartë. Ndërsa integritet ka aty ku shkalla e rrezikshmërisë është e lartë. Nga këta despotë edhe integriteti sikur ka hyrë në birë të miut…


Ju lutem për pak integritet, në mos asgjë tjetër, se koha nuk pret!


 


 


 


      


Jakup Krasniqi: Opozita nuk i ka numrat për ta propozuar kandidaturën e kryetarit të Kosovës


 


 Këto ditë u fol shumë për kandidatin e mundshëm të opozitës së bashkuar. Në fakt, opozita jo vetëm që nuk ka biseduar për Presidentin e ardhshëm të Kosovës, por as i ka mundësit për t’ia ofruar atë mundësi cilitdo personaliteti në Kosovë. Përkundër kësaj, kjo çështje është përfolur shumë ne medie?! Edhe pse do të ishte punë e mençur po të gjendej një kandidat i pranueshëm edhe për opozitën.


Krejt çka mund të thotë opozita e bashkuar për ketë çështje është: Ne, opozita e bashkuar, mund të jemi pjesë e zgjedhjes së Kryetarit (Presidentit/ës) të/ së Kosovës, nëse propozohet filani a fisteku, por jo më shumë, pasi numrat janë të koalicionit PDK-LDK. Opozita e bashkuar është e vetëdijshme për ketë. Ndërsa opozita ka objektiva të tjera dhe nuk besoj që mund të bëhet pjesë e kësaj loje as në medie. Ndonëse, për  kandidatët e përfolur, opozita mund ta jepte kontributin e saj pozitiv.


 


        Nuk ka asnjë dyshim, në Kosovë, sigurisht që ka emra që do ta obligonin opozitën e bashkuar për të qenë pjesë aktive e zgjedhjes së Presidentit, por nuk mendoj, se politika që udhëhiqet nga koalicioni i tashëm Isa – Hashim, është në kërkim të një kandidati të përbashkët. Pasi të njëjtin, nuk janë të interesuar të gjejnë zgjidhje të problemeve që i kanë krijuar vet. Kjo u pa gjatë gjithë një sesioni të punës së Kuvendit dhe i dyti nuk po duket se ka ndonjë ndryshim.


 


         Jam i bindur se LDK-ja, nuk e do Hashim Thaçin, jo më për Kryetar  shteti, por  me dëshirë, ata do ta shihnin atë në burg, pasi deputetet e saj njëzëri kanë votuar Gjykatën Speciale (pa u bërë merak për sovranitetin e gjyqësorit), por ata më shumë sesa e urrejnë – Hashimin, e duan pushtetin për të grabitur paranë publike nga pozitat që i kanë në qeverisjen e vendit, fal Thaçit! Ai, i ka dhënë kaq shumë pushtet e mundësi këtij klani të LDK-së, për ta mjelë ketë buxhet të mjerimit, aq sa e kanë për obligim edhe për t’ia plotësuar një dëshirë të tij. Të tjerat që i thonë ata, janë përralla për fëmijë për netët e gjata të dimrit të ftoftë!


 


Ndoshta ndonjëri nga deputetet e LDK-së, nuk do t’ia jep votën Hashimit që ai mos të zgjidhet me 80 e më shumë vota, por do të jenë pjesë e zgjedhjes së tij për President dhe kjo është e njëjta gjë!


 


           Zgjedhja e Thaçit President, nuk mund të pengohet nga LDK-ja, pasi e tillë është filozofia e tyre politike! A nuk ishin këta që thoshin: kurrë koalicion me PDK-në e Thaçit, e shumëçka tjetër para e pas kësaj?!


Opozita e bashkuar e ka vetëm një mundësi: që Thaçi të zgjidhet Kryetar i shtetit në “Tavan” të Kuvendit! Kaq ka mundësi të bëjë opozita në ketë konstelacion të forcave politike në Kuvendin e Kosovës! As Thaçit nuk ia kisha dëshiruar ketë formë të zgjedhjes Kryetar i Kosovës!


E gjithë kjo që po thuhet e ka një të mirë, njerëzit janë duke e ditur çka është e mirë e çka nuk është e mirë, ndonëse mashtruesit po e bëjnë ligjin!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …