Dje në Koha.net lexova: “Një ish-udhëheqës i UÇK-së i merr 100 mijë euro qira në vit nga Posta dhe Telekomi i Kosovës. E një shef partie politike pak kohë pasi u ngjit në majë të shtetit punësoi djemtë dhe rejat në këtë ndërmarrje. Nuk mbeti mbrapa komandantit – edhe ai e trashi buxhetin familjar për afro 80 mijë euro në vit. Këto janë dy nga mijëra familje ‘patriotësh’ e ‘liderësh’ lufte e paqeje që i kanë ‘hipur’ PTK-së, ashtu si ndërmarrjeve tjera, ashtu si edhe shtetit. Dhe janë të njëjtit, që në çdo paraqitje publike e quajnë UÇK-në të lavdishme e Ibrahim Rugovën president historik.” Ndonëse gjithçka që po ndodh, si në rastin e parë ashtu dhe në rastin e dytë, ka emra dhe mbiemra të përveçëm, pse duhet të implikohet UÇK-ja dhe i ndjeri Ibrahim Rugova, unë nuk e kam të qartë. Kur dihet se as UÇK-ja e as i ndjeri Rugova, ka vite që nuk janë në mesin tonë dhe nuk mund të mbrohen prej akuzave të tilla. Natyrisht, askush nuk duhet ta heshtë keqqeverisjen në përgjithësi e as me pasurinë kombëtare e publike në veçanti, por, goditja duhet të jetë në adresë të duhur.
Pra,shkas për të shkruar këtë shkrim janë shkrimet e kohëpaskohshme në mediet tona të shkruara dhe elektronike, në të cilat shumë shëmti të kohës sonë lidhen me vitet e lavdishme të kombit, siç ishin vitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo me ndonjë emër që ka pasur një vdekje të natyrshme.As Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe as vdekatari i natyrshëm, sido që të kenë qenë ajo apo ai, përgjegjësia e secilit njeri sot duhet të adresohet në emra të përveçëm, në të bëma të përveçme e akëcilit individ.
Pse veprat e liga të njerëzve të sotëm duhet te lidhen me të djeshmen e një organizimi e individi? Ka një varg arsyesh që emrat e përveçme të së sotmes, që kanë identitetin e tyre, veprën e tyre, qoftë të mirë apo të ligë, të mos identifikohen me idealet e një brezi e të një kohe që ka prodhuar nder e lavdi për kombin. E cila lavdi ka krijuar hapësira të reja për çdonjërin nga ne, sido që e sheh atë kohë, pa marrë parasysh akëcili kush ishte e çka bëri dje. Madje, as e turpshmja e djeshme e ndonjë individi apo e familjarëve të tyre nuk mund të jetë pikë reference e njerëzve, të atyre individëve që kanë individualitetin e tyre, të bëmat e tyre, pasi secili nga ata e ka emrin dhe mbiemrin, ka personalitetin e vet, ka individualitetin e tij, qoftë për të mirë apo për të keq. Populli e ka një fjalë e cila ka shumë kuptim: “Secili ka lidhet për brirët të vet, e secili njeri për gjuhën e vet.”
Jo vetëm kaq, tradita jonë zakonore e ka një thënie më shumë se emblematike, e cila thotë: “Prej Skënderit beteri dhe prej beterit Skënderi.” E populli ynë e kishte të qartë se prej të mirit mund të dalë i keqi dhe prej të keqit mund të dalë i miri. Jo vetëm kaq, por askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të ndryshuar apo për t’u transformuar, qoftë për të mirë apo për të keq. Transformimin për të keq, fatkeqësisht e kemi parë jo pak herë në histori, madje jo vetëm të popullit tonë dhe jo vetëm në kohë moderne. Është për të ardhur keq, se shumë pjesëtarë të djeshëm të Luftës Çlirimtare kanë pësuar një transformim të turpshëm! Por kjo nuk ia jep askujt të drejtën përmes atyre individëve që kanë emër e mbiemër të keq pas luftës, të përbaltet e lavdishmja UÇK. Madje, as emrat e mirë të se djeshmes, edhe kur janë në vijë familjare, nuk mund t’i mbulojnë prapështitë e të gjallëve (prindërve, vëllezërve apo fëmijëve). Kur të njëjtit edhe mund të janë të organizuar në formacione përkatëse politike të kohës.
Sigurisht që nuk do të merresha me këtë çështje, sikur autori i shkrimit të fliste me emër e mbiemër për ish-komandantin që përfiton 100.000 euro nga qiraja që merr nga PTK-ja apo trashëgimtarin politik të pacifistit që përfiton 80.000 euro, nga punësimi i familjarëve. Kombinim goxha fatal, i cili nuk jep shpresë për ndryshim! Që të dytë, i pari dhe i dyti kanë emra e mbiemra dhe nuk janë të vetmit të veshur me shëmtinë e kohës, por, pse implikohet UÇK-ja, e cila e ka kryer misionin e saj – Çlirimin e Kosovës, nëse nuk ke qëndrim armiqësor ndaj saj?! Mbase dikush edhe mund të ketë nostalgji për vitet e tetëdhjeta e të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar?!
Personalisht do ta konsideroja ketë vend dhe ketë popull fatlum sikur vetëm ish drejtuesit e UÇK-së dhe krerët e sotëm të partive politike e të institucioneve të shtetit të ishin batakçi, të ligj, të padijshëm e të pandershëm! Ditët e mira do të na vinin shpejtë, sikur segmentet e tjera të shoqërisë të ishin OK!