(Politika e dorëzimit, e pritjes apo e kundërshtimit të aksionit kurrë nuk çon në fitore. Kush ka frikë, ka me vete humbjen, kush qëndron i patundur ka me vete fitoren. LIRI PA GJAK NUK KA.” Hasan Prishtina)
Qëndrimet mohuese për Demonstratat e vitit 1981, gjithnjë, si dje edhe sot kanë pasur një qendër komanduese dhe ajo qendër ka qenë e ka mbetur në Beograd. Kjo qendër ka pasur dhe është drejtuar nga: Politika zyrtare serbe (institucionet e shtetit), nga ASHAS-ja, nga pushteti i katërtë (mediet) dhe pushteti shpirtëror (Kisha Serbe). Nga kjo qendër janë shpërndarë idetë e mitologjisë serbe, për Kosovën: “Djep dhe zemër serbe”. Ani pse në atë “djep” denbabaden ishte i shqiptarëve, janë rritur fëmijë me zemra shqiptare. Mbështetësit e asaj politike, nuk kanë munguar as nga ana disa nostalgjikëve shqipfolës në Kosovë, si të djeshëm ashtu edhe të sotshëm.
Është për t’u çuditur si edhe sot, pas 36 viteve, pas gjithë asaj që ka ndodhur nga viti 1981 e deri ne qershorin e vitit 1999, jo vetëm në Kosovë, por edhe nga ajo që po shihet edhe këtyre dite (kam parasysh kërcënimet luftënxitëse të qeveritarëve të lartë të Serbisë), ka ende shqiptarë që kanë kurajë e moral që ta mbrojnë politikën nënshtruese të politikanëve shqiptarë të viteve 1981-1990, e në anën tjetër, t’i akuzojnë të gjithë ata që i kundërshtuan fuqishëm e guximshëm politikat fashiste të Beogradit?! Sinqerisht do ta merrja mundin që t’i kuptoja disi përfaqësuesit e “kombit” jugosllav të atyre viteve, pse e mbronin jugosllavizmin? E mbronin se ishte “human” e “demokratik” apo e mbronin se nga ai shtet “komb” i nxirrnin të gjitha llojet e përfitimeve politike a interesat personale e familjare. Ndoshta ata mendonin se ai sistem ishin i pathyeshëm dhe prandaj i qenë nënshtruar pa asnjë rezervë. Por krejt çështja është, si t’i kuptoj sot ata njerëz, ku e gjejnë atë forcë morale e politike që të mbrojnë atë politikë fashiste edhe pas 36 viteve,?! Kur ajo federatë që e proklamonte “bashkim vëllazërimin” është bërë copë-copë dhe janë zhvilluar katër luftëra shkatërruese, kanë ushtruar gjenocid mbi popullin tonë dhe të tjerët me të cilët bashkëjetonin?! Kjo vërtetë është për një studim të gjithanshëm sociologjik, psikologjik e psikiatrik, të këtyre njerëzve të verbuar nga nostalgjia për pushtuesin?!
Për të mos u marrë shumë me ata shqipfolës dhe mendimtarët e tillë, qe kurrë nuk kanë pasur e më gjasë as do të kenë ndonjëherë mendim të lirë të tyre, për shkak të mendjes dhe shpirtit të robit. Këtyre mendimeve të mykura do t’ju përgjigjëm më atë që e thoshin para dekadave disa autorë, publicistë e gazetarë të huaj për Pranverën Shqiptare të ’81. Le të flasin të huajt për punët tona, për hallet tona reale të kohës, pasi për mendimet e meritat e njerëzve tanë jemi më shumë se mosmirënjohës?! Mosmirënjohja për nostalgjikët e vjetër e të ri të jugosllavizmit, ndaj kundërshtarëve të atij regjimi fashist, sikur po shndërrohet në kulturë. Po ua lëmë autorëve të huaj të flasin për ato ngjarje që e filluan një epokë të re në historinë tonë. Le ta fillojmë me autorin e njohur britanik, Misha Glenny i cili në librin e tij “Historia e Ballkanit 1804-1999”, shkruan: “Ajo çka kërkonin kosovarët (lexo: shqiptarët, – J.K.), ishte barazia me kombësitë e tjera në Jugosllavi dhe lëvizja e tyre në thelb ishte një rilindje e çelur vonë, ata nuk kërkonin vetëvendosje për krahinën, por këmbëngulnin që Krahina Autonome Socialiste e Kosovës të bëhej republikë”. (faqe 624) Për Glenin ishte rilindje e vonuar, por për disa shqiptarë të mjerë ishte rilindje e parakohshme?! Shumë ngjashëm me Glenin, një vëzhgues më i afërt i atyre ngjarjeve, gazetari, publicisti e studiuesi gjerman,Victor Meier në librin e tij “Fundi i Jugosllavisë, goditja në Kosovë” shkruan: “Por nga ana tjetër, protestuesit në Kosovë nuk shprehnin ndonjë simpati të madhe për regjimin e Enver Hoxhës; për ta, në plan të parë vinte çështja kombëtare”. (faqe 52) Ky ishte konstatim matematikor i Meier-it, gjithçka po bëhej për interesin e kombit e të atdheut! Ndonëse edhe dashuria për Enver Hoxhën e Shqipërinë ishte e madhe. Shikuar me syrin e kohës, ishte krejt e arsyeshme. Ndoshta më larg se dy të paret, për demonstratat e vitit 1981 shkon Serge Métais, në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”, ai më të drejtë konstaton: “Madje mund të thuhet se, më 1981, qendra e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, ashtu si më 1878 apo si në pragun e pavarësisë së konfiskuar më 1912, nuk ishte në Tiranë dhe në Shqipërinë bregdetare, por pikërisht në Kosovë. Pikërisht andej po vinte kushtrimi i luftës për lirinë e shqiptarëve. Sigurisht, Tirana kishte dhënë ndihmesën e saj, por padashur”, thotë ai. (faqe 347) Nëse udhëheqësit shqiptarë të Kosovës e arsyetonin dhunën serbe mbi demonstruesit në Prishtinë e qytete të tjera të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore, për gjermanin Victor Meier, “terrori i ushtruar kundër ‘nacionalistëve’ ishte i natyrës ofensive, që do të thotë se armiqtë e popullit jugosllav kërkoheshin në mënyrë aktive, dhe aty ku nuk gjendeshin, krijoheshin”. (faqe 56) Zhvillimet e mëvonshme që ndodhën në hapësirën e Federatës Jugosllave e konfirmojnë katërçipërisht konstatimin e Meier-it. Por, tellallët e djeshëm e të sotshëm të politikës fashiste serbe edhe pas 36 viteve këmbëngulin si Mushka në të tyren?! “Se faji ishte i enveristëve, marksistë-leninistëve, nacionalistëve e irredentistëve” (të gjitha këto epitete komuniste), pse ata luftonin për Kosovën Republikë. Këto ishin cilësimet tradicionale që thuheshin për “kryengritësit” (demonstruesit) e Pranverës Shqiptare të ’81.
Një interesim të veçantë për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë kanë treguar gazeta të ndryshme të Botës demokratike, një interesim të veçantë kanë treguar gazetat gjermano-perëndimore, në mesin e tyre edhe e njohura, “Frankfurter Algemaine Cajtung” e cila më 9 prillit 1981, shkruan: “Kur u vjen uji deri në fyt, diktaturat fashiste të Amerikës Latine dhe vetadministrimi jugosllav reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi i armikut të jashtëm” . (Shtypi botëror për ngjarjet në Kosovë, “8 Nëntori”, Tiranë 1981, faqe 25). Pra ishin mediet e botës demokratike ato që politikën jugosllave ndaj shqiptarëve po e cilësonin, si politikë fashiste te tipit latinoamerikane. Ndërsa, Gazeta amerikane “Nju-Jork Taims” e 27 prillit 1981 çështjen e shtron në formë të pyetjes:”Shteti federal i Jugosllavisë tashmë ka gjashtë republika; çfarë ndryshimi do të sillte edhe një republikë më shumë? Pse Kosova të mos jetë republikë, kur 85% të banorëve të saj (1.5 milion) janë shqiptarë etnik”. (Po aty, f. 22; Gazeta “Nju Jork Tajms, 27.04. 1981). Është më interes të veçantë konstatimi i gazetës greke “Tovina” e cila shkruan: ”Nuk duhet ta pakësojmë rendësin e ngjarjeve që po ndodhin prej shumë javësh në rajonin autonom të Kosovës në kufi me Shqipërinë, edhe në qoftë se kriza mbytet. Fakt është se autoritetet jugosllave nuk i kursejnë mjetet mbytëse. Këto telashe përbejnë paralajmërim serioz”. (Po aty, f.22; Gazeta greke, “To Vima” prill 1981). Këtu nuk ka shumë fjalë, por ka konstatim dhe paralajmërim profetik që udhëheqja politike jugosllave e as ajo e Kosovës nuk kishte sy e vesh për të parë e dëgjuar zarin e shqiptarëve. Ndërsa gazeta zvicerane “Noye Zyhriher Cajtung” jep njoftim të saktë për zhvillimin e ngjarjeve në hapësirën shqiptare në Jugosllavi. Gazeta sikur polemizon me deklaratat e udhëheqësve të lartë jugosllavë, përfshirë edhe ata të Kosovës kur konstaton: ”Pakënaqësia e shqiptarëve në Kosovë nuk shprehet vetëm nga grupet më militante shqiptare, të cilat kërkojnë një republikë shqiptare në Kosovë, por ajo shtrihet edhe të 300 mijë shqiptarët në Maqedoni e 50 mijë të tjerë në Mal të Zi”. (Po aty, f.22- 23;). Demonstratat e vitit 1981 ndihmuan që bota demokratike të kishte njohuri të sakta jo vetëm për gjendjen politike, shoqërore e ekonomike, por edhe për gjeografinë e shqiptarëve në hapësirën e federatës jugosllave. Në raport me ngjarjet në Kosovë, mbesin më rendësi të madhe në çdo kohë shkrimet e korrespodentit, Viktor Meier-it. Në shkrimin e tij me titull: ”Kush e ka humbur kokën në Kosovë”, të botuar në gazetën “Frankfurter Algemajne” të datës 27 prill 1981 shkruan: ”Ndërmjet datës 1 e 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e Krahinës pa bërë në forma të ndryshme demonstrata dhe greva. Vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çmojnë mbi 30-40 vetë dhe të të plagosurve deri në 1000…”. ( Po aty, Viktor Majer: Kush e ka humbur kokën në Kosovë, 25. 04. 1981). Një konstatim mjaft interesant na sjell gazeta amerikane “Krisçën sajëns monitër” e 21 majit 1981 ku thuhej: ”Zyrtarët e Beogradit, të ndodhur nën presionin e lobit të fortë serb, pretendojnë se bërja e Kosovës Republikë mund të çojë në shkatërrimin e gjithë federatës dhe konceptit të vetadministrimit. Të tjerët argumentojnë se kjo do të forconte sistemin, duke shërbyer si një përfundim logjik i procesit. Ata shtojnë se shpejt ose vonë do të provohet se statusi i republikës është e vetmja zgjidhje jo vetëm për ruajtjen e paqes në Kosovë, por gjithashtu për të ruajtur sigurimin e një zone të ndjeshme të Ballkanit” (Po aty, f. 37; Gazetë amerikane “Kriscën sajëns monitër”, 21. 05. 1981). Shkeputa vetëm pak nga mali i madh i informacioneve që për ato vite mund të gjindet në faqet e gazetave më prestigjioze të kohës. Kishte pak vende të Botës, shtypi i të cilëve mbronin politikën e Beogradit. Në mesin e të paktëve ishin edhe disa shqiptarë mendje tredhur?! Nga kjo që u tha, mediet botërore dhe përmes tyre edhe politika perëndimore e akuzonin politikën jugosllave për ngjarjet në Kosovë, vetëm udhëheqësit shqiptar nga Kosova e akuzonin popullin e tyre për “kunderrevolucion”?!
Bota demokratike me kohë e kishte kuptuar se avancimi i statusit të Kosovës në Republikë ishte në shërbim të paqes dhe jo vetëm në Kosovë, por, në gjithë Gadishullin Ballkanik. Këtë nuk donin ta kuptonin vetëm udhëheqësit politikë serbë e jugosllavë dhe shqiptarë të asaj kohe, si Ali Shukriu, Sinan Hasani, Kolë Shiroka, Azem Vllasi etj., e nxënësit e tyre ideologjik, të cilët e kishin shitur shpirtin për qëllime meskine e karrieriste. Pra, gjithçka që është zhvilluar nga Pranvera e ’81 e deri në qershorin e ’99, në çdo segment të jetës e këndvështrim shkencor, politik e filozofik i demanton qëndrimet e nostalgjikëve dhe të mendimtarëve të tjerë si klasa politike që kërkesat e shqiptarëve për Kosovën Republikë i shpallen hiq më pak se “kundërrevolucion”?! Prandaj jemi këtu ku jemi, pse kishim dje e kemi edhe sot “udhëheqës” shpirtshiturish!
P.S.
Lexuesin e interesuar e njoftoj se njohuri e argumente më të gjithanshme për ketë periudhë kohore mund t’i gjeni në librat e mi: Lëvizja për Republikën e Kosovës – sipas shtypit shqip, Pranvera e lirisë, botime të vitit 2011 dhe në librin: Një histori e kontestuar, (kritikë librit të Oliver Jens Schmitit “Kosova histori e shkurtër e një treve Ballkanike”), botim i vitit 2013. Të gjitha botime të “Buzukut”, Prishtinë.