Në librin e tij “Arti i bisedimeve”, autori, Jakup Krasniqi ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjet e Brukselit, Demarkacionit dhe Gjykatën Speciale. Për këtë të fundit ai thotë se e ka reaguar për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes së Kosovës sesa të shkuarës, madje ai thotë se ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt. Këtë Krasniqi e ka thënë me rastin e promovimit të librit të tij “Arti i bisedimeve”. Krasniqi tha se nuk është problem nëse vërtetë qëllimi i drejtësisë është me dal në shesh, por sipas tij kur ajo bëhet krejt politike për eliminime politike atëherë është padrejtësi e madhe.
Një shpjegim të asaj që përmban libri e ka bërë Hydajet Hyseni, i cili tha se siç e thotë edhe titulli libri është një ndërtim i llojit të veçantë të librit edhe historik edhe politik. Ndërkaq, aktorja Safete Rugova ka lexuar parathënien e shkruar nga Bardhyl Mahmuti, i cili kishte shkruar se libri është një interpretim ndryshme dhe mjaft kritik i zhvillimeve që rezultuan nga bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel. Po ashtu, ai kishte shkruar se kritikat që bëhen ndaj mënyrës se si i janë qasur këtyre bisedimeve bartësit e institucioneve të Kosovës, nuk janë kritika të ndonjërit që i sheh proceset nga një distancë kohore dhe jashtë kontekstit real.
Ndërkaq, autori i recensionit për librin, Elvi Sidheri, tha se libri është ‘sui generis’ ashtu siç është edhe atdheu i autorit.
Libri “Arti i Bisedimeve” i autorit Jakup Krasniqi përbëhet nga tre kapituj, ku i pari është marrëveshjet e Brukselit, i dyti demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe i fundit për Gjykatën Speciale. Ky ënjtë libri i 13-të që ka nxjerrë në dritë Jakup Krasniqi.