Jakup Krasniqi: Ta ruajmë fitoren si sytë e ballit

Jakup Krasniqi: Një program për qeverisje të mirë ose një program përtej partive politike

Ka kohë që në jetën politike, publike e mediatike në Kosovë flitet për zgjedhje të reja, ndonëse nga zgjedhjet e kaluara ka kaluar pak më shumë se një vit. Edhe gjatë legjislaturës së kaluar, në fillim të saj kishte kërkesa për zgjedhje të reja, ndonëse vendi qeverisej nga një koalicion goxha i madh. Pas tre vjetësh qeverisjeje, me mocionin e partisë më të vogël, të NISMËS Kuvendi e rrëzoi Qeverinë “Mustafa”. Pas këtij votimi  shkuam në zgjedhje dhe zgjedhjet nuk krijuan asnjë ndryshim, përkundrazi. Të gjitha problemet që ishin grumbulluar në atë legjislaturë, veç demarkacionit (edhe ai u zgjidh ashtu siç ishte), për qytetarët nuk ndryshoi asgjë, përkundrazi, gjendja u përkeqësua. Në një situatë të tillë, zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për ndryshim kualitativ në qeverisje dhe në menaxhimin e parasë e të pasurisë publike. Kosova ka nevojë për një program të qartë qeverisës, që nuk është vetëm i një partie politike, por një program politik dhe ekonomik, që mbyll epokën e keqqeverisjes dhe fillon mirëqeverisjen, për t’u ofruar qytetarëve perspektivën që u mungon.

Një gjë duhet të dimë mirë të gjithë në politikë e jashtë saj, se gjatë gjithë viteve të organizimit politik shumëpartiak në Kosovë, që nga fillimi i viteve ‘90 të shekullit të kaluar, si dhe me këto të shekullit të ri po dëshmojnë katërçipërisht, se në të gjitha partitë politike të quajtura “demokratike”, për asnjë temë politike me interes kombëtar nuk ka pasur dhe nuk ka debat të mirëfilltë politik. Fjala është për një debat politik përmbajtjesor të nxitur apo të inkurajuar nga krerët e partive politike, që nuk ka pasur dhe nuk ka as sot brenda përbrenda një partie politike e mos të flasim në rrafshin kombëtar, aty ku partitë politike karakterizohen  nga padurueshmëria e komunikimit me përgjegjësi e kulturë. Duhet të themi se në Partinë Demokratike të Kosovës ka pasur debat politik për tema të ndryshme me interes kombëtar deri në zgjedhjet e vitit 2007, i cili në njëfarë mase ka vazhduar deri në zgjedhjet e vitit 2010, më pas i gjithë pushteti është përqendruar te kryetari i partisë (kryeministri). Më pas, “debati” ka qenë vullneti i kryetarit, kurse të tjerët është dashur të mendojnë si ai ose të ecin në rrugën e tyre. Kuptohet, nuk është aspak e lehtë: duhet të kesh vendosmëri të madhe që të shkëputesh nga një parti politike që ke investuar shumë, kur shefi i saj është kryeministër i vendit. Në një rast të tillë është mrekulli të mbijetosh politikisht, kur një armatë mediatike të anatemon në shumë anë.

Atmosfera politike e krijuar në Kosovë është atmosferë mbytëse për demokracinë e njëmendtë. Mungesa e një debatit me përmbajtje në jetën politike dhe mostolerimi i ideve konkurrente në çdo segment të shoqërisë sonë ka penguar shumë nxjerrjen në dritë të vlerave të njëmendta kombëtare, demokratike, njerëzore dhe intelektuale. Nuk ka asnjë dyshim, se kjo frymë mbytëse e debatit nuk është pasojë e njerëzve të virtytshëm, por e njerëzve me fuqi financiare e muskulore. Kudo ku mungojnë vlerat e virtytshme, ndodh ajo që ndodh me ferrat që dalin në tokat djerrinë, në politikën pa debat e kështu lindin antivlerat e çdo lloji. Dëshmi më e mirë për këtë është sulmi frontal mbi të vetmen vlerë që populli ynë krijoi gjatë shekullit të robërisë dhe e cila kulmoi me Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës, që solli lirinë e pavarësinë e vendit. Prej 20 vjetësh kësaj vlere i janë vërsulur langonj e çakej, që ta shqyejnë nga të gjitha anët. Muskujt dhe lakmia babëzitëse e disa njerëzve gjatë viteve të lirisë e të Pavarësisë, ka bërë që në njëzetvjetorin e lirisë të shkojmë me vlerën kryesore të kombit të përmbysur kokëposhtë! Dhe jo vetëm kaq, por është shumë e dhimbshme, për faktin se nuk po bëhet asnjë përpjekje serioze për të parë: se ku është gabuar, sa është gabuar dhe pse është gabuar?! Pasi “të pagabueshmit” nuk janë të interesuar të shohin as edhe një gabim. Është krejt e natyrshme se, pa e parë pa syze se ku është gabuar, në qeverisjen e vendit gjatë viteve të shkuara, sidomos pas pavarësisë, në shoqërinë tonë do të vazhdojnë të riciklohen vetëm ato “parti” e shefa që janë ricikluar në pushtet gjatë këtyre viteve të lirisë e të pavarësisë. Do të riciklohen vetëm ata e ato “parti”, që kanë kontribuar në krijimin e kësaj paperspektive për kombin e rininë tonë plot energji e dashuri për vendin e kombin.

Çfarë duhet të bëjmë që të nisim një fillim të ri?

I

Në një situatë të tillë, gjëja e parë që duhet bërë është që të konstatohet kriza e përgjithshme politike e institucionale, si dhe kriza e thellë në kulturën e komunikimit, e cila pashmangshëm na çon deri aty, sa të mos të merremi vesh për asgjë dhe për asnjë çështje vitale të interesit kombëtar, veçse për kusarinë mbi paranë publike e pasurinë nacionale. Këtu gjendet lehtë gjuha e përbashkët. Kështu ishte në qeverisjet e kaluara, kështu është edhe tani. Vrapi që po bëhet edhe sot për pozitën e kryeministrit, nuk jep shpresa se nesër do të kemi ndryshimin që i duhet vendit. Prandaj për shoqërinë shqiptare në përgjithësi e këtë në veçanti, është i domosdoshëm fillimi i një debati për të arritur konsensusin e domosdoshëm për çështjet e domosdoshme të interesit kombëtar. Tani për tani, për Kosovën e qytetarët e saj nuk ka interes më të madh sesa qeverisja e mirë e vendit. Edhe kështu si jemi, do të ecim disi, do të mbijetojmë disi, por si? Një fjalë e urtë thotë: “Edhe miza nën shalët e kalit e bën një jetë”, por çfarë jete është ajo, kur ajo është gjithmonë e rrezikuar nga bishti i kalit që godet si kamxhik!

II

Çështja e dytë, e cila nuk është më pak e rëndësishme se e para, është kriza e thellë në sistemin e arsimit publik e privat. Me politikat e deritashme shkatërruese (të universiteteve të pafre publike e private), sidomos në arsimin e lartë, kriza e mjerimi intelektual veç do të thellohet. Tani për tani nuk ka vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje, ndër më vitalet për kombin dhe shtetin. Edhe për të zgjidhur këtë çështje duhet vullnet politik të nivelit kombëtar. Ky vullnet deri më tani nuk ekziston. Ky sistem i arsimit prodhon pak dije e shumë analfabet funksional. Gjuha shqipe është në degradim të përgjithshëm si në të folur, ashtu edhe në të shkruar. Vazhdimi në këtë rrugë do të sjellë një rezultat, që do të jetë edhe më i mjerë sesa është! Ndërprerja e kësaj praktike të deritashme është më shumë se e domosdoshme. E ripërsëris, për këtë është i domosdoshëm konsensusi nacional, pasi nuk ka çështje më kombëtare se arsimi dhe edukimi i kombit, nga i cili varet shumë e ardhmja e kombit dhe e vendit tonë. Arsimi dhe edukimi nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e një partie politike, por është kryekreje interes kombëtar. Prandaj edhe qasja duhet të jetë vetëm në këtë frymë. Ky sistem, i cili ngjason vetëm me kullat e rërës, nuk mund të prodhojë njerëz të virtytshëm, me dinjitet e me integritet! Prandaj i takon këtij brezi, që ta bëjë gjënë e duhur për shpëtimin e kombit.

III

Çështja e tretë dhe jo pa qëllim e paraqita si çështje të tretë, janë zhvillimi ekonomik dhe menaxhimi i pasurisë dhe i parasë publike. E bëra këtë, për të treguar se pa arsim të reformuar mirë, për t’i dhënë formë e përmbajtje të re cilësore, nuk do të ketë as zhvillim e progres. Gjatë gjithë këtyre viteve e kemi parë se qeveritë, secila në mënyrën e vet, e ka keqpërdorur paranë publike dhe pasurinë kombëtare vetëm aty ku grabitja ka qenë më e lehtë dhe më e madhe, por jo aty ku interesi i kombit ishte më i madh. Gjatë gjithë këtyre viteve, qeveritë tona nuk kanë pasur strategji të zhvillimit ekonomik, nuk e kanë as sot, por kanë ecur e po ecin si somnambul, sipas stilit: “Kur rasha mos u vrafsha”. Në vitin 1981 shpërthyen demonstratat studentore, se regjimi i Beogradit po shfrytëzonte pasuritë tokësore e nëntokësore të Kosovës. Për shfrytëzimin e pasurisë së Kosovës shkruanin edhe gazeta të ndryshme botërore, ashtu siç shkruanin edhe për varfërinë e popullit të Kosovës. Që njëzet vjet, Kosova është e lirë, e që dhjetë vjet Shtet i Pavarur, po ende nuk jemi duke parë, se pasuritë e Kosovës po shfrytëzohen për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo është tepër e dhimbshme. Është e dhimbshme se rinia e Kosovës nuk po e sheh perspektivën në atdheun e vet, por duke ikur nga Kosova. Që 20 vjet nuk është investuar në pasurinë kapitale që ka Kosova, siç është energjetika, Trepça etj. Aty ku të gjitha mundësitë ishin të sheshta, e në të njëjtën kohë, milionat u derdhën për largimin e hirit të viteve të shkuara. Pra, milionat i rrëmbeu hiri e errësira dhe asnjë drita e zhvillimi. Populli i Kosovës, toka e Kosovës është në pritje të njerëzve të virtytshëm, që dinë dhe duan të qeverisin e të zhvillojnë vendin.

IV

Çështja e katërt, që nuk është më pak e dhimbshme se çështjet e cekura më lart, është çështja e shëndetit publik. Vendi ynë ka mjekë të suksesshëm, që ushtrojnë profesionin e tyre në Europë e Amerikë, ndërsa mjekësia te ne lë shumë për të dëshiruar. Kosova në vend që të investonte për ndërtimin e një shërbimi shëndetësor modern publik, po shpenzon shuma marramendëse për t’i shëruar qytetarët jashtë vendit. Mjekësia jonë publike në vend që të modernizohet për t’i shërbyer publikut të gjerë po i fal hapësirë mjekësisë private, e cila është bërë zhvatësi kryesor i qytetarëve hallexhinj, që do të duhej t’u shërbente shëndetësia publike! Natyrisht, që kjo nuk bëhet pa interesa kriminalë të “filanit e të fistekut”. Kosova, si gjeografi e popullsi është e vogël e varfër për të mbajtur mjekë të pasur të firave me emra të mëdhenj! E sidomos për të mbajtur kaq shumë ordinanca private, të cilat kanë si qëllim kryesor fitimin nga qytetarët e varfër. Pse ka kaq shumë degradim e rrenim në çdo segment publik e kombëtar?

V

Çështja e pestë është planifikimi hapësinor dhe mjedisi i pastër. Për të dyja çështjet vendi ynë është në gjendje të mjerë dhe nuk kanë ndonjë perspektivë zhvillmi. Hapësira jonë jo vetëm që është pa plane, por ka një degradim të përmasave të mëdha, që mjedisin tonë e ka bërë të pistë. Ngado që shkon, ky degradim është më shumë se prezent. As mjedisi jetësor nuk është për një shëndet të mirëqenë.

VI

Çështja e gjashtë, por nder më të rëndësishmet është – Sistemi i Drejtësisë i cili jo vetëm që është i pa reformuar, por është edhe krejt jo funksional e jo efikas. Ky sistem i cili për shumë vite, që nga fillimi ka qenë i varur shumë nga ndërkombëtaret, është mbikëqyrur nga ata e deri para pak kohe ka qenë i mbikëqyrur shumë nga trupa evropiane e quajtur EULX, që kishte kompetenca ekzekutive, por që vazhdon të jetë i paaftë për të ndihmuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Nuk ka shtet të së drejtës aty ku ligjet janë të pazbatueshëm, aty ku njerëzit nuk janë të barabartë para ligjit, aty ku nuk luftohet e ndëshkohet krimi e korrupsioni. Pas pavarësisë është folur shumë për një reformim të këtij sistemi, por gjithçka tjetër mund të jetë parë, vetëm jo reformim që i duhet vendit tonë. Më ketë përbërje dhe praktikë “funksionimi” ky sistem e ka të vështirë, mbase të pamundur që të bëhet funksional dhe efikas! Ky sistem do të jetë i tillë derisa nuk ka vullnet politik për sundimin e rendit e të ligjit!

Përfundime

Këto gjashtë çështje që u renditën më lart, në fakt janë dëshmi të pakontestueshme se të gjitha qeveritë  e deritashme kanë dështuar në qeverisjen e vendit. Kjo që u tha, mbase jo vetëm kjo, dëshmojnë se vendi ynë gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë kryeministër të vetëm që di e do të qeverisë këtë vend dhe pasuritë e qytetarët e tij. Madje, këta njerëz jo vetëm që nuk kanë ditur të qeverisin, por nuk dinë as të komunikojnë me edukatë si njerëz me përgjegjësi të larta shtetërore. Edhe ky fakt tregon se arsimi dhe edukimi ynë është nën çdo nivel.

E gjithë çështja është: si të kemi kryeqeveritar (kryeministër), që di të qeverisë si duhet këtë vend të pasur me qytetarë të varfër! Vrapi për zgjedhje “për të ndërruar kuajt e qerres së kusarëve”, janë zgjedhje kot së koti! Vendit dhe kombit tonë i duhet një program i qartësuar mirë, përtej një partie a individi dhe një kabinet qeveritar që di e do të qeverisë mirë, që ka dhe merr përgjegjësi për të qeverisur vendin e kombin. Natyrisht që kjo nuk mund të bëhet pa një program qeveritar për qeverisjen e vendit në mundësitë e parametrat që ka vendi dhe kombi. Asnjë parti politike veç e veç dhe asnjë lider politik sot, nuk i ka kapacitetet politike, intelektuale e profesionale për të hartuar një program të mirëfilltë qeverisës, që i duhet vendit dhe qytetarëve tanë.

Liderët e partive të mëdha politike që kemi sot, duke parë kulturën e tyre të komunikimit, gjuhën që përdorin në komunikim me liderët e partive të tjera politike, e sidomos qëllimet e tyre që, më çdo kusht e mjet, të marrin postin e kryeministrit, pa një përgatitje serioze për të krijuar parametra të duhur për një qeverisje të mirë, janë shenja të dukshme se fjala nuk është për të qeverisur mirë, por për të vazhduar të njëjtën mënyrë të qeverisuri.

Si përfundim, derisa është kjo frymë politike, e cila nuk premton ndryshim thelbësor në qeverisjen e vendit, nuk ka asnjë arsye të vetme të shkohet në zgjedhje të reja, të parakohshme a të jashtëzakonshme, përkundrazi, sa për të bërë një “ndryshim” të pashpresë  në qeveri dhe për të shpenzuar mjete të mëdha financiare nga Buxheti i Kosovës për zgjedhje të parakohshme, më mirë është që zgjedhjet të bëhen në afatin ligjor. Mbase mund të bëhen përgatitje më të mira e shpresëdhënëse! Tani për tani nuk shoh se do të kemi një zgjidhje fatlume, edhe po të shkohet në zgjedhje pa “zgjidhje”, sido që të quhen ato.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …