Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se nëse gjatë këtyre viteve pendohet për ndonjë veprim të tij, është pranimi i Milaim Zekës që të garojë në Listën e Nismës për deputet të Kuvendit të Kosovës. “Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave u kërkoj falje! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hyn në çdo familje shqiptare.
Krejt çka kam pasur të them për luftën e kam thënë në mija faqe të botuara, e kam thënë edhe në dëshminë, që kam dhënë, në Hagë në rastin e gjykimit të Limajt dhe Haradinajt. Opinioni, i di qëndrimet e mia. Gjithçka ishte publike. Për luftën, për as një ngjarje të saj nuk e kam autorizuar as një njeri të vetëm që ta flas në emrin tim. Nuk e kam autorizuar as gazetarin Milaim Zeka.
E them me bindje, për asgjë që kam bërë në jetën time politike nuk pendohem. Nuk pendohen se çdo veprim timin politik e kam bërë për kombin e vendin tim. As një veprim, në asnjë kohë nuk e kam bërë kundër ndonjë individi.Kurrë nuk kam qenë, në as do të jam në shërbim të asnjë njeriu, cilido që të ketë qenë fuqia e tij politike, e sidomos jo pas vitit 1991 e këndej, krejt deri me sot.
Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës. Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave U KËRKOJ FALJE! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hynë në çdo familje shqiptare. Sinqerisht, qytetarëve të Kosovës, familjeve shqiptare u kërkoj falje prej më të sinqertave!
Milaim Zeka dhe disa deputetë gjatë debateve në Kuvendin e Kosovës përdorin gjuhë harbute, arrogante, gjuhë rrugaçësh, të përcjellë me sharje e fyerje, krekosje e deri edhe përplasje fizike mes njëri tjetrit, duke manifestuar kështu mungesë elementare të edukatës, arsimimit, respektit dhe tolerancës njerëzore. Kjo gjuhë e neveritshme, del nga goja e tyre me qëllim për të fshehur të palarat, akuzat për korrupsion, mashtrim të qytetarëve, idiotësi e prapësi, e cila nuk do të duhej ta kishte vendin askund dhe jo se jo në Kuvendin e Kosovës. Aktin moral të Jakup Krasniqit është mirë ta mbështesin edhe krerët e Shtetit e sidomos të parët e partive politike, sepse, veç tjerash, edhe gjuha e ndragur e të tillëve ka bërë që popullata ta humb besimin te ata që i zgjedh, dhe që janë vetëm 40 përqindëshi i atyre që marrin pjesë në zgjedhje. (RKL)