Bisedimi e dëgjimi janë kulturë që meriton ushqyer, sidomos në jetën tonë politike. Se:
– Aty ku nuk dëgjohen fjalët e shokut a mikut për shkak të veshëve te dyllosur qëllimisht, aty problemet kurrë nuk zgjidhen njerëzisht! Këtë e kemi parë e jetuar shpeshherë në jetën tonë kombëtare!
– Aty ku problemet nuk zgjidhen me debat të kulturuar, me njerëzi, përgjegjësi e dashamirësi, armiqësitë ngrehin fole!
-Aty ku armiqësitë ndërtojnë fole, dreqi dhe i biri bëjnë ve! Vezët e djallit, njerëz nuk çelin! Djajtë janë krijesa simbolike të shkatërrimit të urave në mes njerëzve.
Jeta me ka mësuar që bashkëbiseduesin me e dëgjuar më vëmendje dhe shikuar drejtë në sy sa herë që bisedohet për çështje te interesit kombëtar! Argumenteve ju nënshtrohem dhe duhet t’ju nënshtrohet gjithsecili. Por, as kundërshtitë nuk i bëjë e as i kam bërë pa argumente bindëse. Kur bashkëbiseduesi s’ka dëgjuar forcën e argumentit, bashkëbisedimi nuk ka pasur pse të vazhdoj! Këtu rrugët ndahen.
Problemet vazhdojnë jetën e tyre për shkak të bashkëbisedimeve pa përmbajtje dhe jo korrekte! Një gjë dihet: Papërgjegjësia institucionale, len pasoja të mëdha për të ardhmen e kombit! Ajo duhet ushtruar me përgjegjësi të madhe. Bisedimet e Brukselit, janë dëshmi e parë dhe e jetuar në Kosovën e Pavarur, Sovrane e Demokratike. Nuk e di, a do të kemi kohë që ta riparojmë dëmin e atyre bisedimeve me duar në xhepa?!
Mbase një mobilizim i politikës sonë me goditje të përqendruara, pa kryeneçësi individualiste, mund ta bëjë ndryshimin?!
Fjala publike para se të dali nga goja, duhet përtypur disa herë. Edhe në këtë rrafsh, kërkohet një ndryshim i madh. Veçanërisht kjo vlen për njerëzit që kanë përgjegjësi të lartë institucionale?!
Tupani rreh për ata që kanë veshë! Të shpresojmë se po e dëgjojnë ata që kanë veshë!