Pa hyrë në shpjegimet, gati banale të një akademiku, për katër pamjet e deformuara që ai i ka për raportet Shqipëri – Kosovë.
1. Asnjë shqiptar, që mendon, flet dhe shkruan e vepron shqip, jo vetëm që nuk e ka asnjë, ama s’duhet të ketë asnjë arsye për farë frike nga “ndikimi” i medieve të Shqipërisë në Kosovë. Përkundrazi, ndikimi dhe bashkëpunimi duhet të jenë të përhershme dhe të kenë shtrirje ndikimi e bashkëpunimi në te gjitha format mediatike. Ne, shqiptarët e Kosovës, nuk e kemi asnjë arsye t’ju frikësohemi ndikimeve të Shqipërisë në asnjë fushë të jetës. Ne, ç’është e vërteta, duhet të ruhemi nga ndikimet e huaja antishqiptare, të cilat sot janë të shumta dhe vijnë nga te gjitha anët, veçse jo nga Shqipëria, nga ku vjen shqiptarizmi i kulluar si gjithherë.
2. Disa shqiptarë, as dje e as sot, me gjasë as nesër, nuk e ngritën dhe s’do ta ngritin çështjen e ndikimeve të huaja në jetën tonë politike, ndërsa i pengon një nismë fillestare, le ta themi, e “përdorimit” politik të Kosovës nga Shqipëria! Sesi ishin praktikat e derisotme, tashmë e di i madh e i vogël. Ne nuk na duhet tjetër gjë, pos ardhmërisë së përbashkët kombëtare!
3. Kthimi nga Beogradi? Vërtet, ka mbetur ende ndonjë që ka nostalgji për Beogradin? Këtë që thotë akademiku i thonë: “t’ju them se nuk më kanë thënë”. Akademikët, në situatat siç jemi ne, do të duhej të flisnin për të ardhmen me një gjuhë tjetër. Me një gjuhë që bashkon e jo gjuhën e frikës nga ndikimet pozitive të Shqipërisë! Kur do t’i shohim akademikët në rolin e tyre pozitiv, të bashkimit të kombit, të projektimit të ardhmërisë sonë ndryshe?!
4. Gjuha dhe kultura. Njeriu i kulturës e më kulturë do të duhej të kërkonte: Një ndikim edhe më të madh, një afrim edhe më të përshpejtuar të gjuhës se bukur shqipe, të kulturës së avancuar shqiptare, jo vetëm në Kosovë por kudo ku ka shqiptarë, madje qofshin ata edhe shqipfolës. Akademik, janë një mijë e një arsye që gjuha shqipe e folur dhe e shkruar në Shqipëri të ketë ndikim në gjuhën e folur e të shkruar shqipe në Kosovë. Madje disa shqiptarë në Kosovë kanë nevojë ta freskojnë dhe ta përditësojnë edhe të menduarit shqip.
5. Populli shqiptar jo vetëm në fushat e përmendura, por edhe në çdo fushë tjetër të jetës duhet të ndihmohet e ndikohet nga Shqipëria edhe nëse vegjeton ndonjë fosile nga e kaluara, i cili këtë ndikim e quan “paternalizëm”. Shqipëria duhet të jetë më “paternaliste” ndaj te gjitha pjesëve që mbetën jashtë Shqipërisë këtu e 102 vjet më parë.
Kosova ka nevojë për më shumë se katër pamje pozitive për reflektim nga Shqipëria!