Jakup Krasniqi: Çështjen e veteranëve Kuvendi i Kosovës duhet ta kthejë nga fillimi

Jakup Krasniqi: Përse nuk e paskemi mbështetjen ndërkombëtare për formimin e ushtrisë?

Gjuha që u përdor dje (më 14 shkurt 2017) në Kuvendin e Kosovës, në lidhje më atë se pse Kosova nuk mund të ketë ushtri, disi m’u duk gjuhë e njohur, por atë gjuhë para disa viteve, koha shpejt e pat demantuar.

Diçka e ngjashme thuhej edhe para më shumë se 25 viteve. Se “Serbia na faron”. Se për luftë çlirimtare nuk e kemi mbështetjen ndërkombëtare?! Dhe ata ndërkombëtaret, vërtetë nuk mund të na thoshin: “Pa luftuar nuk mund ta fitoni lirinë”! Në një formë, një leje na dhanë kur e thirren Konferencën e Dejtonit (1995). Atje shkuan vetëm ata që patën luftuar (Kroacia e Bosnja e Hercegovina). Në disa Konferenca të më pastajme, Kosova sillej korridoreve?! A ju kujtohet? Edhe pas kësaj dikush nuk dëshironte të bindej, se pritja veç e forconte robërinë, por nuk e sillte as lirinë e as demokracinë!

Kur u fuqizua UÇK-ja dhe filloj lufta, ndërkombëtaret filluan të mendonin më ndryshe. Shkelen edhe aty ku nuk kishin shkelur më parë! Pas luftimeve më pak se një vjeçare, ndërkombëtarët e thirren një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje. Pra jo vetëm që nuk e humbëm mbështetjen ndërkombëtare, por fituam mbështetje ndërkombëtare më shumë se çdo herë tjetër?! Ndonëse, mbështetja erdhi si ndihmë humanitare?! Kujtoni Bombardimet e NATO-s! Po ama pa luftën tonë, pa flijimet tona e pa gatishmërinë tonë për të luftuar për liri, ajo ndihmë nuk erdhi. Dhe ndihmë më të madhe ndërkombëtare nuk kemi pasur kurrë deri atëherë! Çlirimi dhe Pavarësia janë vepra të atyre veprimeve të koordinuara.

Nëse dje Kosovës i duhej Ushtria Çlirimtare për çlirim, sot, Kosovës i duhet Ushtria si “buka e uji” jetës se njeriut, për mbrojtjen e Lirisë, të Pavarësisë dhe të Paqes?! As liria, as demokracia e as paqja, nuk mund të ruhen e as të garantohen pa forcën mbrojtëse! Për ndryshe, pse kombet e mëdha shpenzojnë miliarda e miliarda për siguri? Sigurisht që ketë nuk e bëjnë “për sy të zi” të askujt?! Kur fqinji ynë ka ushtri për të na kërcënuar, pse ne mos ta kemi ushtrinë për t’u mbrojtur?! Të themi shkurt: Kosova e ka ushtrinë e saj ashtu si e ka edhe mbështetjen ndërkombëtare. Ketë e thotë edhe neni 126 i Kushtetutës, të hartuar në koordinim më ndërkombëtaret në të cilët po thirren disa. Në paragrafin 2 të nenit 126 thuhet: “Forca e Sigurisë e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj”. Qyqarëllakun tonë nuk duhet ta arsyetojmë me mos mbështetjen ndërkombëtare.

Gjithsesi, dje ishte shumë më vështirë, kishte shumë rreziqe për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ajo u bë dhe u bë shumë mirë. Kujtoni familjen Legjendare të Jasharëve dhe jo vetëm atë! Ndërsa sot gjithçka është më e lehtë. Sigurisht, lehtë nuk është as të bësh petulla në vaj. Edhe petullat e kërkojnë një angazhim të kuzhinierit.

Nuk e di, pse dikush akoma nuk e kupton, se asgjë në ketë botë nuk të dhurohet, por fitohet. Dhe në fakt ushtrinë e kemi të fituar edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. Madje edhe nëse diçka të dhurohet, poeti K. Petriri thotë: “çdo dhuratë, e ka brenda një kamatë”?! Nejse, zvarritja e djeshme kah Beogradi edhe mund të kuptohet disi, por, zvarritjet e sotme nuk kuptohen dot!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …