Jakup Krasniqi: Pranvera e vitit 1981, një drejtim i ri në politikën shqiptare

Jakup Krasniqi: Pranvera e vitit 1981, një drejtim i ri në politikën shqiptare

Jemi në fillim të 36-vjetorit të PRANVERËS Shqiptare ’81, ngjarje kjo që bëri kthesën e duhur dhe në kohën e duhur në nivel kombëtar.  Në përvjetor të tillë ku hapen dritare e rrugë të reja drejtimi e orientimi, kemi obligim që t’i përkujtojmë e nderojmë të gjithë brezat (1912-1999), që në forma të ndryshme punuan, luftuan dhe u flijuan për liri, për çlirim e Bashkim Kombëtar. Në ditë të tilla nuk kemi si të mos përkulemi para atyre që përjetuan ndjekje nga më të ndryshmet, të atyre që morën dënime drakonike, të atyre që derdhën gjakun, që dhanë jetën, shpesh edhe pa e shijuar mirë atë dhe u bënë flakadanë të lirisë e të çlirimit. Flakadanë që na bënë dritë rrugën e lirisë e të Çlirimit KOMBËTAR! Të gjithë brezat,veçmas brezi i ri i studentëve, e kanë për detyrë që ta kujtojnë me dashuri, me respekt deri në përulje, që ta kujtojnë PRANVERËN E MADHE STUDENTORE të vitit 1981 në çdo përvjetor të saj. Pranverës studentore para 36 viteve i prinë rinia jonë studentore e shkollore, ishin ata që nisen DASMËN E MADHE TË LIRISË, ata ishin dhe të flijuarit e parë në altarin e lirisë që i hapën zemrat e tyre për ardhmërinë. Pranverën `81 e filluan studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, ata që ishin burim i energjive më të zjarrta të kombit të pushtuar e të nëpërkëmbur. Është konstatuar sa e sa herë deri më tani se në demonstratat e Pranverës ‘81 morën pjesë mbi një milion njerëz, shumica të rinj. Nuk ka asnjë dyshim se ishin demonstratat më masive në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ato demonstrata me të drejtë patën tërhequr vëmendjen e gjithë botës demokratike, mediale, politike e diplomatike. Të shurdhër e të verbër ishin vetëm udhëheqësit komunistë jugosllavë, të cilët nuk deshën t’i shohin e as t’i dëgjojnë kërkesat e drejta e paqësore të shqiptarëve!

Kosova për Jugosllavinë e Versajës ishte një poligon i përhershëm i saj, ku ajo e ushtronte dhunën dhe terrorin më të egër policor e ushtarak. Shqiptarët në ish-Federatën Jugosllave ishin populli më i nëpërkëmbur, më i privuar nga të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare. Kosova ishte vendi më i prapambetur ekonomikisht dhe njëkohësisht ishte hambar i Jugosllavisë me pasuritë e saja nëntokësore. Edhe Jugosllavia e Titos, si ajo e Kralëve të Serbisë, kurrë nuk pushoi së  hartuari projekte, plane e elaborate për të ushtruar forma të ndryshme presionesh për t’i ndjekur e përdnjekur, shpërngulur e shkombëtarizuar, zhdukur fillimisht pjesërisht me tendencë gjithëpërfshirëse ndaj shqiptarëve me qëllim që të krijonin hapësirë sa më të madhe për kolonizimin e Kosovës me popullsi serbe nga Bosnjë-Hercegovina e Kroacia (Knini).

Jugosllavia socialiste e Titos, me sjelljet e saja ndaj shqiptarëve ka konfirmuar sesa të rreme e kishte shkëlqimin e saj të jashtëm, për gjoja zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale. Ata që ishin brenda saj, në kazanin e quajtur Jugosllavi, e dinin më se miri sesa sistem i kalbur ishte nga brenda vetadministrimi jugosllav i Tito-Kardelit. Atë sistem që nga fillimi e ka përcjellë një krizë e përhershme politike, ekonomike, sociale e kombëtare. Ndërsa çështja shqiptare ishte dhe mbeti problemi më i rëndë deri në çlirimin e Kosovës më 21/22 qershor të vitit 1999.

Pas Luftës së Dytë Botërore, viset shqiptare padrejtësisht aneksohen nga Jugosllavia e AVNOJ-it dhe u copëtuan në tri republika (Serbi, Maqedoni e Mal të Zi) e në një Krahinë Autonome (Kosova), madje fillimisht as krahinë, por “oblast” (provincë!). Shqiptarët u robëruan dhe u copëtuan, por rezistenca e tyre kundër politikës koloniale serbe e jugosllave nuk pushoi asnjëherë. Gjatë atyre viteve jo pak anëtarë grupesh e organizatash të fshehta atdhetare shqiptare u burgosën, u persekutuan, u ndoqën dhe u zhdukën fizikisht. Atdhedashës këta të orëve të para. Një popull i tërë me dekada të tëra u shtyp egërsisht. Janë shtypur dhe shuar me hekur e barot shumë kryengritje, para dhe pas vitit 1945, u shtypën me tanke e barot demonstratat e vitit 1968, por kurrë s’u shua dashuria për liri, për çlirim e Bashkim Kombëtar. Shovinistët kudo në botë nga natyra janë të verbër, ata nuk dëshirojnë të mësojnë nga historia, e cila shumë herë ka dëshmuar se plumbat nuk arrijnë ta vrasin lirinë, ata i ushqejnë rrënjët e saj me gjakun e liridashësve. Historia e popullit tonë dhe gjaku i derdhur janë dëshmi e pakontestueshme.

Nëse bëhet një krahasim në mes pozitës shoqërore të shqiptarëve në Mbretërinë Jugosllave dhe asaj të Jugosllavisë së AVNOJ-it, mund të thuhet se në këtë të fundit kishte një pozitë më të avancuar, por ishte shumë larg kauzës për të cilën ishte luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe atë që e gëzonin kombet e tjera të Jugosllavisë, edhe pse shumica syresh ishin numerikisht më pak sesa shqiptarët. Është e ditur se me kushtetutën e vitit 1974 të drejtat dhe liritë e shqiptarëve kishim arritur një avancimformal (pas Brioneve 1966), por ende ishte larg një zgjidhjeje të drejtë nacionale, politike, ekonomike e arsimore. Kosova kishte një autonomi më të zgjeruar, por ai statut nuk i plotësonte kërkesat legjitime që populli shqiptari shprehu në demonstratat e vitit 1968. Kërkesat e shqiptarëve u plotësuan vetëm pjesërisht (autonomi, kushtetutë e universitet). Zgjidhja politike që u bë në vitin 1974 ishte gjysmake, e pasigurt dhe e pa perspektivë. Për këtë pozicion të Kosovës udhëheqësit e Kosovës ishin në dijeni për qëllimet antiautonomiste të udhëheqësve serbë të shprehura pas vitit 1974. Tendencat serbe kundër autonomisë së Kosovës, për suprimimin e saj, shovinistët serbë do t’i formulonin në “Librin e Kaltër” më 1976/77.

Gjatë këtyre viteve udhëheqësit e Kosovës ishin shërbëtorë të bindur e ndër më besnikët në ish-Jugosllavi. Këtë thua se e bënin thjesht se kishin frikë nga garda e udhëheqësve nacionalistë serbë. Nuk ka asnjë dyshim ajo nuk ishte e zonja t`i bashkërendonte veprimet politike me organizimet klandestine që vepronin në Kosovë, Maqedoni e në Mal të Zi. Kur kihet parasysh qyqarllëku i tyre tradicional, ata e përdorën Pranverën shqiptare. Apo më saktë, Kryengritjen e vitit 1981 si pengesën kryesore për kalimin nga autonomia në republikë. Nëse udhëheqësit e Kosovës ishin frikacakë të heshtur, populli i Kosovës dhe sidomos rinia studentore e kishte kaluar Rubikonin.

Nuk ka asnjë dyshim, demonstratat e vitit 1981 ishin ngjarje më kulmore të historisë sonë më të re të pas Luftës së Dytë Botërore. Pranvera Shqiptare ‘81, si ngjarje e periudhë kërkon studim e analizë serioze, sa më gjithëpërfshirëse, nga historianët e rinj të liruar nga kurthet e ideologjisë së LKJ-së. Demonstratat e vitit 1981 ishin një rebelim në kohën e duhur dhe pa dyshim ndër më të fuqishmit e Evropës Lindore të pas Luftës së Dytë Botërore kundër një sistemi totalitar. Demonstratat ndonëse u cilësuan si kryengritje, në thelbin e tyre ishin paqësore, pasi pa përdorimin e dhunës po e kërkonte avancimin e statutit politik të Kosovës nga autonomia në republikë. Vetë kërkesa republikë në kuadër të Federatës Jugosllave e konfirmon fuqishëm se shqiptarët ishin kundër luftës. E kundërta e shqiptarëve ishin shovinistët serbë e maqedonas, të cilët u treguan më shumë se të zellshëm për t’i shuar më hekur e barot, me burgje e përndjekje të të gjitha formave, kërkesat e drejta të shqiptarëve. Gjithë zhvillimet e mëvonshme në Serbi e Jugosllavi e kanë konfirmuar shkallën e lartë të rrezikshmërisë së shovinizmit serb, madje jo vetëm ndaj shqiptarëve.

Kërkesat, e studentëve që mbështeteshin nga i gjithë kombi shqiptar do të ishin lehtëtë realizueshme, por për këtë natyrisht kërkohej vullnet politik nga krerët e federatës e të republikave të tjera të Jugosllavisë. Dhe ai vullnet në atë kohë mungonte, pasi të gjithë të tjerët në FJ ia kishin frikën nacionalizmit serb,i cili ishte në ngritje galopante në Serbi. Dhe përderisa shigjetat e nacionalizmit serbe (1986) nuk ishin drejtuar ndaj të gjithë joserbëve në Jugosllavi, sa për shqiptarët, drejtuesit e republikave të tjera nuk qenë të gatëm, pra hezituan për t’u ndeshur me atë shovinizëm. Por, koha tregoi se nuk do të shpëtonin lehtë. Ndoshta ishte fat në një fatkeqësi përmasash të paparapara e që Memorandumi 1 i ASSHA-së  ju tregonte të gjithëve se Serbia po përgatitej ethshëm për “beteja të reja”.

Po të analizoheshin të gjitha kërkesat e demonstratave që janë thirrur e shkruar që nga dita e parë e PRANVERËS SHQIPTARE, pa marrë parasysh nëse ishin politike, ekonomike, sociale, kombëtare a ideologjike, ishin në shërbim të Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Vetëm qëllimkëqijtë e të yshturit nga politika e Beogradit e kohës, siç ishin atëbotë disa udhëheqës shqiptarë, përpiqeshin me çdo kusht e në çdo mënyrë t’i ndërlidhnin me përmbajtje ideologjike kërkesat e rinisë e të popullit shqiptar. Natyrisht që kjo nuk ishte aspak e vërtetë, sepse çështja kombëtare ishte substanca kryesore e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Klandestine (të Fshehtë) që u legalizuan nga Pranvera e Studentëve Shqiptarë. Kërkesa për Kosovën Republikë ishte paqësore edhe për faktin se nuk kërkonte ndryshimin e kufijve të jashtëm të Jugosllavisë e as kufijtë e brendshëm të Republikave meqenëse kufijtë e brendshëm të republikave e të krahinave autonome ishin kufij administrativë.

Kryengritja e vitit 1981 ishte kryengritje e një viti sprovash të mëdha njerëzore për udhëheqësit shqiptarë të Kosovës. Nga kjo varej shumë se në ç’drejtim do të ecte Kosova. Udhëheqja e pati një mundësi të madhe të dilte në anën e rinisë shqiptare e të popullit shqiptar, në të kundërtën do të shndërrohej në një tellalle mjerane e shovinizmit serb të Beogradit! Për fatin e keq të saj e të popullit shqiptar, ajo nuk e bëri hapin e guximshëm për t’u shkëputur njëherë e mirë nga kolltukomania kolaboracioniste. Ajo pranoi jo vetëm nënshtrim pa kufi, por zgjodhi rrugën që të bëhej bashkëfajtore e platformës politike antishqiptare të serbëve të Beogradit. Me pranimin e kësaj rruge vërtet tradhtare, udhëheqësit e Kosovës e bënë gabimin e tyre më të madh, mbase edhe më të pafalshmin pas Luftës së Dytë Botërore. Pas tradhtisë që iu bë Luftës Nacionalçlirimtare më 8-10 korrik 1945 në Prizren, kur e pranuan aneksimin e Kosovës nga Serbia.

Demonstratat e vitit 1981 Beogradi u përpoq t’i shtypte me hekur e barot,vranë e burgosën shumë të rinj, të reja e intelektualë, por liria nuk mbytet dot me plumb, përkundrazi, shqiponjat e lirisë në furtuna i hapin flatrat e ndeshjes për jetë a vdekje. Për popullin shqiptar filloi një erë e re, era e qëndresës popullore, e cila hap pas hapi, por sigurt, po shkëputej nga vargonjtë e robërisë dhe kjo shkëputje ishte e domosdoshme. Dhuna serbe, që më vonë përfshiu të gjitha komunitetet e organizuara të shoqërisë shqiptare, nuk bëri gjë tjetër veçse e homogjenizoi kombin shqiptar në luftën për liri e Çlirim Kombëtar.

Gjatë viteve 1981-90 janë vrarë 183 qytetarë e 63 ushtarë. U dënuan 1.346 ushtarë, kurse për kundërvajtje politike u përgjigjën dhjetë mijë qytetarë, mbi 700.000  u morën në biseda informative nga UDB-a Jugosllave. Mbi tre mijë e pesëqind veta morën mesatarisht nga 7.1 vjet burg, që i bëjnë gjithsej njëzet e pesë mijë vjet burg apo 250 shekuj. Në vitin 1986 Kosova(sot Republika e Kosovës) e kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë në të gjithë Evropën, përfshirë këtu edhe Bashkimin Sovjetik. Në burgjet jugosllave më shumë se 80 % e të burgosurve politikë ishin shqiptarë ndërsa në strukturën e përgjithshme të popullsisë merrnin pjesë me 6-7%. Janë këto shifra që jo vetëm demaskojnë periudhën e “artë” të vetadministrimit jugosllav, por edhe akuzojnë të gjithë tellallët e politikës jugosllave. Ka nga ata që e vajtojnë edhe sot e kësaj dite krijesën Jugosllavi.

Në vitet 1990/91, mbi shtatëmijë nxënës e studentë u helmuan me helme të ndryshme lufte, mbi njëqind e njëzet mijë punëtorë u larguan nga institucionet e veta të ndërtuara me djersën e mundin e tyre dhe të popullit tonë. Gjatë këtyre viteve, pushteti okupues ka përdorur forma të ndryshme dhune për ta privuar shqiptarin nga të gjitha të drejtat, edhe nga e drejta për të jetuar në Kosovën e lirë e të pavarur. Gjatë këtyre viteve, armiku ynë shekullor, qëllim të veçantë kishte kapjen dhe shpartallimin e lëvizjes ilegale të rezistencës, e cila me zell të madh luftohej nga një kategori e udhëheqësve të Kosovës. Lëvizja me gjithë pasojat dhe vështirësitë, burgosjet, ndjekjet, vrasjet, arriti ta ruajë vazhdimësinë, mbajti të ndezur flakadanin e lirisë, edhe pse në kushte të vështira (të krijuara nga spiunët e paguar), u arrit të ruhet organizimi, për t’u ndërgjegjësuar, mobilizuar e bashkuar shqiptarët rreth flamurit të lirisë e të pavarësisë. Pas rënies së dëshmorëve të parë si Asllan Pireva, Naser Hajrizi me shokë, në vitet në vazhdim, në ballë të luftës vriten veprimtarët e dalluar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e shumë të tjerë që s`do t’i harrojmë kurrë.

Pas Pranverës Shqiptare të vitit 1981 për popullin shqiptar të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë e të Malit të Zi, e shkollarët në veçanti filloi një kohë e rëndë e me kthesa të papritura. Filloi një fushatë e egër kundër historisë, gjuhës, kulturës e arsimit shqip. Bëhej ky “spastrim”për veprat më të mira të letërsisë e të historisë kombëtare. Çdo gjë shqiptare po sulmohej, sulmi bëhej në mënyrën më çnjerëzore Nëna Shqiptare e cila me përbuzje krahasohej me lavatriqen, një makinë kjo për larjen e rrobave! Në këtë valle qe inkuadruar një pjesë e mirë e itelegjencies serbe/jugosllave, Kisha serbe dhe mediet e shumta të kohës. Demonstratat e vitit 1981-1990, përveç ritmit dhe kualitetit që sollën në jetën politike të shqiptarëve, ato u bënë shembull e burim frymëzimi për edukimin atdhetar të të rinjve në vitet në vazhdim në gjithë hapësirën e Kosovës së robëruar.

Tanimë, pas 36 vitesh, nuk ka asnjë mëdyshje, Kryengritja paqësore e Pranverës Shqiptare 1981 e përgatiti terrenin për Alternativën Demokratike Shqiptare dhe për Kryengritjen ushtarake, e cila u organizua, u udhëheq nga krijesa kulmore e Lëvizjes Kombëtare Klandestine për Çlirim – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga SHP i saj dhe Komandanti  Legjendar – Adem Jashari. Ky organizim, duke iu falënderuar edhe ndihmës ndërkombëtare e në veçanti SHBA-së, BE-së e NATO-s, në qershorin e vitit 1999 solli çlirimin e Kosovës e më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran e demokratik. Tani Kosova ka një subjektivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, pasi është njohur nga mbi 110 shtete të Botës dhe është bërë anëtare e shumë mekanizmave ndërkombëtarë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …