Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Pse nuk krenohem me realitetin e sotëm

Para dhjetë vitesh, në prag të zgjedhjeve të vitit 2007, e pata shkruar përse krenohesha me Kosovën. Atëherë të gjithë kishim arsye të ishim shumë krenarë! Se kishim besim dhe kishim shumë shpresa! Tani, në fillim të vitit 2017, gati dhjetë vjet pas, më duhet të them se nuk mund të krenohem me realitetin e sotëm në Kosovë. Se është kështu duket nga shpresat dhe besimi i tretur diku në këtë rrugëtim dhjetëvjeçar! Nuk mund të krenohem as me njerëzit e Kosovës, me mënyrën e me papërgjegjësinë sesi ata i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në të gjitha nivelet e pushtetit. Nuk mund të krenohem me peshën e vogël, me mos vlerësimin që ata ia bëjnë votës së tyre – peshë madhe. Vota rikthen ose humb shpresën dhe besimin. Nuk mund të krenohem me lehtësinë e mashtrimit të tyre nga mashtruesit, mashtrim që dita-ditës i varfëron gjithnjë e më tepër. Nuk mund të krenohem se varfëria i bën njerëzit gënjeshtarë, mashtrues, sajues e trillues. I bën të nënshtrueshëm, puthadorë, i lë pa nder e pa dinjitet. Kushdo që hyn vullnetshëm nën diktatin e krye mashtruesit, ai medoemos e humb çdo integritet e dinjitet njerëzor. Fat tjetër nuk mund të ketë. Mbrapshtitë që janë krijuar në institucionet e shtetit, dekadat nuk do të arrijnë t’i ndryshojnë. Prandaj nuk mund të jam krenar as me mashtruesin e as me të mashtruarit! Kurrë nuk kam besuar në mrekulli, nuk besoj as tani, por kemi pasur mundësi më të mëdha qeverisëse, se paku pas Pavarësisë, që  të ishim shumë më mirë sesa e kemi gjendjen e përgjithshme sot.

Do të doja të krenohem me të zgjedhurit e popullit, por a ka vend për të qenë krenar për atë që e pamë në fillim e në mbarim te vitit 2016 në Kuvendin e Kosovës?!

Por, a mund të krenohet ndonjë qytetar i Kosovës, me atë që ka parë gjatë vitit 2016 në organin e tij përfaqësues nga përfaqësuesit e tij të zgjedhur?

Nuk mund të krenohem me Qeverinë e Kosovës, me politikat e saj qeverisëse.

Nuk mund të krenohem me bisedimet e dëmshme që zhvilloi me Serbinë në Bruksel.

Nuk mund të krenohem me ata që për Kosovën shkuan e biseduan me Serbinë në Bruksel dhe e bënë hisedare në sovranitetin shtetëror!

Nuk mund të krenohem me demarkacionin me Malin e Zi.

Nuk mund te krenohem me humbjen e asnjë hektari të tokës sonë. Nuk mund të krenohem me Zajednicën, nuk mund të krenohem me Elektroprivreden serbe në Republikën e Kosovës. Nuk mund të krenohem me operatorin e Serbisë në Kosovë. Nuk mund të krenohem me kodin e telefonisë së Serbisë në Kosovë. Nuk mund të krenohem as me Murin e ngritur te ura e Ibrit. Nuk mund të krenohem që qeveritarët ia mundësuan rikthimin Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe dhe jo vetëm kësaj.

Krerët që bënë koalicionin e madh na lanë pa krenari. Gjithçka që kundërshtonin në fillim, më vonë ktheheshin dhe e legjitimonin. Kështu bënë me gjashtë pikat e Ban Ki Munit! Më vonë ecën në brazat e pikave të tij. Në fillim i kundërshtuan edhe pikat doganore, madje e morën edhe një aksion policor, por më vonë i legjitimuan ashtu siç deshën kriminelet serbë. E kundërshtuan ndërtimin e Lagjes në ”Lugun e Diellit”, por ajo u ndërtua. I kundërshtuan me fjalë kriminelet e Urës, pastaj i integruan në policinë e Kosovës. Kundërshtuan Elektroprivreden serbe, por më pas e legjitimuan. E kundërshtuan telefoninë serbe (operatorin e tretë), më pas e legjitimuan. Kështu do të ndodhë edhe me Murin, por edhe me çdo gjë tjetër. Për  gjithçka që këta njerëz e thonë një JO te krekosur, dihet se do të përfundojë me një PO të madhe të heshtur e tinëzare! Kështu ishte deri më tani, kështu do të vazhdojë edhe më tej.

Nuk mund të krenohem me Sistemin e Drejtësisë, të kapur nga krerët e korrupsionit. Nuk mund të krenohem me përndjekjet që iu bëhen njerëzve të luftës. Nuk mund të krenohem me Gjykatën Speciale, e cila veç i ka amnistuar kriminelët e luftës në Kosovë. Nuk mund të krenohem me krye pushtetarët që mbi ta rëndojnë akuza të rënda nga drejtësia vendore e ndërkombëtare. Nuk mund të krenohem me përgjegjësinë institucionale të njerëzve tanë. Nuk mund të krenohem dot me shtetin që kështu si ka nisur nuk do të bëhet kurrë shtet i së drejtës. Kush është ai njeri që mund të krenohet me nivelin e shkollës shqipe e shqiptarizmin në përgjithësi?! Unë nuk mund të krenohem me nivelin e dijeve në universitetet tona, publike a private qofshin. Kush mund të krenohet me ASHAK-unë?!

Ajo që e kam më shumë të vështirë ta pranoj, se nuk mund të krenohem, janë disa nga shokët e ilegales e të burgut, që janë tjetërsuar për interesa krejt meskine dhe janë bërë të shurdhër, sikur nuk shohin e nuk  dëgjojnë asgjë! Nuk mund të pajtohem me shumë ish-të burgosur, që kanë zënë ndonjë qoshe të ngrohtë për vete a fëmijët e tyre, futur nën sqetullat e përndjekësve të tyre apo pasardhësve të tyre. Assesi e me asgjë nuk mund të krenohem me përfaqësuesit e Luftës Çlirimtare dhe nivelin e tyre kulturor, edukativ e intelektual, mbase edhe politik. Seanca e fundit flet shumë për ketë kategori?!

Gjithsesi nuk mund të krenohem me heronjtë, dëshmorët, invalidët e veteranët e paqenë. Nuk mund të krenohem me barazimin e luftëtarëve të vërtetë me kundërshtarët e luftës çlirimtare, siç patëm dëgjuar në aferën “Pronto”, nga grabitësi më i madh i Luftës Çlirimtare! Se “te gjithë janë njësoj” apo “as këta nuk janë më të mirë se ata”! Pra na qenkan krejt njësoj, si ata që “luftonin” jashtë Kosovës e i dorëzonin armët armikut, si ata që i kishin nën gërshet e armikut, kokat e tyre, por edhe te familjeve te tyre na qenkan njësoj?! Vetëm njëri paska qëndruar mbi të gjithë të tjerët. Vetëm ai e ka të drejtën të rrënojë çdo gjë të fituar me flijime të shumta! Që pastaj brezat nuk mund ta riparojnë për dekada të tëra! Duhet të jesh i pa gjak që mos t’i parashikosh rreziqet që na presin me këta njerëz ne krye te institucioneve te shtetit?!

Këto gjera nuk me lënë rehat dhe nuk më bëjnë aspak te ndihem krenar!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …