Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, me rastin e nënshkrimit të sotëm të tri marrëveshjeve, Kosovë-Serbi ka thënë se nuk ka dyshim se një pjesë e njerëzve që janë marrë e merren me politikë, e dinë se çka është politika, po gjithashtu e dinë edhe cili është mundësia dhe ndikimi i tyre në politikën perëndimore. Në marrëveshjen e nënshkruar për komunikacionin ajror nuk pati ndonjë reciprocitet, pasi marrëveshja u nënshkrua nga ministri i një shteti me drejtorin e aeroportit të Sllatinës, por, atëherë ishim pa qeveri legjitime. Apo kësaj radhe do të kemi ndryshim, pasi vendi përfaqësohet nga Kryetari i vjetër dhe Kryeministri i ri?! Le ta shohim. Dëshira është që të shohim një reciprocitet të fuqishëm. Megjithatë, të presim e të shohim! Të gjithë jemi kureshtarë, që ta dimë se kush do ta nënshkruajë marrëveshjen e radhës? Më në fund e pamë, folën të mëdhenjtë e nënshkruan të vegjlit, ashtu sikur edhe dihej. Mbase, shumë shpejt do të dihet se çka prodhuan këto marrëveshje. Përvoja e deritashme nuk le hapësirë për ndonjë pritje të madhe.
