Në medie po flitet se këto ditë Qeveria do të dërgojë për miratim në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Kjo më obligon që politikës qeverisëse t’ia jap një sugjerim. Nëse koalicioni i madh qeverisës është formuar për të bërë punë të“mëdha”, të rëndësishme e në interes për kombin e shtetin, Qeveria nuk duhet ta dërgojë në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi pa një marrëveshje paraprake me opozitën, ekspertët dhe qytetarët, me qëllim që të merremi vesh sesi duhet të ecim së bashku tutje për çështje të interesit nacional. Pozicioni politik i Kosovës gjatë këtyre viteve nga ky koalicion qeverisës është dëmtuar shumë me marrëveshjet e bëra në Bruksel me Serbinë e që janë shumë të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. E dëmshme është edhe marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, sipas së cilës Kosova humb jo pak territor, ka shkruar mes tjerash Jakup Krasniqi.
Marrëveshja mes koalicionit qeverisës dhe opozitës duhet të jetë e qartë: Pozitë dhe opozitë duhet të merren vesh që Marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi të dërgohet në Kuvend për t’i thënë Jo! Vetëm kështu mund t’ju hapen rrugët procedurave të reja të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me marrëveshje të re dypalëshe ose dërgim në Gjykatën e Arbitrazhit. Marrëveshja kështu siç është nuk duhet të kalojë! Ajo e dëmton shumë tërësinë territoriale të Kosovës. Përpjekja për të ratifikuar marrëveshjen kështu siç është, krijon probleme të paparashikueshme! Dhe kjo s’i duhet askujt në Kosovë! Veprimet politike të partive të mëdha qeverisëse duhet të jenë më shumë sesa të përgjegjshme, ato duhet ndërprerë çdo veprim që dëmton kombin dhe shtetin. Në politikën tonë, shtetërore e kombëtare duhet të merren veprime politike që duhet matur shtatë herë, siç thuhet, për të prerë një herë, përkatësisht për të marrë një vendim të drejtë! Se a mund të fillojë arsyeshmëria e veprimeve politike me këta njerëz, është një pyetje dhe çështje tjetër! Nga ajo që kemi parë deri më tani, veprimet politike të krerëve të shtetit kanë lënë shumë për të dëshiruar! Presim që drejtimin e duhur për të dalë nga kjo situatë të mbarsur me rreziqe, vendit do t’ia japin zgjidhjen e duhur deputetët që përfaqësojnë interesat e kombit e të shtetit! Autonominë vendimmarrëse deputetit ia garanton Kushtetuta. Çdo presion mbi ata, ngado që vjen, nga shefat apo përtej tyre, është antikushtetues!