(Me ndryshime)
Ky shkrim është shkruar në vitin 2017 (tani me ndryshime), është përsëritur në shkurt të këtij viti, po e përsërisë edhe në fillim të qershorit 2019. Pse?
Është mënyra e komunikimit që po përdoret në organet më të larta të shteteve tona, në mediet tona të ashtuquajtura kombëtare po defilojnë personalitetet e larta, të tashëm e isha, të cilët po bëjnë gara kush kenë po e varros për se gjalli!
Ditëve të fundit kjo gjuhë është shtrirë edhe në shkollat tona, shembulli i këtyre dite ishte shkolla mesme e Burimit. Tani kjo gjuhë ka zbritur edhe në rrugët e qyteteve tona. Shembujt Lipjani e Ferizaj. Se rrjetet sociale e portale anonime e jo anonime lajmë e konsiderojnë lajmin e keq, gënjeshtrën, shpifjet e denigrimet prej më gërditësh.
Fatkeqësia është se ketë gjuhë denigruese e degraduese nuk ka përpjekje për ta penguar në asnjë segment të shoqërisë filluar nga familja, shkolla, universiteti, Kuvendi, Akademia e as “Elitat” e “Larta” të shtetit, mediet, portalet e rrjetet sociale nuk po i përmend se këto të fundit janë sponzoruesit kryesor të këtij degjenerimi shpirtëror, intelektual, kulturor e politik!
Koha është për alarm!
Ndoshta hapi i parë i edukimit duhet të jenë: familja e shkolla! Shoqëria jonë është në pritje të një pozitiviteti të ri kombëtar e shoqëror, një mirësjellje, edukim e kulturë njerëzore!
Në vazhdim shkrimi i vitit 2017 (me pak ndryshime):
Nuk ka asnjë dyshim, kombi ynë ka shumë nevoja jetësore, për të cilat duhet pasur një bazë të fortë ekonomike e financiare, por ka diçka që nuk kërkon shumë financa, kërkon vullnet të mirë e kulturë të mirësjelljes. Duhet ta pranojmë, populli ynë ka pasur kushte të renda jetese, por kurrë nuk e ka pasur ketë disnivel komunikimi njerëzor e shoqëror!
Njeriu i politikës, e sidomos përfaqësuesit e popullit dhe zyrtarët e lartë të shtetit duhet të bëjë përpjekje permanente për të mos qenë idhnak si Kryeministri e zëvendësi i tij i deritashëm. Shembulli më i mirë sesi nuk duhet më qenë idhnak e kemi parë, sidomos, ndonëse jo vetëm, pas deklaratave të krerëve të koalicionit, pas protestës së 17 shkurtit 2016. Opozita e bashkuar, gjatë një viti e sa, ka qenë e goditur me një fjalor primitiv e degradues.
Ajo nuk guxon të bëhet pjesë e ati komunikimi me asnjë kusht! Ndonëse as opozita jo gjithherë ka qenë e kujdesshme në përdorimin e gjuhës në debat e komunikim. Politika e shoqëria shqiptare në përgjithësi, e kjo e Kosovës në veçanti, duhet shpejt ta nxjerrë mësimin e parë sesi nuk duhet më komunikuar me kundërshtarin politik apo dhe me mendimin e kundërt brenda një lloji a bashkimi politik. Secili politikan që kërkon përgjegjësi publike, duhet ta ushtroj e kalitë me durim komunikimin publik, se gjuha edhe pse është prej tuli, “LENDON GUR E HEKUR”! .
Le ta kultivojmë me dashuri e përgjegjësi, kulturën e komunikimit, që kaq shumë na është degraduar! Cilido që nuk ka edukatë e kulturë komunikimi, sa më larg përgjegjësisë publike e politike. Se ajo që e nxjerr mikrofoni, kurrë nuk mund të kthehet prapa! Është më e shëndetshme për kombin tim, që të komunikojmë si njerëz me edukatë e kulturë!
Le të ik nga përgjegjësia politike e publike secili idhnak i pa përgjegjshëm dhe i pa kulturë!
Kombi ynë ka shumë nevojë për lider që kanë edukatë e kulturë, kanë dije e dashuri për t’i shërbyer kombit e ndërtuar shtetin e se drejtës!
Unë besoj që kemi njerëz që dinë, që duan të vihen në shërbim të kombit e të shtetit shqiptar!