Qeveritarët duhet ta dinë, si ata që janë në detyrë, e ndoshta më shumë se ata, ata qëi mbajnë frenat e qeveritarëve, se jemi në pandemi. Me (pa)përgjegjësinë që kanë udhëhequr deri tani nuk mund të ecet tutje.
Pandemia kërkon një logjikë e përgjegjësi tjetër për qeverisje. Kjo përgjegjësi e re kërkon që të hiqet dorë nga çdo autostradë e asfaltit që kërkon shpronësime enorme. Madje nuk duhet në ketë situatë as të mendohet për ndonjë zgjerim të ri të rrugëve magjistrale. Shteti e kombi duhet pasur për prioritet autostradë e pista të tjera si ajo e arsimit e të edukimit, e cila kërkon përkushtim e mendje të kthjellëta e të zgjuara, për të parë se nga e si duhet të ecim përpara. Me logjikën e atyre që frekuentojnë vetëm sallat e fitnesit apo Alpet Shqiptare, vendi nuk ecën si duhet drejt ardhmërisë. Pastaj, të mos harrohen autostrada e pista kategorish dhe prioritetesh të tjera që nuk janë pak dhe duhet përkrahja imediate e institucioneve të shtetit. Të qeverisurit kërkon përkujdesjen për çdo qytetar të vendit. Është e domosdoshme që të mirëmbahet edhe autostrada e bizneseve ekzistuese, edhe pse edhe aty e kanë hisen e tyre shumë kryeqeveritarë të sotshëm e të djeshëm. Pista herë-herë edhe të dyshimta e që duhen ndriçuar!
Ju që e keni provuar të qeverisurit deri dje, në situatën e re duhet të mendoni edhe për interesin e shtetit e të kombit, e jo për interesat tuaja se, ç’është e vërteta, e keni tepruar! Çka është tepër, tepër është! Vota jepet për qeverisje të mirë e jo për keqqeverisje. Dëshmi a nuk janë mocionet e shpeshta?!
Secili që është në politikë duhet ta dijë se edhe pa pandeminë, një logjikë e re e shkëputur nga qeverisjet e deritashme duhet që t’i merr frerët e të qeverisurit! Duhet ta dinë të gjithë ata që e kanë krijuar këtë gjendje, këtë keqqeverisje, se vetë ata zor se mund ta bëjnë ndryshimin!
E ndryshimi i parë i madh duhet të fillojë në të gjitha partitë politike që synojnë Qeverinë. Pasi të gjitha e kanë kontributin e vet në këtë “kulturë” e armiqësi politike! E Republika e jonë po vendnumëron në shumë sfera të jetës. Vendit i duhet arsimi, edukimi e zhvillimi, për të ndodhur kjo, vendit i duhet qeverisja e mirë dhe qeverisje të mirë nuk ka pa njerëz të dijshëm, pa njerëz që dinë e donë te qeverisin me përgjegjësi!