leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Rënia e Jasharëve mobilizoi kombin për liri

( Në 18 vjetorin e rënies së Adem Legjendarit,(1) dhe familjes së tij)

Drejtuesit e shtetit dhe pretendentet e tij, për të drejtuar shtetin, duhet ta adresojnë qartë e pa ekuivokë meritën e brezave që na sollën në ketë ditë. Nuk kam asnjë dyshim, se merita është e gjithë kombit, pasi i tërë kombi ka pranuar për shekuj, jetën si të “gjarprit nën gur” për t’i mbrojtur këto troje. Sigurisht që krye meritat ju shkojnë atyre që ishin më me integritet, që kishin guximin e gatishmërinë për tu përballur edhe me rreziqe të pa parashikueshme. Guximi e integriteti, i ka shtyrë përpara proceset politike që kanë mbajtur të gjallë idealin e çlirimit e të bashkimit kombëtar, kjo ka ndodhur të cilido komb në Botë. Por, nuk ka ndodhur në asnjë vend të Botës, që meritat t’ju adresohen atyre që nuk kanë pasur guxim e integritet për të luftuar për Liri e Pavarësi?! Çështjet, qofshin historike a politike, duhet të adresohen saktë, mbi bazën e fakteve, e të veprave politike e jo të dëshirave!

Shumë breza luftuam dhe u flijuan, u  ndoqën dhe u përndoqën për liri e çlirim dhe të gjithë se bashku e përgatiten ambientin dhe terrenin për brezin e Adem Legjendarit, për brezin e UÇK-së, që ta jetësojë idealin e brezave për liri e çlirim. Pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Komandanti i saj, Adem Legjendari janë: “buka, gjaku dhe jeta” e Shtetit të Pavarur, Sovran dhe Demokratik të Kosovës. Vargu i dëshmorëve të kombit është shumë i gjatë, është i të gjitha trojeve shqiptare, por balli i tyre ishte Adem Legjendari. Secili nga ne e din se Komandanti Legjendar Adem Jashari, nuk e ka arritur çlirimin e Kosovës nga Serbia, nuk ka marrë asgjë për vete a familjen nga Kosova, por i ka dhënë shumëçka e gjithçka që kishte ai e familja e tij fisnike.

Adem Jashari, nuk e jetoi lirinë në Kosovën e lirë, sepse preferoj vdekjen për liri e jo jetën në robëri. Rënia e tij dhe e Jasharëve Legjendar, mobilizoi gjithë kombin shqiptar për çlirimin e Kosovës. Liria e Pavarësia jonë, nuk do të vinin, pa flijimin e tij e të familjes se tij! Vetëm ajo rënie e madhe e mobilizoi kombin në luftën çlirimtare! Të tjerët kishte kohë që e kishin demobilizuar popullin e Kosovës, me frikën e luftës. Të ligj e anti njerëz janë të gjithë ata që përpiqen ta adresojnë kudo tjetër, vetëm jo aty ku është, Liria e Pavarësia e Kosovës! Më të ligj se mohësit, janë vetëm ata që u përpiqen dhe arritën te një masë e njerëzve, që dashurinë e tyre  për Legjendarin, ta kthejnë në dashuri për xhepin, barkun a një vend pune?! Kjo është tepër e dhembshme, madje e tmerrshme, sidomos për ata luftëtarë të orëve të para që shkelen mbi idealin e dinjitetin e tyre, të dëshmuar në një kohë tepër të vështirë e të mohuar në liri?!

Ketë fakt, faktin e mobilizimit të kombit për çlirim, nuk e kupton shumë kush, kur Adem Jashari më të drejtë krahasohet më personalitete legjendare të kombit, por ata nuk e kanë parasysh ose nuk  duan të kenë parasysh gjithë dimensionin e madhështisë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të familjes së tij.

Pse po e them ketë?

Po e them ketë se pa konsistencën e konsekuencën e Adem Jasharit për të formuar Formacionet e Para të UÇK-së, pa vazhdimin e rritjen e ushtarëve të UÇK-së, pa gatishmërinë për të luftuar e rënë për liri, nuk do të sigurohej vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ta themi shkurt, Adem Jashari me jetën dhe veprën e tij të pa kontestueshme, është themeluesi i UÇK-së, rreth të cilit janë bashkuar të gjitha bërthamat e UÇK-së anë e kënd Kosovës. Rasti i Adem Jasharit, rasti i Jasharëve Legjendar është rasti më unikat në Botë, i cili jo më jetën e tij, por më rënien e tij e të familjes, mobilizoj kombin shqiptar në luftën për Liri. Nuk e di, nëse ka në Botë, qoftë edhe një rast të tillë!

Në ketë 18 vjetor, kurrë më shumë se sot, në 17 vjetet e lirisë e 8 vjetet e Pavarësisë, nuk kemi pasur nevojë më të madhe për t’ju drejtuar liri-bërësve për t’i falënderuar për lirinë që e kemi dhe kërkuar falje deri në përulje për mëkatet që po i bëjnë qeveritarët dhe njerëzit e paguar nga ta! Qeveritarë që mandatin na e paskan marrë (si e kanë marrë nuk ka rëndësi), nga qytetarët?!

Të përfundojmë: E sotmja qoftë e mjerë siç po shfaqet  këto ditë, qoftë edhe e pa shpresë për momentin, në asnjë formë a mënyrë nuk mund ta zbehë e as shëmtoj, Lirinë e Pavarësinë e Republikës, nuk mund ta zvetënoj asnjë formë e meskinitetit njerëzor, Madhështinë e veprës së Dëshmorëve të Kombit – Shtetin e Pavarur, Sovran e Demokratik!

Lavdi Adem Jasharit!

Lavdi Familjes Jashari!

Lavdi Dëshmorëve të Kombit!

***

1 . Fjalori Shqip – shqip në internet, për fjalën legjendë/ar jep ketë shpjegim: Që është kthyer në legjendë, që është si në legjendë, që është karakteristik për legjendat; që bën trimëri të pashoqe, që mbetet i pavdekshëm, madhështor, i jashtëzakonshëm. Hero legjendar. Figurë legjendare. Luftë (epope) legjendare. Trimëri (qëndresë, vepër) legjendare. Forcë legjendare. (Fjalor Shqip-shqip)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …