Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Sa më shumë gjunjëzohesh, aq më shumë akuzohesh!

Nuk kam asnjë dyshim që lajmi i publikuar nga mediet serbe, se “Thaçi po përgatitet për të marrë veriun e Kosovës me NATO-n”, është një gënjeshtër e madhe ruse e serbe. Është gënjeshtër, meqenëse ka kohë që Thaçi nuk e ka fort hallin për ta mbrojtur tërësinë territoriale e sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Nuk kam asnjë dyshim se kjo gënjeshtër e radhës, që vjen nga Beogradi, ka për qëllim ruajtjen, kultivimin dhe vazhdimin e politikës serbe të shkatërrimit e të gjenocidit serb ndaj Kosovës. Këtë më se miri e konfirmon edhe mosgatishmëria e qeveritarëve në Beograd, për të mos realizuar as edhe një marrëveshje të “arritur” në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Ndonëse në ato bisedime, veç të tjerave, qeveritarët e Beogradit ishin zotuar që të mos e pengonin anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në fakt, ajo nuk e ka ndërprerë për asnjë moment aktivitetin e saj anti-Kosovë. Bile, përmes Listës Serbe, ajo është bërë hisedare në sovranitetin e Kosovës, pasi ministrat serbë vazhdojnë t’i përgjigjen Vuçiqit e jo Mustafës. Se bisedimet e Brukselit janë “llafe pa bukë” e tregon edhe “marrëveshja” e këtyre ditëve për targat, për çka dëgjuam lajme kontradiktore, “jo u arrit, jo nuk u arrit” marrëveshja!

Ç’ironi, fakti teksa Thaçi mundohet t’i bindë serbët se është i gjithë qytetarëve të Kosovës, kur u gjunjëzua në memorialin – pllakën përkujtimore – në Grackë e Vjetër të Lipjanit, ku shqiptarët quhen terroristë! Madje ai gafin më të madh e bëri pak ditë më vonë në Gorazhdec, kur vendosi lule pranë pllakës ku ishin të shkruar emrat e policëve serbë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky në fakt është skandal i madh politik! Pasi ata ishin pjesë e eskadrileve të vrasjeve të shqiptarëve, dhunimeve të grave e të zjarrvënieve të shtëpive e të pasurive të qytetarëve të Kosovës.

Kjo që trumbeton sot shtypi i Beogradit për Presidentin e Kosovës është një porosi e qartë për të, edhe pse është thjesht gënjeshtër! Ndaj Presidenti Thaçi kot gjunjëzohet para memorialeve, pllakave përkujtimore e monumenteve çfarëdoqofshin ato, të policëve serbë të vrarë në luftën tonë çlirimtare. Madje, aty ishin edhe emrat e disa të rinjve serbë, vrasjen e të cilëve as sot e kësaj dite nuk dihet se kush e ka kryer. Është i njohur rasti në kafen “Panda”, kur pushteti i Beogradit vrau disa të rinj serbë dhe më pas u akuzuan shqiptarët!!! Me këtë, e qartë sa s’ka ku vete, Beogradi dëshiron ta legjitimojë gjenocidin ndaj shqiptarëve…

President, sa më shumë që gjunjëzohesh aty ku nuk duhet, aq më shumë do të akuzohesh nga Beogradi! Është mirë që udhëheqësi politik i UÇK-së ta ruajë konsistencën e koherencën politike, po aq sa edhe integritetin e institucionit që tani përfaqëson! Sesa për integritetin tuaj personal dhe te të zgjedhurit tuaj për Kryeministër, i keni qitur në rrafshin horizontal. Shpresoj që te dyve u është i njohur fakti se serbët edhe për mikun, sopatën e ruajnë nën jastëk!

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …