Hipokrizia e kësaj qeverie dhe krerëve të institucioneve të Kosovës këtyre ditëve ka arritur kulmin që tejkalon përtej mendjes së shëndoshë të qenies njerëzore. Është fakt se “politika është art i se mundshmes”. Në politikë ka politikanë e politikanë, por politikanet e mirë janë vetëm ata që synojnë të “pamundshmen për të arritur të mundshmen”. Politikanët tanë nuk mund të konsiderohen, politikanë të mençur, pasi deri më tani kanë synuar minimumin e kanë fituar …. Kjo shihet edhe me rastin se si i qasen, dhunimeve të grave e vajzave nga kriminelet serbë në vitet e luftës çlirimtare. Edhe në ketë rast ata po shfaqen pehlivan mashtrues, ndaj gjenocidit serb, që vazhdon të mbetet i pandëshkuar. Ndërsa, mjerimi i njerëzve (grave tona) tanë po vazhdon. Po kalojnë 17 vjet pas përfundimit të luftës, 20.000 grave e vajzave shqiptare të dhunuara nga kriminelët e Serbisë, përsëri po iu krijohet një shpresë teorike dhe virtuale e rreme, se krimet e bëra ndaj tyre do të gjykohen….diku.
Por ku ? Kush do ta bëjë? Kur do të ndodhë kjo?
A mund të bëhet kjo nëpër takime e tryeza të pa bukë dhe konferenca për shtyp të pushtetarëve tanë manipulatorë?
Kjo vepër e gjenocidit serb, nuk mund të luftohet me Këshilla humanitarë, me deklarime para kamerave apo konferenca shtypi. Kjo hipokrizi vazhdoi edhe në takimin e organizuar nga Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale në të cilin morën pjesë edhe kryetarja në largim Atifete Jahjaga dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit. Përfaqësuesit e institucioneve sot përsëri prekën në ndjenjat dhe emocionet e të dhunuarave shqiptare 17 vjet më parë dhe iu krijuan atyre shpresë të rreme pa fije turpi dhe pa sqarim për gabimet dhe lëshimet e bëra deri më tash. Ishte një rast i mirë, për qeverinë e Presidenten që kjo çështje të trajtohej seriozisht e vendosmërisht në kohën kur është biseduar për Gjykatën Speciale. Por atëherë, qeveritaret dhe Presidentja në ikje, e kishin vetëm një qellim, si tua plotësonin dëshirën atyre që kërkonin themelimin e Gjykatës Speciale. Por ata, atëherë kur duhej të flisnin e të këmbëngulnin që Gjykata Speciale të merrej me të gjitha krimet e kryera në territorin e Kosovës e parësisht me ato serbe, heshtnin. E sot e krijojnë shpresën mashtruese se drejtësia do të vijë një ditë edhe për fatin e krimeve ndaj tyre. Kjo është më shumë se hipokrizi. Por Jahjaga e as zyrtaret tjerë kompetent në ketë paradë mediale, nuk u sqaruan se cila është adresa, ku do të dërgohen këta kriminelë dhe shteti i Serbisë për gjykim për këto krime monstruoze, pasi Tribunali në “mënyrë të turpshme po e përfundon punën e tij”. Jahjaga, Mustafa, Thaçi e Veseli etj., duhet të sqarohen, së pari, para 20,000 të dhunuarave pse partitë e tyre e votuan dhe e nënshkruan Gjykatën Speciale që ajo të merret vetëm me krimet e pretenduara të UÇK-së dhe se dyti, para çdo ushtari e qytetari atdhedashës?
Kjo që po e thonë sot zyrtarët e shtetit, duhej ta thoshin para se të krijohej Gjykata Speciale për dënimin e “krimeve” të UÇK-së. Të njëjtit duhet të ndërpresin ketë marketing të turpshëm politik dhe urgjentisht të bëjnë punë konkrete dhe të rikthejnë ligjet për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës dhe të zgjerojnë mandatin e tij. Këta pushtetarë duhet që të i rikthejnë këto ligje në mënyrë që gjykata të merret edhe me gjenocidin e Serbisë të ushtruar në forma të ndryshme në Kosovë. Kosova është e qytetarëve të saj. Përfaqësuesit e saj e kanë obligim që t’iu dalin konkretisht në ndihmë qytetarëve të vendit, dhe në rastin konkret edhe krejt viktimave të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës 1998-1999. Konkretisht Jahjaga, Mustafa, Thaçi e Veseli duhet që të kthejnë lëndën e Gjykatës Speciale në Kuvend, që t’i ndryshojnë ligjet e miratuara që edhe krimet e Serbisë ne Kosove të gjykohen pikërisht në këtë gjykatë të Kosovës me seli në Hagë.
Çdo adresë tjetër është imagjinare dhe e rrejshme. Çdo paraqitje publike e këtyre përfaqësuesve për krimet serbe, pra edhe për 20.000 grat e dhunuara është gënjeshtër dhe torturim i ri për viktimat e gjenocidit serb. Arsyetimet e tyre se BE dhe SHBA nuk do ta lejonin këtë ndryshim në gjykatën speciale, janë fshehje dhe ikje e turpshme nga përgjegjësia e tyre institucionale. Kosova është e jona dhe obligimet për përkujdesjen ndaj qytetarëve tanë dhe vendit janë tonat dhe e askujt tjetër. Ata mandatet i kanë marrë nga qytetarët e jo diplomatët e huaj, me gjithë respektin për ata. Gjykata është ngritur për Kosovë dhe do të merret me krimet e kryera në Kosovë. Ajo është votuar nga kuvendarët e Kosovës. Qytetarët e saj nuk janë lodra për marketing politik e publik. Përndryshe turpi që po bëhet këtyre ditëve me ndjenjat e viktimave të luftës, pra edhe 20.000 grave të dhunuara nuk është tjetër veçse krim i dyfishtë dhe i cili rëndon mbi kurrizin e viktimave të dhunuara nga kriminelët që vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi. Është arsyetim mjeran thënia se, Serbia nuk do t’i ekstradonte kriminelët!
Atëherë për çfarë drejtësie po flasim?
Çmenduria politike e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës duhet të marrë fund menjëherë dhe ringjallja e përgjegjësisë së tyre duhet të fillojë me Gjykatën Speciale. Përndryshe fëmijët tanë do të na mallkojnë për turpin që e ka mbuluar Kosovën e mjerë nga shkatërrimtarët që me kthetrat tyre e kanë bërë Kosovën dhe qytetarët më shumë se lodër. Mjaftë më me gënjeshtra dhe manipulime. Mjaftë më nënshtrimit në sy të botës. Fati i kriminelëve të Serbisë është në duart e kuvendarëve të Kosovës, atyre të PDK-së, LDK-së, pasi këta u detyruan të votojnë nga shefat e tyre. E prej aty, pra Kuvendit, duhet të vazhdojë dhe të përfundojë në Gjykatën Speciale në Hagë. Vetëm kështu kriminelet vendosën para drejtësisë.
Diplomatët e BE-së dhe të SHBA-ve nuk kanë çfarë të përzihen në votën e parlamentit dhe të jenë pjesë e lojës së deritashme me pushtetarët tanë për Gjykatën Speciale. Ata kanë të drejtë të përzihen, por vetëm duke kërkuar vendosjen e standardet e drejtësisë së vendeve të tyre. Por, assesi që të jenë në shërbim të mashtruesve! Drejtësia do të jetë e plotë dhe e paanshme vetëm nëse Ligji për Gjykata Speciale rikthehet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kriminelet serb të luftës dhe dhunuesit duhet të përgjigjen para drejtësisë.