Politika sot, si asnjë segment i shoqërisë shqiptare (dhe jo vetëm shqiptare!), ka nevojë të humanizohet dhe të ndërgjegjësohet për të qenë në shërbim të qytetarit, në shërbim të kombit e të shtetit për ç’gjë aq shpesh përbetohet. Fjalën e kam për politikën me fytyrë njerëzore, politikën me parime, politikën që është në shërbim të njerëzve dhe për njerëzit. Politika duhet të lirohet nga njerëzit që këtë e trajtojnë si biznes, për përfitime personale e të paligjshme, që e trajtojnë si kusari e plaçkë. Politika është shërbim dhe duhet të mbetet në suaza të këtij shërbimi, thjesht, duhet të mbetet politikë me fytyrë njerëzore! Politikë për t’i shërbyer shtetit e kombit. Ashtu siç i shërbyen kombit me dashuri, përkushtim e sakrifica të shumta aq breza para e pas vitit1912/1913, gjithë deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës 1999/2008.
Lufta për Liri qe vepër e një idealizëm i madh, për çlirim e bashkim kombëtar, pa të cilin idealizëm nuk do të ishim këtu ku jemi sot – të lirë e të pavarur.
Këtu ku jemi sot i kemi një mijë e një arsye të mos jemi të kënaqur, prandaj na duhet shumë, shumë idealizmi puritan për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për t’i shërbyer kombit për përmbylljen e aspiratës kombëtare për shtetin e së drejtës, për shtetin e drejtësisë sociale dhe të mirëqenies kombëtare.
Këtë idealizëm të çiltër, thuaja hyjnor, nuk e gjen dot dhe nuk do ta gjeni kurrë te politikanet profiterë, egoistë, të padijshëm e joparimor. Nuk e gjen as te politikanët që më lehtësi, pa informacione profesionale, e që në emër të “mbrojtjes” së të drejtave të njeriut, i shkelin me lehtësi tiranesh të drejtat e njerëzve, të cilët nuk mendojnë si ata. Secili njeri, sidomos politikani, që synon pushtetin politik, duhet ta ketë gjithë në mendje se të drejtat e njeriut ose janë të drejta njerëzore, ose në të kundërtën, nuk janë kurrfarë të drejtash.
Politikani apo politikanët duhet ta dinë se politika qyshkur i ka ndarë pushtetet në mënyrë që ato të jenë të pavarura e në zbatim të ligjeve. Prandaj ajo që i lejohet një pushteti nuk i lejohet tjetrit. Politikanët tanë nuk mund të bëhen njëkohësisht edhe shërbyes i popullit, edhe prokuror e gjykatës. Një politikë që vetes ia jep të gjitha pushtetet është apo çon drejt tiranisë, despotizmit, diktaturës, e çfarë jo tjetër, por kurrë një DEMOKRACI e mirëfilltë. Cilido politikan që me lehtësi shfaq arrogancë kur është pa pushtet, mos prit kot se do të jetë tjetër gjë kur do të vishet me pushtetin politik (lexo: ekzekutiv), për faktin se është e pamundshme që pushteti politik t’ia zvogëlojë arrogancën e rrugaçërinë.
Secili politikan duhet ta dijë se pushteti politik në Demokraci nuk merret për t’iu shkaktuar njerëzve të tjerë dhimbje e vetes kënaqësi sadiste! Pushteti merret për t’iu shërbyer njerëzve me edukatë e kulturë, për t’iu krijuar atyre mirëqenie, për t’iu krijuar mundësi për t’i treguar vlerat e mundësitë e tyre njerëzore, intelektuale e profesionale, për të krijuar perspektivë e bërë të dinjitetshëm të gjithë qytetarët, kudo ku ata jetojnë e punojnë, për të forcuar shtetin e së drejtës me të cilin do të ishin krenarë të gjithë shtetasit e tij.
Përndryshe, akuzat dhe kërcënimet do të jenë veç fillimi…