Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Shqipëria dhe Kosova janë të lira aq sa i shpëtojnë robërimit nga politikanët e vet grabitçarë

Duke lexuar librin e George Friedman-it “100 vitet e ardhshme” të botuar nga Shtëpia botuese “Plejad” në Tiranë në vitin 2010 më la një përshtypje të madhe qëndrimet dhe analizat e tij lidhur me Kontinentin Evropian. Shkoqitja e këtij segmenti nuk zhvlerëson tërësinë e temave që trajton ky autor në librin e lartpërmendur. Qëllimi i përqendrimit tim në këtë çështje ndërlidhet me situatën e shqiptarëve në këtë pjesë të Kontinentit evropian.

George Friedman-i fokuson analizën e vet në kontributin e madh që evropianet dhanë në aspektin global si të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike, ashtu edhe ato kulturore dhe politike. Si rezultat i angazhimeve të gjithanshme përgjatë disa shekujve rresht “anijet evropiane, armët dhe paratë e tyre mbizotëruan botën dhe krijuan sistemin e parë global, Epokën Evropiane…”. Dhe, sipas autorit, “këtu qëndron ironia: Evropa mbizotëroi botën, por dështoi në zotërimin e vetvetes. Evropa për pesëqind vite u përça mes luftërash civile dhe, si rezultat, nuk pati kurrë një Perandori Evropiane– në vend të kësaj pati një perandori britanike, një perandori spanjolle, një perandori franceze, një perandori portugeze e kështu me radhë. Kombet evropianë e sfilitën vetveten nëpër luftëra të pafundme me njëri-tjetrin, ndërkohë që ata pushtonin, nënshtronin dhe, në të vërtetë, sundonin pjesë më të madhe të botës”. (Vepra e përmendur f. 49).

Thuhet se krahasimet çalojnë apo nuk paraqesin shkallë të lartë besueshmëri. Megjithatë mendoj se krahasimi që do të bëj në mes asaj që thuhet në këtë libër për Evropën dhe fuqinë e saj dhe shqiptarët më duket e qëndrueshme. Në këtë krahasim nuk pretendoj që shqiptarët të kenë mbizotëruar botën, por është fakt i pakontestueshëm historik që shqiptarët kanë qenë udhëheqës perandorish dhe mbretërish të shumta duke filluar nga Konstantin i Madh i Perandorisë Romake e deri te themeluesi i Egjiptit modern , Mehmet Ali Pasha e pasardhësi i tij, Faruku i Parë, Mbreti egjiptian. Sipas Tucoviqit “ i parin e dinastisë së Karagjergjeviqëve, Karagjorgje Petroviqi, është me origjinë shqiptare”. (Dimitrie Tucoviq: Serbia dhe Shqipëria; botim i “Zërit”, Prishtinë 2010, 38 f) Është e ditur se shqiptarët patën rol të rëndësishëm në revolucionin grek, sa edhe në parlamentin e parë grek pas pavarësisë është folur gjuha shqipe.

Kontributi i shqiptarëve për të forcuar Perandorinë Romake, Bizantin, Perandorinë Otomane dhe mbretëri të ndryshme është i njohur botërisht. Por fatkeqësia qëndron se angazhimi i tyre jo vetëm që nuk i ka forcuar pozitat e vendit të tyre (fillimisht Ilirisë, Arbërisë e më vonë Shqipërisë), por përkundrazi, pikërisht nga këto perandori ku kontribuuan shqiptarët qenia jonë kombëtare është rrezikuar shpesh edhe me humbje të mëdha territoresh. Përveç përfitimeve personale të shqiptarëve të angazhuar për të tjerat, pasuria e vendit tonë u plaçkit në mënyrën më barbare të mundshme. Tragjedia qëndron se pikërisht me pasurinë tonë të plaçkitur armiqtë na kanë luftuar deri në përpjekjet për asimilim e asgjësim.

Zhvillimet politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha territoret e banuar me shumicë shqiptare në Ballkan nxorën në shesh faktin se përçarjet dhe interesat e veçanta të grupeve apo individëve të caktuar minuan projektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që të kemi një strategji unike kombëtare për mbrojtjen dhe zhvillimin e tërësisë sonë territoriale. Edhe 105 vjet pas pavarësimit të një pjese të territorit tonë dhe krijimit të shtetit shqiptarë historia na tregon se eskluziviteti i interesave të caktuara dominoi mbi interesat e përbashkëta për t’u paraqitur si një forcë unike në Ballkan. Edhe 18 vjet pas çlirimit të Kosovës, interesat e veçanta të grupeve të caktuara dominojnë mbi interesat që të dalim me një platformë të përbashkët që të ketë një konsensus për çështjet fondamentale në interes të kombit tonë.

Fatkeqësisht logjika që përdoret në institucionet tona shtetërore dhe politike në të gjitha viset shqiptare është logjikë e konfliktit brenda shqiptar që dobëson substancën tonë kombëtare në segmentet më vitale. Pikërisht në këtë segment mund të tërhiqen paralele me konstatimin e autorit të lartpërmendur se evropianët sfilitën vetveten në vend që të bëhen fuqi.

A ka tragjedi më të madhe për një komb kur pas 105 vjet pavarësie dëgjohen konstatime si ato të kohëve të fundit në Tiranë se  “edhe pas 27 viteve shqiptarët nuk janë të lirë”. Apo, edhe më tragjike se kaq kur një artist i përkatësisë shqiptare nga Kosova deklaron në mediat serbe se “ dikur në Beograd jetohej bukur kurse Kosova sot është një diktaturë”!

Përtej nostalgjisë që dikush mundur të ketë për të kaluarën, faktet dëshmojnë se një numër shumë i madh i qytetarëve në Kosovën e Lirë nuk e shohin asnjë perspektivë. Madje, pa perspektivë nuk shohin as lirinë si mundësi për të zgjeruar fushën e lirisë.

Fatkeqësisht për shkak të logjikës së përfitimeve individuale dhe grupore që mbizotëron në qarqet udhëheqëse të partive politike dhe institucioneve shtetërore kemi ardhur në situatë analogjike me atë që  George Friedman-it deklaron për evropianët. Nëse parafrazojmë këtë autor atëherë lirisht mund të themi se klasa politike e ka sfilitur qenien tonë kombëtare dhe i ka rrezikuar themelet e lirisë e të pavarësisë sonë.

Por kjo situatë nuk duhet të na demoralizojë. Nëse aktualisht Shqipëria, Kosova dhe vendet e banuara me shumicë shqiptare janë të lira aq sa i shpëtojnë robërimit nga politikanët e vet grabitqarë, atëherë na mbetet që të mobilizohemi maksimalisht që të ndryshojmë këtë gjendje, duke u hequr mbështetjen atyre që na grabisin pasurinë dhe lirinë tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …