leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Skena jonë politike duhet të çlirohet nga mitet dhe mesionarizmi

Ditë më parë, duke e trajtuar çështjen se nga duhet drejtuar tehu i opozitarizmit, në kontekstin e vetëmjaftueshmërisë politike, përmenda në kuptimin figurativ të fjalës edhe shembullin e Narcisit për të cilin njohuritë elementare i marrim nga mitologjia greke.

Sa herë që nuk mund të gjendet një harmonizim i qëndrimeve të partive politike, analistët e hapësirës sonë politike, madje jo vetëm ata, fajësojnë: “fytyrësinë”, “pafytyrësinë” apo “dimensionin narcisik” të liderëve si arsye të dështimit,edhe pse dështimet në politikën tonë janë shumë më të thella sesa cilësimet e përmendura më lart. Sigurisht që problemi nuk është pse njeriu është i dashuruar në vetvete, por pse nuk e sheh e as e vëren asnjë dashuri tjetër në rrethin e tij. Ashtu si Narcisi, që nuk e vërente bukurinë e dashurinë e Nimfave!

Në mitologjinë greke është i njohur miti mbi Narcisin. Dihet se sipas këtij miti bëhet fjalë për një njeri që kishte një dashuri të veçantë për veten e tij. Narcisi shpesh përkulej mbi ujin e liqenit për të parë imazhin e tij. Në rase të tilla Narcisi nuk dëshironte të shihte rrezikun. I dashuruar në imazhin  e vet, ai harroi se uji, që pasqyronte imazhin, nuk ishte Narcisi. Një ditë, si mospërfillës që ishte ndaj çdo bukurie rreth tij, edhe ndaj bukurisë së liqenit, u përkul pak më tepër për ta ledhatuar me kënaqësi e dashuri imazhin e vet, mbytet në liqen!

Kjo nuk do të thotë se përmes këtij miti kritikohet rreziku nga dashuria, që mund të kemi për vetveten, se njerëzit kanë të drejtë edhe ta duan veten. Kritika drejtohet ndaj rrezikut që të trajtojmë realitetin e jashtëm si të ishte “kallëp” i imazhit tonë. Ai u verbua aq shumë, sa nuk shihte se uji dhe imazhi që shihte ai nuk ishin një!

Në përputhje me këtë aspekt të funksionimit, një numër i konsiderueshëm i sociologëve theksojnë se për personalitetin narcisik aktivitetet kolektive nuk kanë kuptim, pos në rastin kur i mundësojnë atij që në “sipërfaqen” e asaj mase të pasqyrohet imazhi i tij!

Më duket interesant të përmend edhe aspektin tjetër që rrjedh nga ky mit. Sipas mitit grek, pasi u mbyt Narcisi, nimfat shkuan ta “ngushëllojnë” liqenin! Si ngushëllim do të përmendnin se liqeni kishte pasur fatin që ta kishte afër Narcisin, të shijonte bukurinë e tij sa herë që përkulej për të parë vetveten…

Liqeni, si në mit, ia ktheu Nimfave me habi: Vërtet paska qenë i bukur Narcisi? Unë asnjëherë nuk e kam parë atë bukuri. Përkundrazi, sa herë përkulej Narcisi, në sytë e tij shihja bukurinë time!

Skena jonë politike duhet të çlirohet nga mitet dhe mesionarizmi që të shihet realiteti ashtu si është, se pa e parë si të tillë nuk mund ta ndryshosh dot. Secili duhet ta dijë se forcat politike veprojnë në përputhje me vizionet që i bashkojnë anëtarët dhe simpatizantët e tyre.  Bashkimet eventuale për një kauzë të caktuar nuk duhet t’i verbojë udhëheqësit e tyre deri në atë shkallë sa në “sipërfaqe” të masës të shohin vetveten! Duhet ta shohin goxha me sinqeritet edhe “hisen” e natyrshme të të tjerëve në bashkëveprimin politik për ndryshim.

Në sipërfaqet e ujërave politike lundrojnë anijet e përmasave të ndryshme dhe secila e ka rolin dhe destinacionin e vet. Por, secila i ka shenjat identifikuese,të cilat e dallojnë nga të tjerat. Ndodh shpesh që kapitenët dhe lundruesit e anijeve nuk janë të njëjtit gjithmonë. Ajo që është e pandryshueshme mbetet molekula e ujit, e cila mund të pasqyrojë imazhin e secilit, por mjerë ai që ngatërron imazhin e vet me ujin!

Në jetën politike të një shoqërie bashkimet e përkohshme rreth projekteve të caktuara apo ndarjet eventuale duhet të shihen si pjesë përbërëse e luftës politike. Si rezultat i këtyre luftërave mund të prishet “opozita”, siç mund të prishet “pozita”. Pritjet e njerëzve të caktuar që të përjetësohet një projekt i caktuar nuk duhet t’i verbojë deri në atë shkallë sa të kalojnë në akuza për “tradhti” dhe t’i cilësojnë të tjerët si “faqe e zezë”.

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë so Shqipërinë

Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …