leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Na gënjyet dje, po na gënjeni edhe sot

Shpjegimin dhe kërkim faljen ua keni borxh shqiptarëve të Kosovës, LDK-së e Ibrahim Rugovës, UCK-së dhe individëve që i linçuat si LDK-ista dhe rugovista, me çka dobësuat jo vetëm luftën çlirimtare, por edhe pas luftën, duke mos e krijuar Qeverinë e Përbashkët të Kosovës edhe pse kishte një vullnet ndërkombëtar për ta pranuar atë qeveri.

Është e drejtë e secilit njeri të ndryshojë mendim apo të transformohet, ndonëse tjetërsimi duhet të ketë arsye të forta dhe kërkon shpjegime të shumta, ashtu si duhet të shpjegojnë shumë para opinionit, drejtuesit binjak të PDK-së (Thaçi – Veseli).

Kur na gënjyet: në vitet 1997/98 e 99 e  deri në vitet 2000/ 2006 apo pas vitit 2007 e deri më sot?

Para, gjatë e disa vite pas Luftës Çlirimtare, Ju dy, jo vetëm keni qenë kundërshtarët më të mëdhenj të Rugovës, por çdo përpjekje për t’i zbutur raportet me Rugovën dhe LDK-në e keni quajtur tradhti. Dhe jo vetëm kaq, por Ju keni qenë penguesit kryesor që të arrihej çfarëdo marrëveshje në mes Ibrahim Rugovës, Qeverisë në egzil të Bukoshit në një anë dhe LPK-së e UCK-së në anën tjetër. Me politikën tuaj kundërshtuese ndaj çfarëdo përpjekjeje për t’i bashkuar shqiptarët në luftën çlirimtare, për t’i bashkuar mjetet financiare të Fondit të 3% me Fondin “Vendlindja Thërret”, Ju keni dobësuar në çdo segment Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri. Pengesa kryesore për mos bashkimin e popullit e të politikës në luftën çlirimtare ishit Ju dy. Tani nuk kemi as një dyshim, atë e paskeni bërë, për të ruajtur pushtetin tuaj mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E them ketë me bindje se edhe përkuljen që e bëtë të varri i Rugovës, njëri pas tjetrit nuk ka asnjë fije sinqeriteti e pendimi, e bëni për pushtetin tuaj personal e jo pse ju han malli për të ndjerin Rugova apo sot ndërtimin e shtetit të së drejtës, shtetin me ekonomi të zhvilluar, shtetin e dijes apo të drejtësisë sociale. Interesi i kombit për bashkim ishte, para, gjatë e në vitet e para të pas luftës çlirimtare për të qenë bashkë, nderuar e respektuar njëri – tjetrin. Pse nuk e bëtë asnjë përpjekje të vetme për atë bashkim kur ishte domosdoshmëria, por e bëtë vetëm pas vdekjes së tij?

II

Duke u nisur nga këto fakte të pa kontestueshme, Ju, Hashim e Kadri e keni për obligim që t’i kërkoni falje shqiptarëve të Kosovës, të cilët kaluan një luftë tepër të vështirë! Një Golgotë të vërtetë! A e ndjeni sot ndonjë përgjegjësi?

T’i kërkoni falje çdo ushtari të UCK-së, të cilët në shumë raste kishin mungesë buke, sesa për armë mos të flasim, ato i kishim gjithnjë mungesë!

 T’u kërkoni falje gjithë familjeve të Dëshmorëve e të martirëve dhe çdo njeriu që e akuzuat për LDK-izëm !

T’i kërkoni falje çdo invalidi e veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

T’u kërkoni falje edhe shokëve tuaj që besuan në fjalët tuaja e ju më vonë i diferencuat, mbase edhe më shumë se kaq!

Dhe jo vetëm t’ju kërkonit falje, por edhe t’ia shpjegoni opinionit të gjitha arsyet, pse ia betë këto dëme të mëdha popullit shqiptar të Kosovës atëherë! Madje çka ju shtynë sot t’i bëni dëme të mëdha sovranitetit të shtetit?

Me arrogancën tuaj, për interesat tuaja meskine, për pushtetin tuaj krejt personal, Ju popullit tonë i keni shkaktuar dëme të pa riparueshme!

III

Pak muaj pas luftës, e bëtë të dështojë përpjekjen e madhe të Ambasadorit të ndjerë Hollbruk dhe Shefi i UNMIK-ut Kushner, të cilët kërkuan nga liderët politik të Kosovës që ta formonin qeverinë gjithëpërfshirëse të cilën ata u zotuan se do ta njihnin. Sërish, kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj ishit Ju dy, drejtuesit e PDK-së, njëri në “diell” e tjetri në “hije”! Edhe ky veprim ishte i dëmshëm për Kosovën e lirë. E keni për obligim t’ia tregoni qytetarëve të gjitha arsyet, pse e bëtë ketë?

Në kohën e qeverisë së dalë nga zgjedhjet e vitit 2001, pas formimit të qeverisë, kur Kryeministri Bajram Rexhepi i shkoi Rugovës në Rezidencën e tij, ju nuk pat lënë gjë pa i thënë.

Te cilido anëtarë i Kryesisë së PDK-së që do të merrte guximin të shkonte të “Presidenti historik”, që tani po e quani, do ta anatemonit dhe në heshtje do ta diferenconit. Atëherë kështu ishte e tani, çka ndryshoj?

Përfundimi

Kur ishte interesi më i madh që të “vlerësohej” puna e Rugovës dhe e LDK-së, atëherë apo sot?

Si ta quajmë gjestin tuaj të “ri”? Hipokrizi apo diç më shumë se kaq?!

Ju, nuk vepruat kështu atëherë kur ishte interesi ynë nacional! Çfarë ndryshime u bënë, që tani të tjetërsoheni apo ju tjetërsoi dëshira e juaj e sëmurë për pushtet në shtetin e degraduar skajshmërisht, po nga Ju dhe kundërshtari i juaj i djeshëm e aleati i sotshëm, Isa Mustafa!

E keni të drejtën edhe të transformoheni, por jo pa u kërkuar falje të gjallëve dhe të vdekurve që nga viti 1997/98 e krejt deri më sot!

Të jemi korrekt, nuk po themi se pala tjetër ishin engjëj, edhe ata mbajnë përgjegjësi të shumta dhe që dihen botërisht, por ju atëherë e përdoret forcën për të përjashtuar një pjesë të madhe të kombit?! Ndërsa sot u gjunjëzuat disa vjet pas vdekjes se Rugovës për t’i thënë opinionit se ju “engjëjt” e sotshëm, të “tillë” ishit edhe dje?! Por dikush tjetër ua paska pas prishur “ndershmërinë” tuaj?!!! Kjo është arsyeja kryesore që sot kërkohet nga ju që të shpjegoheni para qytetarëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj të luftës, të Lirisë e të Pavarësisë! Vetëm kështu, gjunjëzimi i juaj merr kuptimin e pendesës  historike të “ndershmërisë”?!

Jakup Krasniqi: Të vetmit pengues të liberalizimit të vizave janë qeveritarët

Kur njeriu me aftësi mesatare politike dhe intelektuale i dëgjon qeveritarët tanë të thonë se: “askush me asnjë agjendë ditore nuk mund të cenojë procesin e liberalizimit të vizave”, do t’i shtonte, përveç qeveritarëve të Kosovës. Me ketë konstatim të plotësuar do të pajtohesha plotësisht, por duhet cekur se penguesit kryesor, mbase edhe të vetmit janë qeveritarët tanë. Nuk ka asnjë dyshim se penguesit kryesor të çdo progresi në jetën institucionale, publike, ekonomike e shoqërore në Republikën e Kosovës, janë vetë qeveritarët (të parët e institucioneve).

Pse qeveritarët janë penguesit kryesor, jo vetëm për liberalizimin e vizave?

Janë këta qeveritarë që me akrobaci të ndryshme kanë penguar sundimin e rendit e të ligjit, kanë politizuar e defunksionalizuar çdo institucion të pavarur të shtetit, kanë penguar zhvillimin ekonomik të vendit, nuk kanë krijuar ambient të përshtatshëm për investime të jashtme, kanë politizuar e paaftësuar funksionimin e Sistemit të Drejtësisë, kanë rrënuar Sistemin e Arsimit publik e privat (sidomos Arsimin e Lartë), kanë rrënuar shëndetin publik, kanë degraduar Ambientin dhe Planifikimin hapësinor. Me të gjitha këto veprime të numëruara e shumëçka tjetër të pa cekur këtu, këta qeveritarë, janë përgjegjësit kryesor të ngecjes së shumë proceseve progresive e zhvillimore, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave, ndonëse liberalizimi i vizave nuk është nder më kryesori i nevojave imediate të qytetarëve, ngase nuk ka çështje më imediate për qytetarët tanë sesa siguria për punë e jetë të dinijtetshme.

Po t’i dëgjojmë e lexojmë deklaratat e qeveritarëve dhe te Presidentit, nuk është e vështirë të shihet se këta njerëz nuk donë të dinë se çka është Kushtetuta e ligjet. Këta njerëz, po thuajse pa përjashtim, punën e demarkacionit e quajnë punë të mbyllur, kur dihet fare mirë se kjo çështje mund të quhet e mbyllur vetëm kur ratifikohet me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa ratifikimi në Kuvend nuk ka ndodhur. Atëherë si ka mundësi që demarkacioni të jetë “çështje e mbyllur”?! A nuk është kjo përpjekje e tyre për t’ia imponuar Kuvendit vullnetet e tyre personale?

 Atëherë pse këta çështjen e demarkacionit e quajnë të mbyllur?

Natyrisht, Presidenti i zgjedhur në një situatë të shtetrrethimit, që mban përgjegjësinë kryesore të nënshkrimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, nëse nuk do të kalonte ratifikimi e të rishikohej demarkacioni, ku do të vëreheshin lëshimet e Komisionit Qeveritar, Presidenti do te duhej të dorëhiqej, prandaj ai ketë çështje vrapon që ta quaj “çështje të mbyllur”. Për të tillë qeveritarë, nuk ka rëndësi sesa humbë territor Republika e Kosovës, e rëndësishme është që gjithçka në Kosovë të jetë në shërbim të tyre?! Vërtetë, është për një studim dhe analizë të shumanshme shkencore, pse Presidenti vazhdon të prononcohet më shpejtësi marramendëse për këto çështje: për demarkacionin, për “zajednicen”, për pronën e grabitur të deçanasve nga Gjykata Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, për mbështetjen e aksioneve spektakulare të prokurorisë, për pastrimin e listave zgjedhore nga të akuzuarit e të dënuarit e tjerë?! Apo mos po mendon ai se e gjithë historia e tij politike filloj nga dita kur u bë President?!

Çka tregon kjo?

Kjo tregon se tani edhe Kryetari i Kuvendit, si Presidenti dhe Kryeministri, është duke ecur ngadalë por sigurt në gjurmët e tyre (sidomos të Presidentit). Këta njerëz nuk janë në pozitat që i kanë marrë, sido që i kanë marrë (me korrupsion a presione të ndryshme), për t’u shërbyer vetëm interesave të tyre personale a grupore, por janë aty që gjithçka e çdo gjë ta bëjnë në interes të kombit e të shtetit. Përkundrazi, këtyre njerëzve nuk po i intereson sesa territor po humbë Kosova, sesa antikushtetuese janë marrëveshjet e 25 gushtit 2015, sesa sovranitet humbë Kosova në këto makinacione të rrezikshme për të ardhmen e shtetit, e rëndësishme është që ata ta ruajnë pushtetin e tyre personal, qoftë edhe duke i eliminuar të gjithë bashkëpunëtorët e djeshëm apo të sotshëm të tyre! Këta, jo vetëm që po e shkelmojmë çdo vlerë të djeshme, por, po e rrezikojnë çdo perspektivë të ardhshme të kombit!

Këtyre njerëzve nuk duhet t’ua kemi frikën për fatet tona personale ( ketë e duan ata, që të na sundoj frika), se frikën edhe në robëri e kishim, pasi shpesh ecëm edhe nëpër tehun e shpatës. Këtyre njerëzve frikën duhet t’ua kemi për vijëzimin e parametrave të rrezikshëm për të sotmen e të ardhmen e kombit e të shtetit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …