Jakup Krasniqi: Zgjidhja është jashtë Kuvendit

Nëse Bisedimet e Brukselit kanë qenë politike, nëse atje është folur për çështjet e brendshme të Kosovës, me një palë jashtë Kosovës, në rastin tonë me Serbinë, atëherë pjesë e bisedimeve është dashur të jetë domosdo edhe opozita në mënyrë që opinioni të ishte i informuar më kohë. Nuk ka asnjë dyshim, bisedimet e zhvilluara në mes qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së të mbajtura në Bruksel, nuk kanë qenë të përgatitura, nuk kanë qenë transparente, nuk janë brenda Dokumentit të Presidentit Ahtisari, janë tepër të dëmshme për funksionimin e shtetit të Kosovës, krijojnë një Bashkësi etnike politike e cila është në kundërshtim flagrant me përmbajtjen dhe frymën e përfundimeve te Konferencës se Vjenës të përmbledhura në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Politik të Kosovës. Të gjitha këto janë dëshmi se Kryeministri i Kosovës që i ka nënshkruar këto marrëveshje, ka qenë jashtë mandatit të tij kushtetues, mbase edhe politik. Pasi është jashtë mandatit të tij kushtetues, ai duhet ta dorëzojë mandatin për t’ju hapur udhë zgjedhjeve të parakohshme. Ndoshta ka pasur mundësi t’i ikej zgjedhjeve të parakohshme sikur të kishim Ligjin për Referendumin, ku qytetarët e Kosovës ta shprehnin mendimin e tyre për këto marrëveshje.


 


Ne një situatë të tillë, zgjidhja e problemit të krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve, duhet kërkuar jashtë Kuvendit, ne një marrëveshje të liderëve politikë të pozitës e të opozitës, të cilët duhet ta gjejnë daljen nga ky ngërç politik. Zgjedhja ndoshta duhet kërkuar në krijimin e një qeverie teknike e cila në një periudhë prej gjashtë muajve dihet të krijonte një ambient të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të rregullta e demokratike. Zgjedhje të cilat duheshin ta garantonin plotësisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në kutitë e votimit. Ndërsa për marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 duhet të shpallet një moratorium deri në krijimin e institucioneve, që do të dalin nga zgjedhjet e reja. Këto zgjedhje do të kishin dy funksione, përveç zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës do të ishin edhe një lloj Referendumi  qytetarëve për marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015. Nëse qytetarët ua dhënë besimin, këtyre që i kanë nënshkruar këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën, le ti vazhdojnë. Opozita e bashkuar, sigurisht që nuk do të luftojë kundër vullnetit të shumicës qytetare.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …