leoni

Jakup Krasniqi: Dëmin që “insajderi” ia shkakton buxhetit të Kosovës dhe PTK-së nuk ia shkakton gjithë “fisi” im

Jakup Krasniqi: Përse disa njerëz vazhdojnë t’i mohojnë dijet shkencore?

Nuk do zgjatem në fenomenin e sotëm përse njerëzit lexojnë kaq pak. Madje edhe kaq sa do të shkruaj ngurrova para dilemës hamletiane të shkruaj a të mos shkruaj, kjo është çështja! Më në fund fitoi të shkruarit!

Në kohën tonë mund të shkruajnë shumë, në të shumtën me pagesë apo të shtyrë, ose të atillë që shkruajnë edhe me bark. Me këtë rast nuk e kam fjalën vetëm për biografitë e porositura, një dukuri krejtësisht në suaza të snobizmit paranoik! Nuk dua të ndalem në këtë udhëkryq perversiteti edhe përmasash politike, por për këtë tjetër herë. Ka shumë për t’u thënë!  Të vazhdoj… më pak janë ata që shkruajnë me bindje e akoma më pak ata që i arrijnë majat e dijeve shkencore, eruditen, intelektualen.Universalen! Këta e këto së bashku, çuditërisht duke qenë pakicë, zakonisht sulmohen nga shumica! Kjo, mbase, edhe pse nuk i kuptojnë. Natyrisht, kjo nuk vlen vetëm për ambientin tonë kulturor e arsimor. Mohuesit shfaqen kudo nëpër kohë e në hapësirë. Nuk janë specie vetëm e llojit tonë gjuhësor e vegjetues.

Pse i shkrova gjithë këto fjalë, paksa edhe me indikacione të qarta?

Si shkas u bënë disa shkrime të këtyre ditëve të shkruara në rastin e 200-vjetorit të lindjes të njeriut, që në shumë fusha të dijeve shkencore e la vulën e fuqishme e ndikuese, që vështirë harrohet e madje-madje vështirë tejkalohet, siç ishte Karl Marksi. Marksi përveç majave që shkeli në shumë fusha, e sidomos në atë filozofike e ekonomike, ishte njeriu më me integritet dhe jo vetëm i epokës së tij. Vepra teorike e Marksit, në cilëndo fushë që ai kontribuoi, nuk mund të gjykohet me praktikën e sistemit socialist, që u vendos pas Revolucionit të Tetorit 1917, në BRSS, e më pas edhe pas Luftës së Dytë Botërore (1945 e tutje), ku qe aplikuar ai sistem apo edhe kudo ku sot ruhet emri i socializmit si sistem. Jo vetëm Marksi, por as edhe një teoricien, mendimtar, filozof a shkencëtar i cilitdo sistemi shoqëror nuk mund e as duhet të ngatërrohen nga praktikat e atyre sistemeve që zbatohen nga mashtrues e grabitës të ndryshëm. Madje, kjo vlen për të gjithë teoricienët e demokracisë që nga koha antike, amerikane apo evropiane e gjithë deri në ditët e sotme. Askund e nga askush në këtë botën tonë nëpër kohë e sisteme nuk ka përputhje të mendimtarëve, filozofëve apo shkencëtarëve të shkencave humanitare, juridike apo ekonomike me praktikat e qeverisjeve të ndryshme. Ose, për të qenë konkret, ta shpjegoj me një fakt të kohës sonë. A mund të formëmësojmë mendim e qëndrim të njëjtë me idealet e veprën sublime të Dëshmorëve të Kombit për liri e atdhetari me mënyrën e të qeverisurit pas Pavarësisë – 17 Shkurt 2008? Shkurt e shqip, të vlerësohet vepra sublime e të rënëve, siç ishte rasti i rënies së Jasharëve me njerëzit që qeverisin sot, është më shumë se marri! Të parët që u flijuan për idealet e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë nuk e kanë as edhe një përgjegjësi për mënyrën sesi u qeveris e po qeveriset vendi ynë pas çlirimit– 12 qershor 1999.

E pra, vetëm njerëzit e padijshëm ose fanatikët e ideologjive të ndryshme mohojnë, kontestojnë apo selektojnë çka duhet lexuar e hequr nga leximi prej veprave të Marksit. Është interesante kjo qasje e “mendimtarëve” të sotshëm, e cila nuk bëhet për asnjë mendimtar tjetër, bile as për ata që në asnjë formë të vetme nuk mund të krahasohen me mendimtarin e nivelit vështirë të arritshëm, siç ishte filozofi e ekonomisti, Karl Marks! Ka kohë që jam shkëputur nga leximi i veprës se Karl Marksit, se ambienti ynë është i tillë, larg, tepër larg nivelit intelektual të tij, por, gjithnjë, sa herë që kam lexuar pjesë nga vepra e tij, kam qenë mahnitur me nivelin e tij intelektual, nga opusi i dijeve të tij përmasash enciklopedike. Në ketë rast një falënderim të veçantë e meritojnë përkthyesit e atyre veprave për shqipërimin e mrekullueshëm të tyre. Pra, vepra e Marksit nuk ka nevojë të selektohet. Kushdo që do dije të nivelit të lartë intelektual, lexojeni se keni çka mësoni. Së paku bëheni njerëz me integritet e dinjitet, bëheni vetja. Por, Marksi nuk mund të lexohet e mbase as të kuptohet nga çdo nivel i arsimimit. Niveli ynë i arsimit lë shumë për të dëshiruar!

Mbase Marksi vazhdon të ketë nivel të lartë për çdo intelektual që ka prodhuar teknologjia e sotme informative! E tëmos flasim që ne, shqiptarët e shkolluar, sot nuk e kemi as nivelin e të folurit e të shkruarit në dialektet e para viteve ‘70. As edhe një komb nuk mund të prodhojë intelektualë e mendimtarë të mëdhenj, pa pasur frymëzim filozofët e mendimtarët e ndryshëm, qofshin edhe ata të para 2500 viteve!

Njerëzit nuk duhet të frikësohen nga mendjet e ndritura. Edhe kur mendjet e ndritura janë një pakicë.

Në fakt, ata kurrë dhe askund nuk mund të jenë shumicë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …