Ndër 71 vëllimet e veprave të Enver Hoxhës është dhe vepra ‘Dy popuj miq’, një libër mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. James Pettifer, ekspert për Ballkanin Jugor, profesor në Universitetin e Oksfordit thotë se në fakt nuk bëhet fjalë për dy popuj miq.
Pettifer është autor i një numri të madh librash të njohura për lexuesin shqiptar si “Çështja shqiptare – riformësimi i Ballkanit’, “Shqipëria nga anarkia tek një identitet ballkanik” (bashkë me Miranda Vickers), etj Nga libri ‘Grekët’ botuar nga Iceberg dhe përkthyer nga Xhevdet Shehu, botoi në DITA fragmentin e mëposhtëm:
“…Në dhjetor 1990 aparati i shtetit policor në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë u zhbë dhe, gati të gjitha rojet e armatosura u tërhoqën nga zona e kufirit rreth Kakavijës. Deri atëherë, çdo shqiptar që përpiqej të dilte nga vendi që prej 1945-ës pushkatohej pa një pa dy dhe kufiri mbrohej nga tela me rrymë elektrike.
Rezultati i menjëhershëm ishte një valë refugjatësh varfanjakë shqiptarë pa asnjë kacidhe që shkuan në Greqi. Në fillim ata u mirëpritën nga grekët vendorë, të cilët siguruan ushqim për gojët e uritura dhe këpucë për të zbathurit.
Por, ndërkohë që valët vinin herë pas here përgjatë muajve vijues, bujaria dhe toleranca filluan të shteronin. Veprimtaria policore greke ishte e vendosur, për të mos thënë brutale në disa raste, me vdekje refugjatësh shqiptarë dhe ka patur akuza të panumërta për dhunime të të drejtave të njeriut.
Ishte një përvojë e çuditshme të ishe dëshmitar i valës fillestare në dhjetor 1990 dhe janar 1991, kur shpirtra të humbur mbërrinin për t’u endur nëpër rrugët greke. Njerëz të vegjël e të irnosur nga rrugët malore, ishin të veshur me rroba 30 apo më shumë vjet të dala jashtë mode dhe ngjanin se vinin nga një botë tjetër.
Për shqiptarët, që dilnin nga një varfëri dhe izolim 45-vjeçar, dyqanet e vogla të qytezave provinciale greke ngjanin si shpella e Ali Babait, me thesare tej imagjinatës së zakonshme.
Por ky eksod kishte ndodhur edhe më përpara. Është e nevojshme të udhëtosh vetëm 10 milje (rreth 16 km) jashtë Athinës në Atikën rurale për të gjetur fshatra si Aspropirgosi apo Fili, ku shumica e banuesve janë me prejardhje shqiptare dhe ku shumë nga brezi i vjetër parapëlqejnë të flasin gjuhën e tyre.
Disa nga këta shqiptarë ishin refugjatë nga persekutimet fetare nën sundimin osman, besimtarë të krishterë, dhe zgjatja e qëndrimit të tyre nuk pëlqehet gjerësisht.
Edicioni i 1906-ës i udhërrëfyesit të Baedeker-it thotë se popullsia e ishullit Salamis, mu në prag të Athinës, ishte rreth 6 mijë njerëz, nga të cilët, të gjithë ishin shqiptarë, përveç 90 vetëve prej tyre. Shumë prej tyre nuk ishin refugjatë, por pjesë e garnizonit të madh osman dhe të aparatit administrativ me bazë në Greqi.
Shqiptarët mbanin gjithëfarëlloj pozitash nën turqit përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë në Greqi. Ata ishin, në rastin më të mirë, të padashur nga shumica e grekëve atëhere dhe të shikuar si pjesë e makinerisë shtypëse turke dhe si bashkëpunëtorë myslimanë.
Gjetiu, në Perandorinë Osmane, shqiptarët u bënë sunduesit e Egjiptit dhe të asaj që sot është Siria. Themeluesi i madh i ndërgjegjes kombëtare egjiptiane, Muhamed Aliu, ishte një shqiptar.
Një a dy breza më mbrapa, marrëdhëniet shqiptaro-greke kishin qenë të këqija gjithashtu – por për arsye të ndryshme. Shenjat e para të lëvizjeve për revoltë nga nacionalistë grekë kundër turqve morën dhenë në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Pasi këto dështuan, hordhi plaçkitësish të çrregullt shqiptarë u dërguan nga Porta e Lartë për të ‘paqësuar’ vendin.
Ky paqësim mori formën e një fushate famëkeqe terrori dhe grabitjesh ndaj popullsisë greke në tërësi, sidomos në Peloponez, ateherë dhe më vonë vatra e lëvizjes për pavarësi.
Por historia më e vonë e pas Luftës ka qenë më e vështira. Shqipëria u bë komuniste dhe u përpoq të ndihmonte ushtrinë komuniste greke përgjatë fazave më të vona të Luftës Civile, si duke dhënë furnizime, siç bëri Jugosllavia, ashtu dhe duke shërbyer si një bazë rigrupimi për grekët. Brenda Shqipërisë, shumë udhëheqës të rëndësishëm të lëvizjes nacional-çlirimtare vinin nga minoriteti grek dhe komunizmi në Shqipëri ishte gjithmonë më i fortë në rajonet jugore ku jetonin shumica e minoritetit grek.
Partizanët e Enver Hoxhës qenë në gjendje të fitonin betejat e tyre të para kundër forcave pushtuese të Boshtit në këto rajone. Mundja e të majtës në luftën civile greke nënkuptonte që Shqipëria do të mbahej në izolim gati hermetik nga Greqia dhe incidentet me të shtëna armësh në kufi ishin diçka e rregullt për shumë vite.
Piktori i rëndësishëm modernist shqiptar, Zois Shutie, u arratis nga Shqipëria në vitet ’60, duke iu shmangur plumbave nga ana greke po ashtu si nga ana shqiptare – dhe përvoja e tij ishte larg nga të qenit unike.
Sido që të ishte retorika rreth lirisë shqiptare që vinte nga Athina gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, realiteti i mundimshëm ishte se politika e Hoxhës e izolimit dhe siguria e fortë kufitare i përshtatej interesave strategjike greke poshtë në terren, deri te përfitimet e çuditshme si sasitë e mëdha të parave që junta e kolonelëve arriti të marrë nga NATO-ja për përmirësimin e rrugëve të Epirit në përgjigje ndaj një ‘kërcënimi’ inekzistent të sigurisë nga Shqipëria.
Si rezultat, dy vendet ishin teknikisht në luftë për shumë vjet dhe marrëdhëniet diplomatike nuk u rivendosën deri në vitet ’70.
Vetëm pas ardhjes së qeverisë të PASOK-ut në pushtet në vitin 1981, lidhjet tregtare dhe ekonomike filluan të zhvilloheshin normalisht. Është ndoshta domethënëse që zëvendësministri i jashtëm shqiptar i asokohe, Sokrat Plaka, ishte, siç e thotë në mënyrë grafike emri i tij, me origjinë nga minoriteti grek.
Në themel të shumë problemeve është fakti se Greqia historikisht ka pretenduar zona të gjera të territorit shqiptar, duke vajtur aq larg sa lugina e Shkumbinit në Shqipërinë qendrore. Ajo që sot është Shqipëria jugore quhet Vorio Epir (Epiri Verior) nga shumë grekë.
Ky territor iu dha Greqisë në 1914-ën, kur Fuqitë e Mëdha po përpiqeshin të vinin rregull pas Luftës së Dytë Ballkanike. Por vendimi i 1914-ës u revokua nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris në vitin 1921, kur Fuqitë e ndjenë që e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund anarkisë në Shqipëri ishte të vendosnin një shtet të qendërsuar me bazë në Tiranë.
Shumë grekë, jo të gjithë të të djathtës ekstreme, digjen pas kthimit të këtyre territoreve dhe përfshirjes së tyre në Greqi. Ky projekt është parë me një tmerr të kuptueshëm nga gjithë qeveritë shqiptare në Tiranë – komuniste dhe pas komuniste.
Çështja e numrave dhe origjinës së grekëve në Shqipëri është vetë shumë e diskutueshme. Shqiptarët pretendojnë se grekët janë sjellë si punëtorë me kontrata nga bejlerët turq në kohët e sundimit osman. Grekët pretendojnë se ka patur gjithnjë koloni greke në rajon, që nga lëvizjet fillestare të tribuve parahistorike.
Profesor Sederholm-i nga Finlanda, në krye të hetimit të Ligës së Kombeve mbi problemin në vitet 1921-23, përllogariti një numër total greqisht folësish që ishte vetëm 35 deri në 40 mijë vetë. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill të vitit 1939, shqiptarët njihnin një minoritet grekësh prej vetëm rreth 20 mijë vetësh…