Jamie Shea

Jamie Shea, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë: Nuk pres që akti në territorin polak të çojë në zbatimin e Nenit 5 të NATO-s.

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se sulmi me raketa në Poloni, i qëllimshëm ose jo, ka nxjerrë në pah nevojën që edhe vendet e NATO-s, sidomos ato në Evropën Lindore, të përforcojnë mbrojtjen ajrore. Të martën ka pasur raporte se dy raketa të prodhimit rus kanë rënë në Poloni, duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Rusia, e cila ka nisur pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, ka mohuar çdo përgjegjësi. Sipas disa raporteve, raketat që kanë rënë në Poloni, mund të jenë hedhur edhe nga Ukraina, gjatë përpjekjeve të saj për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Polonia dhe aleatë të NATO-s kanë nisur tashmë hetimet. Shea, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se nuk pret që akti në territorin polak të çojë në zbatimin e Nenit 5 të NATO-s Ky nen thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar, nënkupton sulm ndaj NATO-s dhe, rrjedhimisht, nxit reagimin e gjithë aleancës. “Asgjë nuk mund të përjashtohet, por nuk shoh ndonjë gjë që do të bëjë që Neni 5 të zbatohet në të ardhmen e afërt”, ka thënë Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

“Radio Evropa e Lirë”: Fillimisht, cili ishte mendimi juaj i parë kur dëgjuat lajmin se dy raketa ranë në territorin e Polonisë?
Jamie Shea: Për mua ka qenë shumë e pritur që, herët e vonë, raketat do të kalonin kufirin e Polonisë. Kjo, padyshim, se është pasojë e sulmeve të pamatura ruse. Por, në anën tjetër, si ish-zëdhënës i NATO-s, që jam marrë me Ballkanin, mësimi që kam nxjerrë është: mos jep fakte pa i ditur ato. Situata mbrëmë [15 nëntor] ka qenë e errët. Natyrisht se duhet të ketë hetime. Dhe natyrisht se NATO-ja nuk mund të marrë ndonjë vendim, përpara se të bëhen hetimet dhe faktet të jenë të qarta.

“Radio Evropa e Lirë”: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është e mundur që këto raketa të mos jenë hedhur nga Rusia…
Jamie Shea: Po, padyshim që ka marrë informacione nga shërbimet e tij të inteligjencës, sepse, përndryshe, nuk do ta thoshte këtë. NATO-ja ka avionë në qiell, amerikanët kanë sensorë, kanë satelitë, ata janë në gjendje t’i gjurmojnë rrugët e fluturimit të raketave, t’i gjurmojnë të dhënat. Këto mund t’u kenë dhënë atyre indikacione. Nuk mendoj se presidenti Biden do ta bënte atë deklaratë publike nëse nuk do të mendonte se ka arsye për ta bërë.
Siç e dini, ukrainasit kanë hedhur shumë raketa për mbrojtje dhe kanë pasur njëfarë suksesi. Ata pretendojnë se rrëzojnë nganjëherë 70% të dronëve dhe raketave që Rusia i gjuan në drejtim të tyre. Pra, janë shumë aktivë. Dhe, hipoteza se një raketë ukrainase nuk ka funksionuar dhe ka pasur pasoja tragjike, nuk mund të përjashtohet. Por, këtu duhet theksuar edhe diçka: ukrainasit nuk do të qëllonin, sikur Rusia të mos i sulmonte.

“Radio Evropa e Lirë”: Pyetem se cila do të jetë përgjigjja e NATO-s? Në të dyja rastet, edhe nëse konstatohet se ka qenë veprim i qëllimshëm, ose aksidental…
Jamie Shea: Ambasadorët e NATO-s takohen sot. Ata, padyshim, do të duan të dëgjojnë nga Polonia për hetimet deri tash, se si po bëhen ato. Amerika ka ofruar disa ekspertë për të ndihmuar dhe vendet tjera mund ta bëjnë të njëjtën. Vendet e NATO-s do të tregojnë solidaritet dhe unitet në mbështetje të Ukrainës. Mendoj se Rusia do të kritikohet fuqishëm. Siç e thashë, edhe nëse rusët nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës për këtë sulm, ai ka ndodhur sepse Rusia ka pushtuar Ukrainën. Nuk do të kishim raketa që hidhen në kufirin Ukrainë-Poloni, nëse Rusia nuk do të kryente sulme të tilla cinike dhe shkatërruese, të cilat kanë shënjestra civile. Synojnë të shkatërrojnë infrastrukturën energjetike.
Mendoj se do të ketë një dënim të Rusisë dhe ndoshta një lloj paralajmërimi për të, që të ndalojë sulmet, sepse pasojat e përhapjes së konfliktit, pas incidentit të djeshëm, janë të qarta. Po ashtu, mendoj se Polonia dhe aleatët e tjerë në Evropën Lindore do të bëjnë thirrje për më shumë mbrojtje ajrore nga NATO-ja. Duket qartë se nuk është vetëm Ukraina që ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore. Marrë parasysh cenueshmërinë e territorit, [vendet] e NATO-s kanë po ashtu nevojë për mbrojtje.
Mendoj se kjo do të jetë një çështje delikate për aleancën [e NATO-s], sepse sa më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore që mban për vete, aq më pak mund të dërgojë në Ukrainë. E, Ukraina ka nevojë për to urgjentisht. Mendoj se NATO-ja duhet të drejtohet kah industria, kah qeveritë, për të parë se si mund të rrisë prodhimin e gjërave si: sistemi gjerman IRIS-T, sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot, e të tjera. Ka disa të tillë në Evropën Lindore. Por, qartazi, kemi nevojë për shumë më tepër.

“Radio Evropa e Lirë”: Po Neni 5 i Traktatit të NATO-s? A ka gjasa të zbatohet, nëse konstatohet se akti në Poloni ka qenë i qëllimshëm? Jamie Shea: Ekziston gjithmonë kjo mundësi, nëse konstatohet – siç e thatë edhe ju – se ky ka qenë një sulm i qëllimshëm i Rusisë në Poloni. Por, rrethanat – për mendimin tim të paktën – nuk e plotësojnë këtë kriter. Për më tepër, nuk e dimë sigurt se ky ka qenë një sulm rus. Nëse po, nuk e dimë nëse ka qenë i qëllimshëm. Nuk duket se ka gjasa që Rusia – nëse ka kryer sulm të qëllimshëm – do të sulmonte fermën në Poloni, përpara ndonjë instalimi ushtarak ose strategjik.
Dhe, në fakt, Polonia ka qenë shumë e kujdesshme deri më tash. Nuk kemi dëgjuar kërkesë të kryeministrit polak për të zbatuar Nenin 5. Ata kanë folur vetëm për Nenin 4, që parasheh konsultime emergjente në NATO. Unë mendoj se aleanca do të dëshirojë t’i dërgojë një sinjal të fuqishëm Moskës, por, në këtë fazë, pa e përshkallëzuar konfliktin në ndonjë mënyrë. Asgjë nuk mund të përjashtohet, por nuk shoh ndonjë gjë që do të bëjë që Neni 5 të zbatohet në të ardhmen e afërt.

“Radio Evropa e Lirë”: Moska ka thënë se raportet [për sulmin në Poloni] janë një provokim. Cilët mendoni se do të jenë hapat e saj të ardhshëm?
Jamie Shea: Ajo që shohim është se rusët janë duke u sjellë në një mënyrë tepër të pamatur. Lëshimi i 112 raketave derisa zhvillohet samiti i vendeve më të industrializuara, G20, në Indonezi; ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që lë takimin më herët, përpara se të nisnin sulmet me raketa; presidenti rus, Vladimir Putin, jo i pranishëm atje, i izoluar… Duket sikur Rusia – nëse mund ta përdor këtë shprehje – po ia çon gishtërinjtë komunitetit ndërkombëtar dhe po i thotë: Nuk brengosemi, nuk shqetësohemi për pasojat.
Por, në anën tjetër, fakti që Polonia tani është prekur, do t’i bëjë disa vende si Kina, India, Indonezia dhe të tjera të G20-ës – që kanë hezituar ta ndëshkojnë Rusinë – të fillojnë dhe të mendojnë nëse dhënia e ndonjë lloj ndihme apo mbështetjeje për Putinin është gjë e mençur. Rusia, si gjithmonë, do ta mohojë [përgjegjësinë], do të veprojë në mënyrë sfiduese, do të sillet sikur nuk brengoset, por pasojë do të jetë izolimi i mëtejshëm rus. Dhe, siç e thashë, kjo do ta bëjë më të vështirë për vendet si Kina apo India, që të tregojnë ndonjë simpati për Putinin. Ndoshta do të ketë edhe sanksione shtesë [kundër Rusisë], që do të ndërmerren më shpejt. Dhe, po, përforcime të mbrojtjes ajrore të NATO-s, gjë të cilën Putin me siguri se nuk do ta konsiderojë si interes të Rusisë. Pra, qasje e ashpër ndaj Moskës. Në aspektin strategjik, ky do të jetë një komplikim i madh për Rusinë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …