Prindërve Zejnullah e Zejnie Jashari nga Strofci i komunës së Vushtrrisë u lindi fëmija i tretë me radhë, të cilin e pagëzuan Januz. Derisa Muhameti dhe Kosumi ishin dy vëllezërit më të mëdhenj Jashari, Tefiku, Faiku dhe Mahmuti ishin më te vegjël se ai. Familja e dëshmorit të kombit, Januz Jashari, në vitin 1970 përjetoi një tragjedi të rëndë, e cila ua mori jetën e dy vëllezërve të mëdhenj të tij. Vëllezërit Mahmuti dhe Kosumi gjetën vdekjen në vendin e tyre të punës, të cilët u helmuan me gaz metani në një gropë thëngjilli.
Januz Zejnullah Jashari u lind më 18 maj 1959 në fshatin Strofc. Pas kryerjes së shkollës fillore në fshatin e lindjes, kreu shkollën e mesme profesionale për axhustator në Kastriot.
Ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 në Kastriot dhe Prishtinë. Kontaktet e para me ilegalen datojnë që nga viti 1980. Ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1981 dhe 1989, si dhe në aktivitete të tjera kombëtare për çlirimin e Kosovës. Januzi dhe familja e tij ishin halë në sy të okupatorit serb. Në edukimin e tij politik dhe atdhetar, rol të veçantë tek Januzi kishte ushtruar i vëllai, Jashari, si dhe daja, Avni Klinaku, veprimtar i çështjes kombëtare, të dy pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarë të lirisë dhe që të dy dëshmorë të kombit.
Fillimi i organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i luftës në Kosovë, Januzin si dhe vëllanë, Jasharin, i gjeti të gatshëm për sakrificën që po kërkohej për Kosovën, për lirinë e saj. Meqë vëllai, tani dëshmor i kombit, Jashar Jashari ishe ndër të parët çlirimtarë, i cili menjëherë pas Epopesë së Prekazit e të Komandantit Legjendar Adem Jashari, u kthye në Kosovë dhe filloi aktivitetin çlirimtar, përkrah tij kurdoherë qëndroi edhe Januzi.
Pas arritjes së të vëllait në Kosovë, Januzi edhe më tepër e thellon aktivitetin e tij në rrugën për çlirim dhe tashmë të gjitha detyrat që i merrte nga i vëllai i zbatonte me përpikëri. Ata vinin duke e zgjeruar aktivitetin e tyre sa më shumë dhe duke aktivizuar edhe bashkëmendimtarë të tjerë si të fshatit ashtu edhe të rrethit më të gjerë. Januzi i ndihmonte vëllait, Jasharit në shpërndarjen e armatimit për luftëtarët e lirisë.
Në saje të angazhimit të palodhshëm të komandantit, Jashar Jashari, i cili punonte pa u ndalur për shtrirjen dhe zgjerimin e formacioneve të UÇK-së në trevën e Artakollit. Kështu në fshatin Trimor, ish-Zhilivodë e Vushtrrisë, u vendos shtabi vendor i UÇK-së për Artakoll, me ç’rast nga Jashar Jashari, i njohur si komandant Duraku, u bë shpërndarja e armëve të para për luftëtarët e lirisë. Ndërsa, për këta luftëtarë ishte qendra stërvitore në fshatin Trimor. Zgjerimi i aktiviteteve vazhdoi edhe në fshatrat e tjera, duke përfshirë këtu edhe fshatin e lindjes së Januzit, fshatin Strofc.
Pas organizimit të UÇK-së në Strofc dhe në fshatrat përreth, pozicionet e UÇK-së u shtrinë përgjatë vijës së frontit që përfshinte fshatrat rrëzë Qyqavicës, Mirashit, Gurakuqit, Lajthishtës, Hamidisë, Bardhit të Madh dhe Hades. Ndërsa, forcat serbe ishin të përqendruara në fshatrat serbe Prelluzhë e Plemetin. Ato tani nuk kishin mundësi të depërtojnë në këto anë por vetëm të granatonin nga largësia, sepse ushtarët trima të UÇK-së ishin të pozicionuar dhe nuk lejonin depërtimin e tyre në këto anë. Në mesin e këtyre ushtarëve ishte edhe luftëtari i lirisë, Januz Jashari. Ai ishte pjesëtar i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të UÇK-së të Zonës Operative të Shalës.
Në radhët e UÇK-së u angazhua më 15 mars 1998, në pikën e Gurkuqit, ish-Gllavotin, te vendi i quajtur “Varri i Hoxhës”, në afërsi të fshatit Dodonë, ish-Gradicë.
Ka marrë pjesë në shumë luftime të cilat i ka zhvilluar Brigada 142 e UÇK-së e ZOSH-it.
Vazhdimisht e ka furnizuar UÇK-së me armë, të cilën punë e bëri përmes të vëllait, Jasharit, komandant Durakut. Ka qenë i angazhuar në njësitin e UÇK-së që ka vepruar në fshatin Strofc dhe në fshatrat përreth. Ndër luftëtarët me të cilët bashkëvepronte ngushtë kanë qenë: i vëllai, Jashari, Xajë Jashari, Rrahim Tahiri, Sejdi Selimi, Avni Klinaku e të tjerë.
Forcat serbe, pas fillimit të bombardimeve të NATO-së i shpeshtuan ofensivat dhe ato ishin shumë më të ashpra, me qëllim për ta të thyer rezistencën e UÇK-së. Januzi me shokë u përballoi shumë ofensivave të armikut, duke luftuar pa u trembur dhe pa lëshuar pozicionin.
Njëra ndër ofensivat më të fuqishme që ndërmori okupatori ishte edhe ajo e 18 prillit të vitit 1999 në të gjitha zonat e luftës, kudo në Kosovë. Atë ditë serbët bëjnë përpjekje të pareshtura për të depërtuar edhe në Qyqavicë. Januz Jashari, së bashku me Avni Klinakun, Asllan Klinakun, Emrush Klinakun, Enver Tahirin dhe shumë luftëtarë të tjerë, nuk lejon depërtimin e forcave armike në këto anë. Ata si edhe herëve të tjera qëndrojnë në vijën e frontit në fshatin Strofc. Gjatë luftimeve ballë për ballë me armikun, për të mos lejuar serbët, që nga kjo pikë të depërtojnë në majat e Qyqavicës, në atë betejë, që ishte ndër më të përgjakshmet në këtë anë, bien për të mos vdekur kurrë, Januz Jashari, Avni Klinaku dhe Enver Tahiri.
Bashkëluftëtarët e tij, më 19 prill 1999, trupin e dëshmorit Januz Jashari e varrosën në malet e Qyqavicës, për ta rivarrosur më 31 gusht 1999 në “Varrezat e Dëshmorëve” në Bletajë ish-Stanofc të Vushtrrisë.
Januzi ka qenë fizikisht i shëndetshëm dhe shpirtërisht i qetë, i përzemërt me atdhetarë, kurse i ashpër për armikun dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai ka mbajtur edhe ditar të jetës dhe shkrime të tjera, por ato janë djegur gjatë luftës.
Për jetën dhe veprimtarinë e tij është shkruar në revista dhe gazeta.
Familjes së dëshmorit, Januz Zejnullah Jashari i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …