leoni

Java e Bibliotekës në Kosovë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, të martën, ka hapur edicionin e pesëmbëdhjetë të Javës së Bibliotekës me temë “E Drejta e Autorit dhe biblioteka”, veprimtari kjo që do të mbahet gjatë kësaj jave nga 11 deri më 14 prill. Viti i pesëmbëdhjetë i Javës shënon vazhdimin e një përkrahjeje të Javës së Bibliotekës nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, si dhe shënon vazhdimin e një bashkëpunimi të fuqishëm mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Edicioni i kësaj Jave është mbështetur edhe nga komuna e Pejës, Prizrenit, Ferizajt, në të cilat, po ashtu, do të zhvillohen veprimtari gjatë Javës së Bibliotekës në Kosovë. Mysafir special i Javës së Bibliotekës në Kosovë, është Kyle K. Courtney, këshilltar për të Drejtat e Autorit në Universitetin e Harvardit, ardhjen e të cilit e ka mundësuar Ambasada e Amerikane në Kosovë. Në ceremoninë e hapjes së Javës së Bibliotekës në Kosovë, mori pjesë kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami. Në këtë ceremoni ishte edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Persida Asllani, këshilltarja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Jasenka Zajec, Këshilltare për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë, Pamela Daëes, Drejtore e projektit Ndihma e Manchesterit Kosovës etj., profesorë, shkrimtarë, botues, bibliotekarë, si dhe përfaqësues të kulturës e të politikës. Këtë Javë, Biblioteka e Shqipërisë ka sjellë në Kosovë ekspozitën “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, ndërsa që është organizuar midis dy bibliotekave kombëtare – të Shqipërisë dhe të Kosovës, konferenca e përbashkët shkencore për veprën e Musine Kokalarit, në të cilën kanë referuar studiues të të dy vendeve. Në hapjen e Javës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku është shprehur se qëllimi Javës nuk është për të mbledhur komunitetin bibliotekës në vetvete – bibliotekarët, këshillat e tyre, por një rrjet të gjerë njerëzish akademikë, publikë, mësimdhënës, lexues, qeveritarë, krijues të politikave dhe financues, me të cilët bibliotekarët duhet të zbulojnë vlerën e thellë të besimit në bibliotekë. Dhe, për më shumë, për një kthesë të sigurt të të menduarit e të të vlerësuarit të punës sonë, atë që e kërkojmë gjatë gjithë kohës, duhet të japim shembullin ne që punojmë në biblioteka. Ai tha se në kontekstin tonë, Java e Bibliotekës në Kosovë, jo vullnetshëm, po lë anash aktivitetet relaksuese e kreative, si një ftesë për librin e bibliotekat dhe ata që i përdorin ato – për t’u mbërthyer në një veprimtari të natyrës akademike, që përkon me nevojat që kanë bibliotekat, për të sanuar dhe korrigjuar devijimet që mund t’i kenë. Me këtë rast, drejtori Gajraku përmendi, temë e Javës E Drejta e Autorit dhe Biblioteka, duke thënë se pa dhënë ndonjë krah lidhur me çështjen se si po sillemi – si po sillen bibliotekat me të Drejtën e Autorit, duhet ta nisim e ta sosim debatin, për ta pikësuar faktin se çfarë u takon bibliotekave si përgjegjësi – fondi i të cilave vlon prej përkatësisë së autorëve e autorësisë, ndërkaq që bibliotekari është në mes, jo për t’u sjellë në mënyrë hamendësues, por për të kuptuar përgjegjësitë që ka për mbrojtje të pronës intelektuale. Në fjalën e tij përshëndetëse në hapjen e kësaj veprimtarie, kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa premtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës, projektet e saj e sidomos ato të infrastrukturës dhe ato të teknologjisë e të inovacionit. Z. Mustafa tha se Bibliotekat janë themelet të një shteti të shëndetshëm, bibliotekat u japin njerëzve mundësinë të përjetojnë ide të reja, të bëjnë kërkime shkencore, të mbledhin e të shpërndajnë përshtypje të mrekullueshme prej përfitimit që kanë gjatë përdorimit të tyre. Biblioteka reflekton diversitetin dhe karakterin, nevojat dhe pritjet e njerëzve tanë, hulumtuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve. Këto nevoja e pritje janë shpesh të gjera e të çmueshme. Biblioteka është burimi më i plotë i kërkimit të informacionit, informacion ky i nevojshëm nga njerëzit si në aspektin personal, po ashtu edhe familjarë e zyrtarë. Në botë, njerëzit e biznesit i përdorin burimet e bibliotekës për të marrë vendime të mençura për zhvillimin e biznesit e punonjësit i përdorini për të përmirësuar aftësitë e punës, profesorët për të arritur rezultate të larta shkencoret, studentët për të forcuar dijen akademike. Më pas, ai tha se Qeveria e Kosovës, drejtpërdrejtë apo nëpërmjet dikastereve të saj do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në veçanti e bibliotekave në përgjithësi, ashtu siç më është fakt, Ministria e Kulturës ka përkrahur shumë projekte për Bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi, po ashtu Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës kanë filluar ta përkrahin projektin për digjitalizimin e Bibliotekës, e me këtë kanë reflektuar edhe qasjen e kësaj qeverie e cila do të bëjë të pamundurën për të përkrahur projektet e bibliotekës, sidomos ato të infrastrukturës fillimisht, dhe ato të teknologjisë e të inovacionit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie, në fjalimin e tij përshëndeti Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si dhe të gjithë bibliotekarët, shkrimtarët, botuesit dhe studentët për punën që bëjnë për të nxitur leximin e për të ndihmuar në hulumtim. Ai theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe e drejta e autorit për zhvillim ekonomik të Kosovës. Delawie shprehu shqetësimin e tij për prezencën e mallrave të falsifikuara në dyqanet e mëdha në Kosovë dhe u bëri thirrje Task Forcës si dhe akterëve të tjerë që të jenë më vigjilent në këtë çështje. Më tej, ai u shpreh se tani që Kosova po zgjeron lidhjet e saj me tregjet ekonomike-globale, kulturore dhe letrare, duhet të ketë mbështetje nga të gjithë për të rritur zbatimin dhe monitorimin e mallrave të falsifikuara dhe të drejtave pronësore. Ardhjen e këshilltarit të së Drejtës së Autorit në Universitetin e Harvardit, z. Kyle Courtney, z. Delawie e sheh si një mënyrë të drejtpërdrejtë që bibliotekarët e Kosovës të arrijnë të kuptojnë rolin që e kanë në krijimin e një mjedisi, ku mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale është një prioritet. Çështje tjetër që Ambasadori Delawie hapi gjatë fjalimit të tij ishte edhe integriteti akademik, të cilin e përkufizoi si “thelbi i akademisë”. Pastaj, ai foli edhe për plagjiaturën, duke porositur institucionet akademike të Kosovës që të punojnë më shumë për këtë çështje. Për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshilli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka ndarë çmimin “Pjetër Bogdani”, për kontributin që ka dhënë në zhvillimin e Bibliotekës. Persida Asllani, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, uroi hapjen e Javës së Bibliotekës, duke përmendur edhe bashkëpunimin institucional që kanë Kosova dhe Shqipëria. Ajo shpjegoi në detaje ekspozitën “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në ditën e hapjes së Javës së Bibliotekës, ka ndarë mirënjohje për: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Grupin “KOHA”, Familjen e Esad Mekulit, Kishën Protestane Ungjillore të Kosovës, Familjen e Shefki Ukajt, Z. Ymer Bytyqin, studentët e Degës së Antropologjisë. Sesioni i parë i ligjëratës është filluar nga Kyle K. Courtney, Këshilltar për të Drejtën e Autorit në Universitetin e Harvardit, i cili ka bërë prezantimin për rolin e bibliotekave në Mbrojtjen e të Drejtave të Pronës Intelektuale dhe të Drejtës së Autorit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …